Mazniku: Gjendja financiare në Bashkinë e Tiranës, e ngarkuar me borxhe të trashëguara

10 Nëntor 2015, 12:17Sociale TEMA

Njësia Bashkiake nr. 9 ka qenë stacioni i radhës i turit të Bashkisë së Tiranës për prezantimin e projektbuxhetit të vitit 2016. Nënkryetari Arbjan Mazniku zhvilloi një takim të hapur me banorët e kësaj zone, ku u diskutua për mundësitë konkrete që ofron projektbuxheti i vitit të ardhshëm dhe mbështetjen financiare për prioritetet e zonës. Në fjalën e tij, Mazniku u ndal në situatën makro të projektbuxhetit, duke folur fillimisht për gjendjen financiare në të cilën e la Bashkinë administrata e shkuar, si dhe projektet madhore që pritet të nisin vitin që vjen.

Duke u ndalur te financat e bashkisë, ai tha se gjendja në të cilën u gjet Bashkia e Tiranës ishte mbushur me borxhe dhe fatura të papaguara për punë të kryera dhe për punë të kontraktuara dhe të parealizuara. “Situata, për fat të keq, nuk është e mirë. Qyteti e ka gjendjen financiare të ngarkuar, me shumë borxhe nga e kaluara. Kemi bërë një inventar të totalit të të ardhurave dhe shpenzimeve. Vit pas viti borxhet kanë zënë borxhin dhe sot gjendemi në një situatë, ku totali i borxheve të bashkisë është 4 miliard lekë. Kjo, pothuajse, sa një buxhet i bashkisë në një vit të tërë”, tha Mazniku. Ai shtoi se në vitin 2015 bashkia kishte planifikuar 7 herë më shumë investime se sa buxheti vjetor i bashkisë për këtë zë.

Ndër masat që ka marrë Bashkia për të përmirësuar financat e veta, Mazniku ka përmendur se veç një administrimi shumë më efiçent të buxhetit, do t’i kushtohet një rëndësi e veçantë forcimit të administratës tatimore. “Një pjesë e njerëzve i paguajnë detyrimet e tyre ndaj qytetit, një pjesë nuk i paguan. Të gjithë njerëzit, detyrimet që kanë ndaj qytetit duhet t’i paguajnë në mënyrë të drejtë. Gjatë këtyre dy muajve, të ardhurat e zyrës tatimore janë pothuajse dyfishuar. Nga funksionimi i duhur i administratës tatimore të ardhurat e qytetit janë rritur në mënyrë të ndjeshme, duke shëndoshur buxhetin e familjes tonë të përbashkët”, u shpreh Mazniku.

Gjithashtu, për përmirësimin e situatës financiare, ai ka bërë të ditur se do vijë në ndihmë edhe krijimi i Agjencisë Tirana Parking, e cila do sjellë të ardhura shtesë në arkën e bashkisë. Nënkryetari i Bashkisë prezantoi gjithashtu, edhe 5 projektet madhore që Bashkia e Tiranës do të mbështesë financiarisht që në vitin e ardhshëm dhe që do kenë impakt te të gjithë qytetarët. Më konkretisht, ai ka përmendur projektin e Pazarit të Ri dhe sheshit “Avni Rustemi”, projektin e Parkut Qendror të Tiranës, Unazën e Vogël të Tiranës, rikonstruksionin e sheshit “Skenderbej” dhe parku i madh i Liqenit.

Lidhur me projektet dhe punët që do mbështeten financiarisht vitin e ardhshëm në mënyrë konkrete për Njësinë Administrative nr. 9, u përmendën përmirësimi i infrastrukturës arsimore dhe rrugore. Përveç faktit se kjo njësi përfshihet në projektin e Unazës së Vogël të Tiranës, Bashkia e Tiranës ka planifikuar të investojë në këtë zonë edhe në rehabilitimin e lulishtes në bllokun ‘Mine Peza’, një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit, dhe në sistemimin e trotuareve të rrugës “Ded Gjo Luli”. Gjithashtu, do të ketë ndërhyrje në rrugën “Don Bosko”, e cila përfshin kanalizimin e ujërave të zeza dhe ka pasur një problematikë të madhe ndër vite, si dhe rehabilitimin e trotuareve.

Me buxhetin e vitit 2016, do të bëhet rikonstruksioni i rrugës “Ibrahim Ndroqi”, si dhe do të vendoset shërbim urban në rrugën “Jordan Misja”. Në fushën e arsimit, bashkia do të kërkojë ndihmën e Fondin e Zhvillimit të Rajoneve ose edhe nëpërmjet partneriteteve publike-private, për ndërtimin e një shkolle të re, pranë zonës ish- Uzinës Dinamo. Madje, do të ndërhyhet në mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e ambienteve të të gjitha objekteve arsimore, ku në njësinë nr. 9 përfshihen 8 shkolla, 2 kopshte dhe 2 çerdhe.

3 komente në “Mazniku: Gjendja financiare në Bashkinë e Tiranës, e ngarkuar me borxhe të trashëguara”

  1. megan says:

    po o teveqel djale!! duke patur nje administate paraardhese totalisht ineficente, sigurisht qe e keni te lehte te pretendoni sikur cfare po beni!!

    ketu do jemi qe ne xhepat tuaja kane per te shkuar te gjithe leket e mbledhura!

  2. veli says:

    Ik more gomar jep doreheqjen. Je futur nga dritarja ne parti nuk je socialist.

  3. metlaj says:

    pa kaluar shume kohe po injejti variant se borxhet e te kaluares prishin investimet kjo perqeverin qendrore po shtrihet edhe tek bashkia MOS o zot se premtimet e ERIJONIT perfundojne si premtimet e ramesDHE zgjidhja do te jete paksim investimes dhe rritje te limiteve te borxheve konsfikoni te koruptuarit dhedo te kompesoni dicka gjithashtu mendojeni mire kur prishni ( ketu e kam fjalen te lajmerohen njerzit dhe percaktohet drejte qe prishja do te realizohet kur te afrohet koha e sistemimit te asaj zone dhe shpenzimet e cuarjes se teritorut ne gjendjen para ndertimit nga fajtori)Poulli nuk do tia di se si ua kan dorzuar bashkin por cfare do te beni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje