Kongresi i autoriteteve lokale, Zgjedhjet ,Veliaj: Të parat me hartën e re administrative, rritëm kuotat për gratë

21 Tetor 2015, 12:18Politika TEMA

Shqipëria mbështet plotësisht vëzhgimet pozitive të Këshillit të Europës dhe është e kënaqur që misioni ka dalë në përfundimin se në zgjedhjet vendore e 21 qershorit 2015 ka pasur progres krahasuar me ato të vitit 2013. Ky është vlerësimi i bërë sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në Këshillin e Europës, gjatë punimeve të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale, ku u diskutua raporti i misionit të vëzhguesve të KiE për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi rëndësinë e zgjedhjeve të 21 qershorit, pasi ishin zgjedhjet e para sipas ndarjes së re territoriale në vend, si dhe shtoi se u respektua kuota gjinore, ndërsa votuesit treguan maturimin e tyre duke vlerësuar platformat e secilit kandidat.

“Misioni i vëzhguesve ka kryer një punë të shkëlqyer, duke identifikuar zonat ku është bërë progres, por edhe zonat shqetësuese, çështjet që duhen zgjidhur dhe plotësuar. Ne mbështesim vëzhgimet pozitive dhe jemi të kënaqur që misioni ka dalë në përfundimin se në këto zgjedhje ka pasur progres krahasuar me ato të 2013. Procesi elektoral ka qenë i qetë dhe i rregullt, ndërsa fushata zgjedhore ishte qytetare. Ne jemi shumë krenar që kemi plotësuar një nga kërkesat kryesore për kuotat gjinore. Si kryetar i Bashkisë së Tiranës jam i lumtur që në Këshillin tonë Bashkiak ka më shumë gra se burra”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi se zgjedhjet e 21 qershorit ishte të rëndësishme jo vetëm si një test për demokracinë në Shqipëri, por kanë shënjuar edhe një moment përcaktues në historinë e enteve lokale, pasi kanë qenë të parat që u organizuan mbi bazën e reformës së re territoriale. “Kjo tregon pjekurinë e votuesve që kanë votuar në bazë të kandidatëve dhe platformave të tyre dhe jo duke ndjekur verbërisht linjat partiake. Duhet vënë, po ashtu, në dukje, se Shqipëria po bën reforma për entet lokale, si strategjia e re e decentralizimit 2015-2020, është aprovuar një ligj i ri, është hartuar dhe i është prezantuar Këshillit të Evropës dhe Kongresit për të marrë opinionin”, shtoi ai.

Teksa solli në vëmendje se Shqipëria ka ndërmarrë disa reforma të rëndësishme, kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se këto reforma iu janë dërguar Këshillit të Europës për opnion dhe do të kërkohet ndihmë për të përmbushur të gjitha detyrimet. Ai vlerësoi punën e bërë nga Kongresi gjatë shumë viteve, sidomos për vendosjen e demokracisë në Europë. “I jemi mirënjohës Kongresit dhe anëtarëve të saj të kaluar apo dhe aktual, sidomos edhe për zhvillimin e qeverive lokale në vend. Shumë punë duhet bërë në mënyrë që qeveritë lokale në Shqipëri të arrijnë në nivelet e atyre në Europë”, tha Veliaj.

Ndërkaq, raportuesi i KiE-së për zgjedhjet vendore në Shqipëri, Steëart Dickson, deklaroi se zgjedhjet e 21 qershorit 2015 konsiderohen si një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të ambientit politik në Shqipëri. “Në ndryshim nga zgjedhjet e mëparshme, fushata ishte paqësore, qytetare dhe procesi i votimit ishte i organizuar mirë. Përveç disa incidenteve të izoluara ka pasur një qetësi dhe rregull kudo”, deklaroi Dickson. Ai theksoi se zgjedhjet në qershor kanë qenë të parat pas reformës territoriale, gjë që solli një reduktim nga 373 komuna e bashki, në 61 njësi administrative dhe ky riorganizim ishte pozitiv.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje