Një aksident automobilistik, më tragjiku prej 33 vitesh në Francë, ku bilanci u regjistrua në 42 të vdekur mëngjesin e sotëm në jugperëndim të Francës pas përplasjes së dy automjeteve të cilat më pas u mbuluan nga flakët.
Pjesa më e madhe e viktimave rezultojnë persona të moshës së tretë që ndodheshin në autobus për një udhëtim turistik të organizuar. Ky aksident është cilësuar si katastrofa më e rëndë rrugore prej 33 vitesh në Francë.
Aksidenti u shkaktua në komunën Puisseguin, në rrugën dytësore me panoramë piktoreske nga vreshtat Saint-Emilion. Të dy automjetet pas përplasjes u përfshinë në flakë, saktësuan zjarrfikësit.
“Kam shquar së largu një re tymi, aksidenti është shkaktuar në fshat, në një kthesë të mprehtë, një zonë e rrezikshme e quajtur “Burimi i dhelprës”, dëshmoi një banore e zonës aty pranë, Yvette Seguy, për stacionin televiziv “i-Télé”.
Presidenti francez, François Hollande i cili ndodhet në vizitë zyrtare në Athinë, deklaroi se qeveria franceze është totalisht e mobilizuar në lidhje me këtë tragjedi të tmerrshme.
“Kjo është një goditje e tmerrshme për Francën, një katastrofë e dhimbshme”, deklaroi kryeministri Manuel Valls i cili ishte i pranishëm në vendngjarje mëngjesin e sotëm me ministrin e Brendshëm, Bernard Cazeneuve atë të Transporteve Alain Vidalies. Përfshirja e medias në vendin e aksidentit është ndaluar për shkak të nisjes së hetimit.
Nuk përjashtohet mundësia që kreu i Shtetit i cili ka shprehur keqardhjen e tij më të thellë përballë këtij aksidenti të tmerrshëm, të vizitojë vendin e aksidentit sapo të kthehet në Francë.
Në bordin e autobusit ndodheshin 48 pasagjerë. Drejtuesi i kamionit të transportit të lëndëve drusore i cili udhëtonte pa ngarkesë rezulton në mesin e viktimave.
“Drejtuesi i autobusit ka marrë plagë të lehta. Ai ka reaguar më së miri duke hapur dyert për të mundësuar daljen e pasagjerëve”, deklaroi kryetari i Bashkisë Puisseguin, Xavier Sublett, dhe media e pranishme në vendngjarje.
Referuar kryebashkiakut, drejtuesi i kamionit kishte humbur kontrollin e automjetit. Kamioni është zhvendodur në mesin e rrugës duke mos mundur shmangien e aksidentit nga ana e drejtuesit të autobusit.