Si i penalizon azilantët shqiptarë statusi "vend i sigurt"?

30 Shtator 2015, 15:19Blog TEMA
Si i penalizon azilantët shqiptarë statusi "vend i sigurt"?

Alida Beqiraj

Shqipëria, bashkë me Kosovën dhe Malin e Zi, së shpejti do të bëhet pjesë e listës së vendeve të sigurta të origjinës, të paktën për Gjermaninë. Kjo nuk do të thotë që çdo kërkesë për azil e shqiptarëve në këtë vend, do të hidhet në kosh, por që dosjet do të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar dhe  gjasat që një shqiptar të fitojë të drejtën e azilit, do të jenë në minimumin e mundshëm, një pikë në oqean. Vendet pritëse, vecanërisht Gjermania që pret numrin më të madh të refugjatëve (deri në fund të vitit, rreth 800 mijë) me konfirmimin e vendeve të Ballkanit si vende të sigurta origjine, legjitimon kthimin si “pako postale” në vendet e tyre të aplikantëve për azil nga Ballkani Perëndimor.

Sipas “AIDA” (Asylum Information database), një vend i sigurt origjine është një vend ku “garantohet respekti për principet e lirisë, demokracisë, repektimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, ku në mënyrë të qëndrueshme, nuk ka persekutime, tortura,  ndëshkime, trajtime degraduese apo cnjerëzore, nuk ka kërcënime dhune apo konflikt të armatosur”.

Realisht, pasojat e klasifikimit si vend i sigurt origjine janë thelbësore. Aplikantët për azil të këtyre vendeve nuk mund të pajisen me leje qëndrimi të përkohshme për arsye azili. Kërkesa e tyre shqyrtohet nga Zyra për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe Personave pa Shtetësi (OFPRA Office for the Protection of Refugees and Stateless Persons), me një procedurë të përshpejtuar. dhe në rast se aplikanti apelon përgjigjen negative për azil pranë Gjykatës Kombëtare të Azilit, nuk ka efekt bllokues, pra kushtet e qëndrimit të tij nuk ndryshojnë. Kur aplikantët për azil janë kanalizuar me një procedurë të përshpejtuar, nuk akomodohen në qendra pritëse dhe periudhën e pritjes e kalojnë në kushte më të vështira sesa një azilkërkues me procedurë të rregullt. Pra, ata janë të përjashtuar nga skema e rregullt e pritjes dhe nga pagesat e plotë individuale kesh. Duke minimizuar kohën e qëndrimit të aplikantëve për azil nga disa muaj (2 deri në 7 muaj shkon afati i kthimit të përgjigjes për një kërkesë për azil  me procedurë të rrregullt), maksimumi në 9 ditë, vendet pritëse reduktojnë ndjeshëm koston financiare, të paktën për refugjatët që vijnë nga Ballkani.

Pasi qeveritë e vendeve të Ballkanit nuk ia dolën të frenojnë fluksin e refugjatëve që i drejtohen Europës, ka qenë vetë kjo e fundit që ka menduar t’i japë zgjidhje situatës. Fillimisht, ishte presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker që propozoi krijimin e një liste të përbashkët të vendeve të BE-së për vendet e sigurta të origjinës.

Aktualisht janë 12 vende anëtare – Austria, Belgjika, Bullgaria, Republika Çeke, Gjermania, Franca, Irlanda, Luksemburg, Letuania, Malta, Sllovakia dhe Britania – që  kanë listat e tyre kombëtare të vendeve të sigurta të origjinës, ndaj Junker sugjeroi një listë të përbashkët të vendeve të BE-së, ku në vendet e sigurta do të përfshihen Shqipëria, Bosnja, Herzegovina, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia. Në këtë listë mund të shtohen vende të tjera apo mund të hiqen në çdo moment me efekt të menjëhershëm vende që nuk konsiderohen më të sigurta. Pra, kjo listë është e ndryshueshme sipas situatave.

Ndërkohë që diskutohet lista e Junker, (përvec faktit që tingëllon e pavend përfshirja e Turqisë ku partia e kurdëve është etiketuar nga NATO dhe qeveria turke si organizatë terroriste që gjeneron konflikte të armatosura), ka ardhur një propozim më realist nga kancelarja gjermane Angela Merkel, që pritet të miratohet pas pak ditësh në Bundestagun gjerman. Sipas propozimit të Merkelit, Gjermania, si vendi europian që pret numrin më të madh të azilkërkuesve, do të vendosë në listën e saj të vendeve të origjinës tre vende të Ballkanit: Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi. Me logjikën që aktualisht, më shumë se  9 nga 10 kërkesa për azil që vijnë nga Ballkani Perëndimor po refuzohen, Gjermania zgjedh të zyrtarizojë shqyrtimin kalimthi, me procedurë të përshpjetuar dhe të ndalet vetëm në ato pak raste që godasin, raste ku bëhet fjalë për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut apo raste të mirëfillta persekutimi. 

Por a është i drejtë ky propozim? A është Shqipëria realisht një vend i sigurt origjine? Natyrisht, përballë sirianëve që vijnë nga gjendja e luftës dhe e kanë të justifikuar nga konflikti i armatosur suksesin e kërkesës për azil, shqiptarët, ballkanasit në përgjithësi, i kanë minimaliste provat për të fituar të drejtën e azilit. Por, kjo nuk do të thotë se rastet që vijnë nga Ballkani, nuk duhet të shqyrtohen me seriozitet maksimal dhe gjasat që këtë seriozitet ta garantojë procedura e përshpjetuar e shqyrtimit, janë të pakta.

 

Vetë përqindja e vogël e pranimeve të kërkesës për azil të shqiptarëve (qoftë edhe para vërshimit të refugjatëve sirianë në Europë) tregon që kërkesat për azil janë “të padenja” për ta fituar atë. Mund të jetë e vërtetë që shumica e shqiptarëve shkojnë në Gjermani për arsye ekonomike, që nuk na kanoset ndonjë rrezik lufte siç po u ndodh sirianëve, por kjo nuk na bën domosdoshmërisht një vend të sigurt origjine. A jemi ne një vend ku nuk diskriminohen minoritetet, komuniteti LGBT, ku garantohet respektimi i ligjit, liritë themelore e të drejtat e njeriut?  Në fakt, duhet të jemi. Jemi një vend kandidat për në BE që përmbush kriteret e Kopenhagenit  – që garanton demokracinë, respektimin e ligjit, të drejtat e njeriut, respekt dhe mbrojtje për minoritetet.

Nëse propozimi për futjen e Shqipërisë në listën e vendeve të sigurta, qoftë edhe vetëm nga Gjermania, verbalizohet, na përmirësohet ndjeshëm imazhi dhe na vlen si parathënie e mirë në sytë e Europës ndërsa presim hapjen e negociatave. Me hir – nëse marrim të mirëqenë faktin se jemi realisht vend i sigurt, apo me pahir – nëse vendimi për të qenë vend i sigurt, i ka lind Europës nga nevoja për të na mbajtur jashtë kufijve – Shqipërisë i vlen realisht edhe për faktin se në këtë mënyrë, reduktohen ikjet nga vendi të moshës mesatare, të aftë për punë.

Kjo është ana pozitive e të parit të çështjes, ndërsa ekstremi tjetër është ai që shtrohet për diskutim nga organizatat e të drejtave të njeriut, njëra prej të cilave “Amnesty International”: aktivistja e “AI”,  Iverna McGowan thotë se “statusi i refugjatit përcaktohet nga rrethana individuale, çka do të thotë që asnjë vend origjine nuk mund të përkufizohet si “i sigurt”.

4 komente në “Si i penalizon azilantët shqiptarë statusi “vend i sigurt”?”

  1. beni says:

    Ka aq e shum refugjate sa nuk mundet me te perballojn vende si shqipria kosova apo mal i zi ku faktikisht nuk ka lufte,nuk ka persekutim politik pavarsisht se ne shqiptaret e njohim shum e shum me mir gjendjen politike e sociale te vendit qe shteti shqiptar esht privatizuar ne duart e disave dhe bota e njef por nuk reagon sepse nuk esht ne kopetencen e saj tu zgjidh ceshtjet shqiptarve ku populli esht qor dhe frikacak per te sjell ne krye njerez qe e meritojn te qeverisin,!
    Telekomin ja u moren,aerodromin tani portin e me von ……? Pra lindin interesa nem te te mbaj….dikush nuk e kupton!

  2. harsen says:

    kjo eshte politik e qrveris shqiptare se deklaron sene shqiperi eshte parajsa bile mundesisht edhe vet gjermaanet te vin ne shqiperi se edhe ilacet i kemi me super specjale mund te vdesesh pa thimbje kete ta siguron qeveria shqiptare falas

  3. bledi says:

    Nuk ka ndonje gje te pabesueshme ky lajm kur Franca e ka aplikuar disa here kete ligj.Bile sa per dijeni nuk jane vendet e evropes qe na konsiderojne te tille po jane ministrat e jashtem te vendeve perkatese qe kur trokasin ne evrope firmosin pa kushte letrat qe i nxjerrin ne tavoline .Pra per te fituar pike ne aplikimet per antarsim ne evrope ministrat dhe kryeministrat thone qe kemi shtet dhe plotsojme normat.Evropes i vjen mire dhe firmos letra pra per hir te politikes qe te fitojne zgjedhje ne dalim te zhvilluar.Cikel vicioz.Per kosovaret ishte me mire Sllobodani sesa Thaci se ne kohen e SLLOBOS kishin shtepi ne mes te BERLINIT BRUKSELIT PARISIT VJENES ,merrnin dhe leke dhe dergonin ne Kosove aq sa ndertuan vila e rriten femite me marka e franga qyl.Njelloj dhe per SHqiperine koha e ambasadave dhe diktatures ishte me mire per ata qe ishin ne Evrope.EDHE Sala si Sllobo ishte me mire se Edi apo THaci gjithmone ne aspektin e letrave per Azilkerkusit.Konkluzion ec gjeje cfare te kerkosh

  4. niger jani says:

    kjo vajze vuan nga semundja e shekullit:diplomimi i pakontrolluar kronik.Por kemi nje mundesi qe te gjithe shqipetaret te shkojne ne Gjermani duke e bere vendin tone si Siria.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje