Pabarazi në rritje, jetesë më e varfër (Grafikët)

13 Tetor 2015, 17:46Sociale TEMA

Nga Gjergj Erebara

Konsumi mesatar i familjeve shqiptare ka qëndruar në vend numëro, që nga viti 2007, duke shënuar shtatë vjet stanjacion, por në të njëjtën kohë, pabarazia në konsum mes të pasurve dhe të varfërve është shtuar, gjë që do të thotë se të varfërit jetojnë sot më keq nga sa jetonin në vitin 2007.

Të dhënat e Institutit të Statistikave të nxjerra nga Anketa e Buxhetit të Familjeve, një vrojtim kombëtar i kryer vitin e kaluar dhe i publikuar së fundmi, tregojnë se konsumi mesatar mujor i familjeve shqiptare për vitin 2014 qe 69 mijë lekë në muaj. Në krahasim me vitin 2007, konsumi final nuk ka pësuar ndryshime. Por ndërsa konsumi total ka mbetur në stanjacion, gjë që sakaq është tregues shumë i keq për një vend të varfër, statistikat sugjerojnë se brenda konsumit total vërehet një rënie dramatike e shpenzimeve për Ushqim, pije dhe restorante si dhe një rritje të konsiderueshme në disa zëra ku çmimet janë të kontrolluara. Psh, shpenzimet për banesën, ujin, energjinë elektrike dhe qiranë janë rritur me 19 për qind në periudhën nga viti 2009 deri më 2014. Shpenzimet për shëndetin janë rritur me 85 për qind, transporti me 25 për qind apo arsimi me 118 për qind.

Shkurt, shifrat sugjerojnë që shqiptarët janë detyruar të kursejnë aty ku munden ndërkohë që janë përballur me kosto shtesë në mallra dhe shërbime të cilat, në shumicë, kanë çmime të ndikuara nga taksat, ose nga konkurrenca e kufizuar. Psh, konsumi në restorante dhe hotele ka rënë me 33 për qind nga viti 2009 deri në vitin 2014, por shpenzimet për transport janë rritur me 25 për qind, për shkak se çmimi i naftës ka pësuar rritje të vazhdueshme nga viti 2009 deri më 2014.

Nga ana tjetër, shpenzimet për veshje dhe këpucë kanë ardhur në rënie të vazhdueshme por shpenzimet për qira, ujë, energji elektrike apo shërbime bashkiake pastrimi janë rritur me 19 për qind.

Shpenzimet që janë shtuar më shumë për familjet shqiptare gjatë periudhës 2009-2014 janë shpenzimet për arsim, të cilat janë shtuar me 118 për qind, pasuar nga shpenzimet për shëndetësi, të cilat janë shtuar me plot 85 për qind.

Shqiptarët shpenzuan 44 për qind të buxhetit të vet familjar për ushqime në vitin 2014, ndërsa shtëpia dhe faturat u hëngrën 10 për qind pasuar nga transporti me 6.8 për qind.

Konsumi mesatar i familjeve shqiptare nuk merr parasysh luhatshmëritë mes grupeve të niveleve të ndryshme të mirëqënies. Për të bërë të qartë diferencën, INSTAT ka ndarë veçmas konsumin e familjeve që i përkasin 10 përqindëshit të pasur të shoqërisë në krahasim me pjesën tjetër. Kjo ndarje të mundëson të shohësh se 10 përqindëshi i shqiptarëve të pasur kanë shpenzime mesatare mujore prej gati 61 mijë lekësh për frymë ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë ka konsum mesatar prej 17 mijë lekësh. Rrjedhimisht, 10 përqindëshi i pasur ka konsum 3.6 herë më të lartë se sa pjesa tjetër e shoqërisë.

Fakti tjetër është që përgjatë viteve 2009-2014, konsumi i 10 përqindëshit të pasur të shoqërisë është rritur me mbi 20 për qind, ndërkohë që konsumi i pjesës tjetër të shoqërisë për frymë është rritur me 8.9 për qind. Familja shqiptare është zvogëluar ndjeshëm përgjatë pesë viteve për nga numri i anëtarëve për arsye që nuk shfaqen në vrojtim, por që mund të ketë lidhje me emigrimin masiv. Një pjesë shumë e madhe e pabarazisë dallohet se lidhet edhe me faktin që familjet e pasura janë zvogëluar në numër mesatar anëtarësh më shumë se sa pjesa tjetër e shoqërisë.


Pabarazia dallohet edhe nga njëri qark i Shqipërisë në tjetrin. Sipas INSTAT, ndërsa konsumi mesatar mujor i familjeve është 69 mijë lekë në të gjithë territorin e Shqipërisë, në Tiranë konsumi është gati 82 mijë lekë për familje në muaj ndërsa në Elbasan është 53 mijë lekë në muaj. Sipas të dhënave të këtij vrojtimi, aktualisht Korça, Vlora dhe Elbasani janë zonat më të varfëra në Shqipëri ndërsa Shkodra, Lezha dhe Tirana janë më të pasurat.

8 komente në “Pabarazi në rritje, jetesë më e varfër (Grafikët)”

  1. Clarise says:

    Asnje koment?!!

  2. Edi Rama says:

    Genjeshtra!

  3. Martin says:

    Tallni k..n juve mor?!?

    Shpenzimi mesatar mujor 69 mije leke ose 500 euro?!?

    Ne Shqiperine e vitit 2015 shpenzimi mujor mesatar nuk kalon 100 Euro!

    O PLEHRAT E INSTATIT MAVI!!!

    PO GENJENI ME SHUME SE INSTATI BERISHES!!!

    Prandaj nuk ia kalon Edvini INSTATIN parlamentit qe te mashtroje popullin sa me shume!

    PLEHRA!

    1. paradoxal says:

      Aq eshte shpenzimi per pjesen e te pasurve (ata qe hyjne ne 10% e me te pasurve ne Shqiperi). Pjesa tjeter (shtresa e mesme dhe e varfer mesatarisht) harxhon 17 000 ne muaj. Pra 3.6 here me pak se shtresa e pasur. Qe eshte pak a shume sa the ti, 100 euro ne muaj….

      Katastrofe…

  4. tifozi i tirones says:

    mut do te hame dhe futboll do te ndjekim

  5. tfgs1 says:

    prandaj dhe ”i gjati” serb u dhemb shume………….mizeria dhe sunite autochtons nuk shkojne!

  6. Bond says:

    Mire qe konsumi ka mbetur ne vend (pra shpenzohet njesoj per familje ne vitin 2014 si ne vitin 2007)! Por edhe sikur t’a marrim te mireqene shifren e konsumit prej mesatarisht 69,000 Leke per familje (???), duhet thene qe cmimet per ushqime, etj. jane rritur vazhdimisht nder vite (sidomos pas vitit 2005) dhe kjo nund te verifikohet lehtesisht!
    Pra shqiptaret sot padyshim me po aq leke blejne shume me pak produkte se 7-8 vjet me pare. Ky eshte nje tregues shume i rendesishem dhe i qarte i ‘mbrekullise ekonomike’ te rregjimit te Berishes! Eshte e cuditshme dhe cinike qe ‘ekonomistet’ e Tij vijne ende verdalle sot neper media, bile dhe japin ‘mend’!

  7. Jack says:

    Per kopetentin Erebara, qe bene shkence me ca anketa qe zhvillohen ne Shqiper, do te interpretoja si shenja shume te mira:
    Renie e shpenzimeve per alkol e duhan.
    ritje e shpenzimeve per uje e drita. Shqipetaret po e kuptojne qe cdo gje qe perdoret duhet paguar.
    Shpenzimet per transport jane rritur. Shqiptaret udhetojne gjithnje e me shume jashte shtetit.
    Shpenzimet per ushqim perbejne nje perqinde me te vogel. Kjo tregon qe shqiptaret kane paksuar buken, per arsye elegance. Qytetet e shqiperise jane mbushur me obeze.
    Apo jo kopetent erebara?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje