Edhe Petrit Vasili flet për ndryshime në qeveri. Taulant Balla: Mbështes vendimin e kryeministrit

6 Tetor 2015, 18:24Politika TEMA

Drejtuesit e lartë të LSI-së këmbëngulin për ndryshime në qeveri.

Pas deklaratës së djeshme të kreut të LSI-së, se duhen ndryshime në qeveri, sot kanë qenë drejtues të tjerë të lartë të LSI-së, që e kanë kërkuar këtë gjë.

Fillimisht ishte ministry Nasip Naço dhe më pas Petrit Vasili.

Ky i fundit ka thënë se ndryshimet duhet të bëhen për të përballuar krizën.

“Gjithmonë një qeverisje ka nevojë për impulse, për frymëzim.

Nga aksionet, reformat që ndërmerr, sepse përballja me problemet ekonomike, konteksti i krizës që rrethon rajonin, pritshmëritë e mëdha që publiku ka, një pushtet i ri vendor që u vendos pas 21 qershorit, kërkojnë ritme të larta, arritje.

Për këto ka nevojë për impulse të vazhdueshme.

Ai që punon dhe monitoron në mënyrë të vazhdueshme punën e kabinetit është kryeministri.

 Ai konkludon kur shpreh vlerësimet e tij dhe nëse ka rezerva është në tagrin e tij për të bërë ndryshime.

Ne do ta mbështesim politikisht me të gjithë fuqinë e mandatit që kemi, që qeverisja të jetë efiçente dhe e mirë”,  deklaroi Vasili për News 24.

Por PS nga ana tjetër vazhdon të shprehet kundër ndryshimeve.

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla qëndroi në një linjë me kryeministrin Edi Rama, kur tha se nuk është koha për ndryshime në qeveri.

I ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 Balla tha se prioritet i këtij sesioni nuk janë ndryshimet në qeveri, por reforma në drejtësi.

 “Është koha ta përmbyllim në mënyrë urgjente…Fokusi publik duhet të jetë tek reforma në drejtësi pasi ka një përpjekje të SHQUP për t’i zhvendosur fokusin nga kjo çështje. Unë mbështes vendimin e kryeministrit në lidhje me ndryshimet në qeveri”,­ shtoi Balla.

Ndërsa për numrat që i duhen mazhorancës me qëllim miratimin e ndryshimeve kushtetuese për reformën e drejtësisë, Balla tha se ka mjaft deputetë nga opozita që do ta votojnë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje