Procedurat tatimore ‘i nxijnë’ faqen Panairit të Librit 2015

6 Nëntor 2015, 18:31Kulturë TEMA

Rreth njëqind subjekte ekspozuese do të jenë pjesë e traditës së Panairit të 18 të Librit që organizohet çdo nëntor në Tiranë. Por nën frymën e procedurave tatimore të rrepta duket se aspekti kulturor i këtij eventi është lënë në plan të dytë prej detyrimeve të biznesit.

Sipas botuesve ata janë paralajmëruar që të ndjekin rregulloren dhe se do të trajtohen si çdo subjekt tjetër tregtar në rast shkeljesh. Gjithashtu botuesit thonë se presin kontrolle të vazhdueshëm gjatë aktivitetit.

Sipas një emaili të nisur botuesve nga grupi organizues i panairit 2015, të cilin BIRN e ka parë, “të gjithë subjektet ekspozuese që do të jenë në Panairin e 18 të Librit duhet të pajisen me NIPT sekondar, me adresë të përcaktuar: Pallati i Kongreseve, Tiranë”.

Ata gjithashtu duhet të sigurohen të jenë të pajisur me kasën fiskale, të kenë faturat tatimore të mallit që furnizojnë në panair dhe të kenë përmbushur të gjitha rregullat e deklarimit të personave që do të qëndrojnë në stenda. Po ashtu, çdo mbrëmje do të deklarojnë fitimet në faqen online të Drejtorisë së Tatimeve.

“Procesi i pajisjes me NIPT sekondar është përfunduar dhe momentalisht po presim të pajisemi me kasën fiskale për këtë Panair,” tha për BIRN stafi i Shtëpisë Botuese Toena, një nga pjesëmarrëset e panairit të këtij viti.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, tha për BIRN se procesi i pajisjes me NIPT sekondar gjashtë-ditor për shtëpitë botuese pjesëmarrëse në panair është përfunduar.

“Situata është shumë normale, të gjithë subjektet ekspozuese do t’i përmbahen ligjit,” tha Ymeri për BIRN. Megjithatë ai pranoi se procedurat e këtij viti nuk janë ndjekur në Panairin e Librit 2014.

Por jo të gjitha shtëpitë botuese të pranishme në panair do të duhet të pajisen me NIPT sekondar apo kasa fiskale.

“Botuesit nga Kosova apo Maqedonia nuk do i përgjigjen sistemit fiskal shqiptar,” shtoi Ymeri.

“Asnjë botues nuk është tërhequr nga panairi prej masave të kërkuara,” tha ai.

Por frika te shtëpitë botuese mbetet e pranishme. Ato konfirmojnë se po bëjnë të gjitha procedurat që të jenë konform detyrimeve ligjore, por thonë se ndjejnë një lloj ankthi për mundësinë e ndëshkimit në rast të shkeljeve aksidentale.

“Detyrimet e shumta që kemi përsipër po e rrudhin lirshmërinë e librit dhe të panairit. Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë gjatë këtij panairi, por nëse shohim se ambienti bëhet i padurueshëm atëherë do ta ndërpresim pjesëmarrjen,” tha për BIRN, botuesi i Pika Pa Sipërfaqe.

“Libri nuk është biznes i gjithë të tjerat, pasi botimi i librit artistik nuk na gjeneron fitime të mëdha, por është më tepër një aktivitet kulturor që bën bashkë  lexuesit, shkrimtarët, botuesit dhe përkthyesit,” shtoi ai.

Një tjetër problem për shtëpitë botuese gjendet brenda hapësirës së stendave të tyre.

Personat që do të qëndrojnë në këtë hapësirë duhet të jenë të deklaruar dhe të pajisur me kontrata pune.

“Secila shtëpi botuese do të përgjigjet vetë për personat që ka në stendat e saj dhe duhet t’i pajisin ata me kontrata pune të përkohshme”, tha për BIRN kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.

Megjithatë shtëpitë botuese të kontaktuara nga BIRN, të frikësuara për të dhënë deklarata zyrtare, thanë se kjo do t’i pengojë anëtarët e familjes, të cilët i kanë ndihmuar vullnetarisht përgjatë viteve për mbulimin e orëve maratonë të panairit nga mëngjesi në mbrëmje.

Panairi i Librit Tirana 2015 do të mbahet nga data 11 deri më 15 nëntor në mjediset e Pallatit të Kongreseve.

7 komente në “Procedurat tatimore ‘i nxijnë’ faqen Panairit të Librit 2015”

  1. hasan says:

    Ku eshte nxirja o gazetar idiot? Fati i keq i gazetave online eshte se lexohen kryesisht nga emigrane jashte Shqiperise ku jeta e perditshme ka standarte shume te larta krahasuar me Shqiperine, perfshi edhe gazetat. Prandaj ju gazetare kafenesh duhet te dilni nga gjirizi ku jetoni dhe te ngriheni profesionalisht dhe moralisht.

    1. arkitektja says:

      Mire do bejne tatimoret.Nje pjese e librave botohen per biznes pa letersia ka ngordhur me kohe

      1. Cubi says:

        Me mire te na hane egersirat pa shtet sesa Egersira shtet

  2. A says:

    Ky eshte nje tjeter turp i radhes i qeverise se RILINDJES, i qeverise te PS-se me mender Kryeminister EDI RAMA.
    Shoqata e Botuesve Shqiptare ka marre pjese edhe ne Panairet e Librit neper Evrope, kaq problem e kane qe te zbatohet rregullorja e tyre per keto loj aktivitetesh. Mund te behet edhe kjo tjetra mund te merren eksperiencat dhe rregulloret e aktivitetit te Panaireve Kombetare te Shteteve te tjera qe kane tradita te vjetra ne kete fushe.
    Ka ardhur koha qe EDI RAMES, qeverise se tij, ti jepet nje grusht dermues me kete rast, si minues dhe shkaterrues i kultures shqiptare. Me nje ane vazhdon shkaterrimin e arsimit publik dhe per kete u gjuajt me VEZE. Ne kete rast duhet gjuajtur me kulture dhe me libra kokes, kete fare perversi dhe debili.
    Ne anen tjeter ndalon punen VULLNETARE dhe NDIHMESEN qe MUND te JAPIN FAMILJARET e shtepive botuese per kete panair dhe anen tjeter ky fare debili EDI RAMA dhe ministrat e tij rrondokop kerkojne PUNE VULLNETARE ne AKTIVITETE e TYRE.
    Pra, kemi qeveri me dy standarte,kerkojne pune vullnetare per te tjeret, kurse per vete kerkojne privilegje dhe nuk bejne asnje pune pa ryshfet, pamvaresisht se paguhen per punen qe bejne.
    TURP, TURP.

  3. Arber says:

    Botuesit shqiptare duhet te jene pasanike te medhenj perderisa bejen panaitr ne Pallatin e Kongreseve ke qira marramendese.

  4. pjatalarsi says:

    Pra, botuesi i librit ka paguar taksen 20 perqind te sasise se materialit qe ka blere per librat e botuar. Shitesi i dyqanit paguan taksen 20 % te librit te shitur!
    Organizuesit e panairit i paguajne shtetit taksen 20% te shumes qe kane marre nga pjesmarresit ne panair (kryesisht shtepi botuese keto). Keta pjesmarres ne panair duhet ti paguajne tani shtetit serish 20% te shitjes se cdo libri me kase shitje! Ne bote nuk ndiqet kjo metode, as per librin e as per ushqimet dhe produktet e tjera.

  5. adriana says:

    panairi nuk do te thote treg. Aty vetem reklamohen publikimet, lidhen kntrata etj, por asnjehere nuk kthehet panairi nw dyqan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje