Migrantët njohin atë që lënë, jo atë që i pret...

17 Shtator 2015, 15:45Blog TEMA

Nga Blerta Lazebeu

Kriza e migrantëve tanimë ka marrë përmasa të tilla, sa po analogohet herë me shpërnguljet masive që nga Lufta e Dytë Botërore, herë me eksodin nga luftrat që shoqëruan dhe pasuan shpërbërjen e ish Jugoslavisë. Si popull dhe si shtet, e tëra është déjà vu e përjetuar edhe ndër shqiptarë, qoftë kur u dyndëm përtej detit drejt Italisë, apo më gradualisht, por po kaq masivisht, edhe përtej malit drejt Greqisë, edhe përtej ajrit dhe tokës drejt Gjermanisë, Francës, Anglisë…

Thjesht, jemi ndër ata popuj, që e kemi provuar me lëkurën tonë dhe në lëkurën tonë, se çfarë do të thotë edhe “refugjat”, se çfarë do të thotë edhe “emigrant”. Më thellë akoma, në psikën popullore kemi të memorizuara edhe “këngët e kurbetit”. Me një fjalë, nuk kemi kurrëfarë justifikimi për të bërë të paditurin në kësi lloj përvojash. Kriza e tanishme është padyshim pasojë e një stuhie perfekte krizash, sa financiare dhe ekonomike, aq edhe sociale dhe politike, ku as mjeti diplomatik, as elementi luftarak dhe ushtarak, dukshëm nuk kanë prodhuar atë që pritej, një jetë më të qetë dhe parametra të një rendi demokratik, së paku të vetëmjaftueshëm për të mos eksportuar problemet e brendshme.

Sado optimistë, me shpresa të vagullta, ne sot mund të analizojmë, nëse ky është një kaos që i paraprin rregullit, apo është një ferment demografik, me elementë të dyshimtë hipotetikë, që padyshim, më shumë pritet të ndikojë jetën dhe ekonominë e vendeve pritëse, se sa realitetin që i detyroi të largohen nga vendet e origjinës. Deklarata analitike e Kancelares Merkel, se “ky fluks migrantësh do të ndryshojë realitetin gjerman në të ardhmen”, me siguri do të jetë mantra e arsyes për politikëbërjen, si në rrafshin rajonal, ashtu edhe në rrafshin lokal të vendeve të të njëjtit rajon, atij europian. Po kërkohet një politikë e unifikuar, jo thjesht për faktin dhe arsyen, se nuk mbahet mend të ketë qenë kurrë e tillë, por sepse sfida është tek dera, madje e ka kaluar pragun pa trokitur. Nën këtë prizëm, tani është radha e Z. Juncker të përballet jo thjesht me një mision të trashëguar nga etërit themelues të Europës së Bashkuar, por me një situatë emergjente, ku viktimat e së keqes ikin pa ditur se çfarë i pret matanë. Migrantët dinë mirë atë që lënë, jo atë që i pret. Precedentët e klonit “Urban” me gjemba dhe mirëseardhjes “Merkel” me tenda, janë dukshëm të kundërt, por gjëja më e lehtë në kësi rastesh është të bësh krahasime dhe japësh mend, sa kohë që nuk je vetë pjesë e zgjidhjes.

Ajo që mund të bëjmë si shqiptarë është minimalisht të mos jemi pjesë e problemit, pasi, nëse ndonjëherë do të jemi pjesë e zgjidhjes (si në rastin krejt të ndryshëm të vëllezërve të një gjaku nga Kosova), të jemi të sigurt, se askush nuk do të na lërë të vetëm në pjesën e ngarkesës që eventualisht do të mbajmë, nëse do të… Me pyetjen blic: Sa mund ta absorboni multikulturalizmin si realitet të përditshëm dhe jo si erudicion të marrë hua nga detyra shtëpie të së vetëquajturës Shoqëri Civile?

Shqipëria momentalisht është një vend që prodhon, nuk konsumon migracion. Në rendin e ditës kemi dy çështje, më saktë tre. E para, çfarë do të bëjmë që të mos prodhojmë flukse migratore drejt Europës? Çfarë do të bëjmë me të rikthyerit si “vend i sigurt origjine”? Çfarë do të bëjmë me migrantët-refugjatë, nëse një fluks i mundshëm, gjen rrugën për në vendin tonë? Dy pyetjet e para janë konkrete dhe përgjigjet e padhëna do të duhej t’i kishim siguruar

paralelisht me rrugëtimin integrues drejt Europës, përpara se kjo të na cilësonte me privilegjin e një “vendi të sigurt origjine”. Përtej cinizmit vetëkritik, i bie që jemi një vend me politikanë të sigurt, por një popull i pasigurt. Pyetja e tretë është sa konkrete, aq edhe hipotetike, pasi flukset migratore duket sikur po na bëjnë rikoshet, duke na anashkaluar në flurudhën Turqi-Greqi-Maqedoni-Serbi-Hungari-Destinacion. Po sikur, fjala vjen, Maqedonia të “urbanizohej” dhe jo “merkelizohej”? Atëherë, çfarë do të bëjmë dhe cilën sfidë do të priorizojmë, atë konkrete me vetveten, apo atë të mundshme me të tjerët? Duket sikur problemet janë të kithta, por realisht problematika është e njëjtë. Ajo që lipset të na shqetësojë, është fakti se sa do të jemi në gjendje për të përballuar situatat që po na vijnë rrotull. Rrotull së brendshmi dhe së jashtmi! Pyetjet që një qeveri ngre natyrshëm para vetes janë të tilla si: Si do të respektohen procedurat respektive nga ana e Policisë së Shtetit, në rastin pritjes së refugjatëve potenciale apo të të rikthyerve realë? Sa kapacitete strehuese kemi, si i kemi dhe si do të bëhet menaxhimi i tyre? Çfarë programesh standarde apo specifike ka hartuar Ministria e Punës, Strehimit dhe Mirëqenies Sociale dhe si do të sigurohet zbatimi i tyre në terren? Çfarë kursesh profesionale do të organizohen për trajnimin e refugjatëve, por edhe të të rikthyerve? Cila do të jetë perspektiva afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë për integrimin e tyre në jetën sociale dhe ekonomike të vendit? Tek e fundit, ku e shohin vetveten Ministrita e Arsimit, Ministria e Kulturës, por edhe organet ligjzbatuese në trajtimin rast pas rasti ose në grup të problematikave që lindin nga flukse njerëzore që mund të ndryshojnë relievin demografik dhe antropologjik të vetë shoqërisë shqiptare? Kur ndryshon Europa, do të ndryshojmë edhe ne.

Natyrisht, është e lehtë të thuhet dhe e vështirë të bëhet. Pjesëmarrja është sa çështje vullneti, aq edhe e një fature financiare. Sikur të mos mjaftonin këto, kjo është çështje edhe e kapitalit human, e kapaciteteve administrative dhe e parimit të efiçencës së sistemeve të migracionit dhe azilkërkimit. Janë dobësitë e këtyre sistemeve që sot janë evidentuar më shumë se kurrë, pavarësisht se shkaqet e krizës janë artikuluar si mirëfilli politike. Mirëfilli politike do të jenë si pasojat, ashtu dhe zgjidhjet.

Europa sot po sfidohet me një test prove për vetë vlerat e saj themelore, sikurse janë solidariteti dhe humanizmi. Në pyetje po vihet edhe emri “Europë”, si atribut dhe projekt paqeje e civilizimi. Ka shtete të fuqishme si Gjermania, që në respekt të këtyre vlerave ka hapur dyert e një perspektive tjetër, jo vetëm për një milion refugjatët e mundshëm që s’kanë shumë mundësi zgjedhjeje, por edhe për mbi tetëdhjetë milionët e popullsisë së vet, e cila meriton një mirënjohje historike, tejet domethënëse për vetë historinë traumatike të atij kombi këta 70 vjet nga lufta, por edhe paslufta. Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, “ndër mbi 430.000 aplikime për azil në shtetet anëtare të BE-së që nga Janari, 40 përqind e tyre ka pranuar vetëm Gjermania”. Kusuri i mbetet 27 vendeve të tjera.

Po ne ku jemi? Jo për t’u krahasuar me struktura politike, pjesë e së cilave ende nuk jemi, por thjesht sepse edhe vetë kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi një popull refugjatësh, një popull që meriton të respektohet më shumë nga klasa e vet politike, pa harruar të respektojë vetveten, por dhe tjetrin, sidomos të ndryshmin. Qoftë dhe vetëm me arsye, ftohtësisht pa pasion dhe protagonizëm retorik!

2 komente në “Migrantët njohin atë që lënë, jo atë që i pret…”

  1. B. says:

    Bravo e madhe, analize e sakte.

    1. Ej,,, says:

      Nuk pritej ndryshe nga nje pedagoge aq fisnike dhe me taban, ndonese shume e re. Zoti ta befte mbare kudo qe te jesh!Me rastisi t’ju njoh edhe si gazetare ne radio,edhe si pedagoge. Vertete respekte!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje