Forca Shqipëri, “Euro 2016” kalon edhe nga Danimarka!

4 Shtator 2015, 11:54Sport TEMA

Sonte, në orën 20:45, në “Telia Parken” të Danimarkës, do të startojë ndeshja kualifikuese për “Euro 2016”, Danimarkë-Shqipëri. Po ndalemi në shifra e fakte historike, por jo vetëm, që u përkasin ballafaqimeve mes dy kombëtareve në fjalë, teksa kuptojmë supremacinë e nordikëve. Madje, na duhet të kthehemi 52 vite pas në kohë, në vitin 1963, për të gjetur fitoren e parë e të vetme të kuqezinjve tanë, falë golit të “mbretit” Panajot Pano. Për momentin ndajmë vendin e dytë dhe të tretë në Grupin I, me nga 10 pikë, por kuqezinjtë tanë kanë një ndeshje më pak të luajtur.

Më 30 tetor 1963, luanim dhe fitonim brenda në Kopenhagë, me të njëjtin synim shkojmë edhe kësaj here, pas më shumë se gjysmëshekulli, me shpresën se do ta prishim “syrin e keq” dhe së andejmi të hedhim një hap tjetër të madh drejt finaleve të “Euro 2016”. Nëse ndaj Danimarkës kemi fituar 1 herë, në finalet e një kompeticioni madhor për kombëtaret, kampionat Europian, apo Kampionat Botëror, s’e kemi bërë akoma “sefte” si komb.

Le të futemi paksa në historinë e përballjeve të këtyre dy kombëtareve. Goli i Lasse Vibe vlejti një pikë për Danimarkën, kur u takua për herë të fundit me Shqipërinë, tetorin e vitit të kaluar, ndërkohë që tashmë luan si ekip vendas dhe ka përpara një mision: të fitojë tri pikë ndaj rivalëve të vet në Grupin I kualifikues. Danezët do të takohen për herë të dytë në fushatën kualifikuese të “Euro 2016” me shqiptarët. Lasse Vibe barazoi në fund dhe i dha një pikë Danimarkës në ballafaqimin e parë, pasi Ermir Lenjani e kishte kaluar në avantazh Shqipërinë në pjesën e parë. Kjo sfidë është luajtur në tetor 2014.

Në nëntë takimet e larta ndërkombëtare me Shqipërinë, rekordet e Danimarkës janë këto: 6 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje. Panajot Pano shënoi golin e vetëm, kur Shqipëria regjistroi fitoren e saj të vetme kundër Danimarkës, në kualifikueset e “European Championship”, më 30 tetor 1963. Danimarka ka një lojtar që rrezikon pezullimin, pikërisht mesfushorin William Kvist, i cili është një karton të verdhë larg nga një ndeshje “në bokse”. Para humbjes së 14 tetorit, 1-0 në Portugali, Danimarka kishte fituar shtatë ndeshjet e mëparshme kualifikuese në “European Championship”, në shtëpi. Humbja e tyre e mëhershme ishte 3-1, në Spanjë, më 13 tetor 2007, gjatë kualifikueseve të “Euro 2008”.

Shqipëria mbetet e pamposhtur pas pesë ndeshjesh kualifikuese në Grupi I, duke përfshirë edhe rezultatin 3-0 në tavolinë, që iu dha nga KAS-i i Lozanës. Klubet daneze kanë pasur një bilanc shumë më të mirë në ballafaqimet europiane me homologët shqiptarë. Konkretisht, kanë 6 fitore, 2 barazime dhe asnjë humbje. Shqipëria do të tentojë të marrë fitoren e parë kundër Danimarkës pas më shumë se 50 vjetësh, që nga koha e Panajot Panos, “mbretit” të futbollit të këtij vendi të vogël ballkanik.

Në tetë takimet ndërkombëtare me Danimarkën, rekordet e Shqipërisë janë negative: 1 fitore, 2 barazime dhe 6 humbje. Përplasja e parë për një Kampionat Europian mes këtyre dy kombëtareve ndodhi në raundin e parë të kompeticionit, në vitin 1963. Dhe ne fituam me rezultatin 1-0, shënuar nga Panajot Pano në minutën e 3-të. Kthimin, skuadra daneze, e drejtuar nga Poul Eyvind Petersen, e fitoi me rezultatin 4-0 në “Loro Boriçi”.

Dy kombëtaret në fjalë janë gjendur në një grup kualifikues të Kupës së Botës tri herë. Shqipëria, e drejtuar nga Josip Kuzhe, më në fund u dha fund humbjeve në pesë ndeshje radhazi kundër Danimarkës. Kuqezinjtë i mbajtën barazimin 1-1 danezëve të Morten Olsen, në takimin e luajtur në Tiranë, më 9 shtator 2009. Nicklas Bendtner kaloi danezët në epërsi, në 40’, ndërsa Erjon Bogdani barazoi gjithçka në 50’. Klubet shqiptare dhe ato daneze janë takuar tetë herë në kompeticionet e zhvilluara nga UEFA. Të parat nuk njohin ende asnjë fitore ndaj të dytëve.

Shqiptarët, në rang klubesh, kanë barazuar 2 ndeshje dhe kanë humbur 6 të tilla ndaj danezëve. Megjithatë, Besa e Kavajës ka eliminuar BK Fremad Amager, falë golit në fushë kundërshtare, në raundin e parë të Kupës UEFA në edicionin 1972-1973. Në 26 takimet ndërmjet palëve, duke përfshirë klubet, të rinjtë, femrat dhe futsall-in, 19 prej tyre kanë përfunduar me fitoren e nordikëve, ndërsa vetëm 3 fitore regjistron Shqipëria.

Gjyqtar i rreptë 

Ndeshja Danimarkë-Shqipëri do të gjykohet nga një treshe skoceze. Arbitri kryesor që do të bëjë drejtësi në “Telia Parken”, mbrëmjen e 4 shtatorit, do të jetë William Collum, ndërsa ndihmës bashkatdhetari i tij, Francis Connor, si dhe ilrandezi Damien MacGraith. Arbitra linje, mbas portave, do të jenë dy skocezë të tjerë, Bobby Madden dhe John Beaton.

UEFA ia ka besuar njërën prej kualifikueseve më të rëndësishme të kësaj dite 36-vjeçarit nga Gllasgou. Collum, nëse kërkon informacion për të në internet, konstaton se ka shumë përvojë në arenën europiane. Madje, vitet e fundit, skocezi ka gjykuar ndeshje të nivelit shumë të lartë. Për herë të fundit, në fushatën kualifikuese të “Euro 2016”, Collum ka gjykuar më 12 qershor.

Fjala është për ballafaqimin mes Islandës dhe Republikës Çeke, që u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të vendësve. Në Ligën e Kampioneve, 36-vjecari skocez ka gjykuar çerekfinalen Monako-Juventus, sezonin e shkuar, por edhe ndeshjen e kthimit të 1/8 finale mes Bajernit të Mynihut dhe Shakthar Donjesk. Ndeshja më e fundit e gjykuar në Champions, sezonin aktual, për Collum ka qenë ajo e “play-off”-it, luajtur mes Bazelit dhe Makabit të Tel Avivit, që përfundoi në barazim 2-2.

William Collum njihet si një arbitër që i nxjerr “pa doganë” kartonët, kështu që kuqezinjtë tanë duhet të ruhen në këtë drejtim. Duke qenë se gjykoi edhe finalen e Superkupës së Europës të këtij viti, Barcelona-Sevilja, e kuptojmë më mirë dorën e tij “të rëndë”. Ai e nxori plot 9 herë kartonin e verdhë nga xhepi, duke ndëshkuar lojtarë të tillë si Buskets, Dani Alves, Rodrigues, Matieu etj. nga katalanasit. Prej vitit 2006, skocezi mban stemën e FIFA-s.

4 shtatori dhe trajnerët e shkarkuar

Në prag të kësaj ndeshjeje ia vlen të përmendim edhe dy koinçidenca, që shpresojmë të vlejnë për mirë. Trajneri De Biazi dhe kuqezinjtë kanë shkarkuar nga një trajner për secilën kombëtare rivale në grupin tonë kualifikues. Që në start, fitorja 1-0, me eurogolin e Bekim Balajt, bëri që Portugalia të largonte paulo Benton. Edhe Armenia e largoi trajnerin Shalande pas humbjes 2-1 në “Elbasan Arena”.

E njëjta gjë edhe me Dik Advokat, pas ndeshjes së ndërprerë në minutën e 41-të me Shqipërinë, teksa u detyrua të japë dorëheqjen. I vetmi që ka mbijetuar, prej shumë vitesh, në fakt, është Morten Olsen. Një humbje e tij në “Telia Parken”, mbrëmjen e 4 shtatorit, do ta “minonte” mundësinë e kualifikimit direkt në “Euro 2016”. Pra, do të tronditej edhe stoli i tij nga kuqezinjtë.

E dyta, data 4 shtator është e shënuar për futbollin shqiptar. Le të kthehemi pas në kohë, në vitin 2014, kur Greqia vinte në “Qemal Stafa” si kampione e sapokurorëzuar e Europës. Kuqezinjtë e drejtuar nga gjermani Hans Peter Brigel fitaun 2-1, duke i zbritur me këmbët në tokë helenët, por edhe duke gëzuar pa masë shqiptarët kudo që jetojnë. Asaj dite, kuqezinjtë i treguan Europës se si mundet Greqia, teksa kishin dështuar ta bënin këtë kombëtare “big” në Portugali, vendin ku u zhvilluan finalet e kompeticionit në fjalë. Ndoshta kjo datë është me fat për Shqipërinë, edhe tani, pas 11 vitesh./ Telesport

 

STATISTIKAT
Kualifikuese Botërori

1964, “European Championship”

 

 

Renditja aktuale e Grupit I kualifikues

* Serbisë i janë hequr 3 pikë nga klasifikimi

11 komente në “Forca Shqipëri, “Euro 2016” kalon edhe nga Danimarka!”

  1. besim says:

    keq me vjen por rezultati i ndeshjes do te jete zhgenjyes per ne. 2-O, fiton danimarka.

    1. lomi says:

      ok besim mjeshtrri profesori orakulli na honksh majen e karit, laskar

    2. truku says:

      nuk e di sa del sepse eshte truk
      i pate ndeshjet dje, vetem dy nuk dolen barazim ne pjese te pare.
      kroacia del barazim, italia 1-0, turku barazim etj
      “Le ta bejme genjeshtren realitet ne menyre qe te vertete te mos kete me!!

  2. poeti says:

    Nderime per kujtimin e MBRETIT te futbollit shqyptar Panajot Pano qe per nga shpejtesia e sprinit dhe teknika me top nuk kishte dhe nuk do te kete per shume kohe konkurent.

  3. qytetar says:

    Ne kete ndeshje do te fitojne kuqezinjt 100%. Do te jete nje ndeshje spetakolare ,e papare .

  4. Tema says:

    Të mos i jepet ngjyra politike

  5. gencivl says:

    Besim…ndrysho emrin se e ke te gabuar

  6. anila says:

    o gazetare te tmerrshem!!!!
    pse ore pak flaj shqip ka gjuha shqipe qe ju perdorni fjalen “startoje”,
    nisi, u hap, filloi, u cel etj etj…..

    Nuk ju vjen turp!!!

    1. truku says:

      Turp nuk i vjen tere futbollisteve dhe trukojne me Uefan dhe Fifan ne krye!!!

  7. prap kallarja kuqe. sme rre syni mu jooo. says:

    Sduhet politizuar. I eshte vene nje presion i madh de biazit dhe djemve.
    Me vjen aq keq sa me mbushen syte.
    Lerini djemte.
    Futbolli ka fitime dhe humbje.
    Me vjen keq edhe per de biazin qe eshte duke mbajtur kete presion.
    Sduhet ti kerkohet e pa mundura.
    Shume keq

  8. Pelasgian says:

    Islanda e Vogel kryeson grupin e saj …grup ku ben pjese Hollanda, Cekia, Turqia ….

    Uellsi gjithashtu kryeson nje grup me skuadra si Belgjika Bosnia

    Futbolli po ndryshon. Ska me ekipe qe mund ti asfaltosh lehte pervec san marinos apo andorras

    Mbreme Kroacia mori nje barazim me Azerbaxhanin..Italia mezi mundi Malten

    Shqiperia duhet te tentoje me cdo kusht fitoren dhe te marr kryesine e grupit!

    I ka te gjitha mundesite!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje