Partia Demokratike ka zhvilluar analizën e humbjes së zgjedhjeve të 21 qershorit në degën e Beratit, mes debateve të ashpra dhe akuzave.
Të deleguarit e “selisë blu” në Berat, Edmond Spaho, Enno Bozdo, deputeti Genc Pollo e Astrit Veliaj janë përballur me kritika të ashpra me bazën e partisë, por ka pasur edhe akuza të ndërsjellta midis tyre.
Teksa është folur për arsyet e humbjes, në debat është përshirë edhe deputeti i Qarkut të Beratit, Astrit Veliaj, i cili akuzoi drejtuesit e PD-së se kanë marrë ryshfet në këmbim të futjes së emrave në listën e këshilltarëve të PD-së.
“Keni marrë 1500 euro për një vend në këshill bashkiak”, i është drejtuar Veliaj, grupit të punës, i cili kryesohej nga Spaho dhe Pollo, raporton Shekulli.
Teksa i është kërkuar që të sqarojë këtë deklaratë gjatë analizës, Veliaj ka thënë se nuk është i rëndësishëm publikimi i emrave, por sipas tij, ky është një fenomen që ka ndodhur dhe është e pamohueshme.
“Nuk kanë rëndësi emrat por ajo që ka ndodhur.
Është e vërtetë që kandidaturat e këshillit janë shitur dhe të gjithë e dinë se kush i përcaktoi kandidaturat e Beratit, kur kryesia e PD-së u anashkalua hapur.
Por kjo nuk është gjë, para kandidimit të komunistëve të njohur në listat e PD-së.
Por edhe kjo duket pak po të kemi parasysh që njeri prej tyre ka qenë i dënuar në Itali për afera kriminale”, është shprehur Veliaj.
Më tej deputeti demokrat ka këshilluar demokratët se nuk mund të vijnë në pushtet pa i zgjidhur këto probleme.
“Nëse nuk themi të vërtetën siç është, dhe nuk i rregullojmë problemet që kemi, ne nuk mund të vijmë kurrë në pushtet. Le të mërzitet kush të dojë. Është e qartë që pushteti ka rënë por nuk ka kush ta marrë”, ka thënë Veliaj.
Pollo nga ana tjetër ka thënë se baza nuk bashkëpunoi me të dërguarit që PD-ja kishte në këtë qark.
Por deklarata e Pollos për të hequr përgjegjësinë nga koordinatorët dhe kryetari i degës nuk është pritur mirë nga anëtarët e kryesisë. Ata e kanë cilësuar këtë, një përpjekje për t’i ngarkuar përgjegjësinë bazës.
“Ka një përpjekje prej të dërguarve nga qendra e PD-së për t’i lënë fajin e dështimit në Berat, bazës. Por kjo nuk është e vërtetë, sepse votat kanë treguar se ne kemi pasur një rritje të madhe dhe ky ka qenë maksimumi ynë. Ndërsa ne kemi vërejtje për koordinatorët që janë caktuar në Berat. Më shumë e kanë dëmtuar, se sa e kanë ndihmuar”, mësohet të ketë thënë Arenc Berati.
eh more Pollo cte duhet ty ore te beheshe me PD.Te dy prinderit i ke patur komunsta.