Carlos Tevez vijon të shënojë e të fluturojë edhe në Argjentinë me Boca Juniors, e para në kampionat kur kanë mbetur edhe katër javë deri në fund, ndërkohë që Juvja e tij përpëlitet në Serie A. Dhe “Apashi” vuan për “Zonjën”:
“E kam ndjekur dhe po vuaj sepse kam lënë një pjesë të zemrës time atje dhe më bën të vuaj kur e shoh kështu – thotë për momentin e vështirë të bardhezinjve – Por është normale, ka ndodhur një ndryshim i madh dhe duhet patur besim te ky grup”. I ftuar në programin televiziv “La Cornisa”, ish-sulmuesi bardhezi shpjegon: “Kisha dhënë gjithçka për Juventusin, shihja Bocan në vështirësi dhe ndihesha keq, duhej të kthehesha. Çdo ditë ëndërroja të kthehesha të luaja në fushën e “Bombonerës”.
20 MILIONË? JO, FALEMINDERIT! – Për t’u kthyer në shtëpi Tevez ka refuzuar edhe një super konratë në Kinë: “Kam lënë atë që kam lënë dhe fitova lumturinë. Një klub kinez më ofroi 20 milionë euro në vit por paratë nuk ndryshojnë asgjë, kemi lindur lakuriq dhe kështu do të vdesim. Isha larguar 10 vjet më parë dhe më mungonte familja ime, dëshiroja të ndihmoja klubin që dua”.