85 mln Euro, të gjitha në një këst të vetëm për të siguruar një nga talentet më të mëdhenj të futbollit botëror. Pas blerjes së Pedro Rodriguez, Chelsea përgatitet për një tjetër goditje të madhe në merkato. Jose Mourinho kërkon me çdo kusht francezin Paul Pogba, duke trokitur me një ofertë konkrete në derën e Juventusit. Sipas “Daily Star”, presidenti Roman Abramovich nuk është aspak i bindur me skuadrën aktuale pas humbjes në Community Shield dhe një pike të marrë në dy javët e para të kampionatit, duke përgatitur goditjen që mund të trondisë merkaton e shitblerjes së futbollistëve në tregun europian.
Në këtë mënyrë, manjati rus ka vendosur të shpenzojë 85 milionë Euro për mesfushorin bardhezi, i cili mbetet në krye të listës së disa prej klubeve më të pasura të kontinentit me Paris Saint Germain dhe Manchester City që gjithashtu kanë përgatitur oferta faraonike për klubin bardhezi dhe vetë lojtarin. Një avantazh të madh në bisedimet me Juventusin, Chelsea e ka pasi Allegrit i intereson kolumbiani Cuadrado por edhe braziliani Oscar, dy lojtarë që Mourinho do t’i linte të lirë pa asnjë problem.
Me afrimin e mundshëm të Pogba, Chelsea do të bënte një nga lëvizjet më të bujshme të viteve të fundit dhe një prej objektivave kryesorë është rikthimi i entuziazmit në radhët e ambjentit blu që ka filluar të humbasë besimin te skuadra aktuale. Në rast se marrëveshja arrihet, atëherë shuma e shpenzimeve të Chelseat gjatë kësaj merktoje do të shkonte në 150 milionë Paund. Deri tani Blutë e Londrës kanë afruar Pedro Rodriguez, Baba Rahman, Asmir Begovic dhe Radamel Falcao.