FMN përplaset me qeverinë pas vendimit për heqjen e taksave për biznesin e vogël

20 Nëntor 2015, 15:54Ekonomia TEMA

Vendimi i beftë i qeverisë për të hequr taksat mbi biznesin e vogël ka vënë në pikëpyetje rikonfirmimin e 5-të dhe të 6 të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në nivel stafi, kjo marrëveshje u arrit në datën 10 nëntor, pas negociatave të vështira, por edhe të tendosura mes palëve. Por, kjo ishte dakordësia në nivel teknik.

Që rikonfirmimi i radhës të kompletohet plotësisht, ai duhet të miratohet edhe nga bordi i drejtorëve të FMN-së në Uashington, çfarë do i hapte rrugën lëvrimit të këstit të radhës së kredisë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, FMN dhe Ministria e Financave njoftuan se, bordi do ta miratonte marrëveshjen me Shqipërinë në mbledhjen e radhës, që është parashikuar në janar të vitit të ardhshëm.

Por, vetëm dy ditë pasi marrëveshja u arrit në nivel teknik dhe misioni i FMN ishte larguar nga Tirana, kryeministri Edi Rama, në një dalje publike lajmëroi heqjen e taksave për bizneset me xhiro deri në 5 milionë, dhe uljen e tatimit të thjeshtuar për fitimin për bizneset me xhiro nga 5 deri në 8 milionë lekë.

Vendimi e ka kapur të papërgatitur FMN-në. Shqetësimi i këtij institucioni është se, përjashtimi nga taksat i 100 mijë bizneseve cënon integritetin e sistemit tatimor. Lajmi se, vendimi i qeverisë ka krijuar një situatë të re, të paparashikuar mes FMN dhe qeverisë, konfirmohet edhe zyrtarisht.

Jens Reinke, përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar në Tiranë tha për Top Channel se “vendimi krijon probleme për qëndrueshmërinë e sistemit tatimor dhe përbën një nxitje për deformim dhe shmangie taksash”.

Por, pse heqja e taksave për bizneset e vogla, e cila në total ka një efekt të papërfillshëm me vetëm 1.3 miliardë lekë, ka krijuar kaq nervozizëm për FMN?

Arsyet janë dy.

E para është se, kjo lëvizje cënon ndershmërinë e sistemit tatimor, pasi ata që fitojnë të ardhura përmes biznesit nuk taksohen, ndërsa ata që jetojnë me rrogën detyrohen të paguajnë taksa.

Por më shumë se elementi i ndershmërisë, FMN-në e shqetëson cënimi i sistemit tatimor.

Për shkak se fasha deri në 5 milionë lekë në vit do të jetë me taksa zero, nxitja për evazion masiv është e madhe dhe shumë biznese do të tentojnë të qëndrojnë në këtë nivel. Edhe pse kryeministri deklaroi se, të gjitha sipërmarrjet do jenë të detyruara të regjistrojnë çdo të ardhur dhe transaksion, FMN frikësohet se shumë prej tyre mund të mos e bëjnë. Risku për këtë rritet edhe nga një tjetër element, pasi edhe vet Tatimet mund të jenë më pak të fokusuara te bizneset nën 5 milionë lekë, për shkak se nga ato nuk vjelin taksa.

Por përveç evazionit, heqja e taksave dhe ulja e tyre për të gjitha bizneset e vogla krijon hapësira edhe për shmangie të ligjshme taksash.

Një shembull do të ishte, që bizneset e mëdha ta copëtonin aktivitetin në disa biznese të vogla, për t’i shpëtuar taksimit; ose individët me pagat të larta t’i deklaronin të ardhurat e tyre jo si të ardhura nga paga, por si të ardhura biznesi, për të mos paguar taksa. Me sistemin e ri, çdo indvid me paga deri në 400 mijë lekë në muaj, nëse i deklaron ato si të ardhura biznesi nuk do të paguante asnjë taksë.

“Ne jemi në diskutime me qeverinë sesi të zbusim pasojat dhe shpresojmë se, rishikimi i marrëveshjes do të arrihet sipas afateve të parashikuara”, tha përfaqësuesi rezident i FMN-së për Top Channel.

Qeveria pranon se ka diskutime me FMN-në për këtë çështje. Por ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj tha se, qeveria e ka bërë pjesë të paketës fiskale dhe do ta reflektojë këtë ndryshim në marrëveshjen tashmë të negociuar me sukses me FMN-në.

Mes palëve ka kontakte dhe diskutime për të gjetur një zgjidhje për këtë ngërç. Por ende nuk ka asgjë përfundimtare. Ditët në vijim do të jenë të rëndësishme për gjetjen e një konsensusi, përpara se marrëveshja finale të miratohet në Uashington./ TCH

13 komente në “FMN përplaset me qeverinë pas vendimit për heqjen e taksave për biznesin e vogël”

  1. alt says:

    I papjekur dhe i marre ne nervozizem e siper duket vendimi i qeverise. Si shume shpejt po ja vene shqelmin edhe FMN, por ne ndryshim nga me pare kjo po vjen me shume nga paaftesia sesa nga deshira.Formula e formes pa permbajtje duket se nuk po e con larg kete qeveri. Formula per te qeverisur me ngjyra dhe emocion pa vleresuar dhe thirrur rolin e eksperteve, sidomos atyre te ekonomise dhe financave, duket pa te ardhme..

    1. Argita_B says:

      Qe qeveria krijon mundesine qe ne Shqiperi sipermaresit te shtohen apo te kene mundesine te jetojne duke ushtruar legalisht kjo eshte pozitive. Problemi qendron te tksa zero per biznesin e vogel. Ky avantazh vihet pa kushte, domethene dikush mund te kete te ardhura relativisht te rehateshme per ne Shqiperi dhe nuk paguan as me kontribitet shoqerore, as per pensionin, as per rruget, as per plehrat, as per ndriçimin, as per mjeksine..!!
      Taksa zero mund te jete nje metode per te nxitur uljen e informalitetit, nxitjen e sipermarjes, pra diçka provizore per fillimin e aktivitetit apo deklarimin e aktivitetit, po jo diçka e perhereshme pasi çdo shtetas duhet te paguaje kontributet nga te ardhurat e tij per sherbimet shteterore qe perfiton duke jetuar ne vendin qe ushtron aktivitetin.
      Kjo reforme tregon amatorizmin e vet Rames ne fushen e ekonomise, perpjekjen e krijimit te elektoratit per zgjedhjet e ardheshme, pra reforme per populizem dhe jo per zhvillimin ekonomik te vendit.

  2. mosss moreeeeee says:

    Fmn duhet debuar nga shqiperianongrata

    1. Dean says:

      Pse?!
      Cfare na ka bo FMN-ja?!

  3. ILIRIA says:

    Normalisht dhe llogjikisht taksat per asnje lloj bisnesi nuk duhet te zerohen por duhet te paguajne ne menyre simbolike per bisneset e vogla duhet te hiqet fashoa nga 0 – 100 milion leke qarkullim me takse 1% te xhiros ndersa per bisneset nga 101 – 250 milion te jene me TVSH me takse tatim fitimi 10% ndersa per xhiro mbi 250 milion leke te jene VIPAT me takse tatim fitimi 15%

    1. shqiptar says:

      per mendimin tim,asnje te mos paguaj taksa.te pallojme tfgs

      1. ILIRIA says:

        Jo per replik por nqs nuk paguajme asnje takse jo qe se pallojme dot tfgs por na pallon para e mbrapa edhe Greqia edhe Evropa prandaj sic u katandis edhe Greqia duhet te paguhet nje takse sado e vogel qe te mesohemi me kulturen e pagimit te taksave ne menyre qe te mos stimulohet ryshfeti dhe korrupsioni ne administrate sepse ne jemi mjeshtra per keto gjera dhe do ta gjejme kurdohere shtegun per manovrime sido qe te jete puna.

      2. Dean says:

        Ndesa sa per mendimin Tim:
        Edhe taksat duhen paguar
        edhe tfg-ja duhet palluar.

  4. NjeQytetarOptimist says:

    Ajo qe thote FMN-ja eshte shume e drejte..Kompanite mund te thyhen ne dege te ndryshme te ulin deklarimin e xhiros plus kompani qe do stimulojne fitimet te jene posht fashes se deklarimit.. Kjo eshte ana negative.. Ana positive duhet pare nga shteti.. Ky eshte nje propozim qe “it needs balls”.. Shteti duhet te jete shqiponje nen vrojtimin e ketyre fenomeneve qe biznesi do perpiqet te krijoj.. Ne kete propozim, duhet nje kompani private dixhitale qe te monitoroj c’do shit-blerje me imtesi dhe duhen punesuar nga ILKPD-ja shume ekonomiste… Coptezimi I kompanive te medha ne ato te vogla duhet te kene nje “ownership”.. Por ne te njejten kohe duke u thyer, s’do te thote fitojne nga taksat sepse duhet te marrin ne pune me shume njerez te hapin deget e reja.. Kjo cliron shume situaten e renduar financjare per bizneset dhe papunesine.. S’jam dakort me FMN qe thote qe ata qe punojne per shtetin ose privatin paguajn taksa kurse te vetepunesuarit s’paguajn taksa.. Po aty eshte e gjitha.. Te inkuarajohet vetepunesimi.. Njerezit marrin kurajon dhe vetepunesohen kurse ata qe kerkojn pune s’marrin asnje risk.. FMN-ja dhe “disa” thote qe rritet evazjoni..Por prit pak, a nuk u rrit evazjoni kur po gerthiste Dhoma e Tregut Amerikan qe thoshte qe po rritet taksat, evazjoni do jete me I madh sepse kompanite do perpiqen te manipulojn te ardhurat sepse po taksohen rende ?!?! Ja pra, keq ti ngresh, keq ti ulesh.. Eshte nje propozim shume kurajoz I qeverrise POR AJO DUHET TE JETE VIGJILENTE PER MBLEDHJEN E TAKSAVE.. Eshte nje FORMULE SOCIALISTE dhe une kete system besoj.. Paguan popullin mbrapa per 2 vjet egersi taskimi (por ato ishin rrethanat)..Mendoj qe ky propozim do inkurajoj shume bujqesine dhe shtresen e mesme dhe do kete nje clirim te menjehershme te situates por kujdes, kujdes, kujdes.. Bejeni te qarte qe kush fillon te mendoj te shkoj mbrapa tek veset e vjetra e presin gjobat dhe hekurat…

  5. hasan says:

    Ka filluar te duket sikur Saliu nuk ishte dhe aq i keq.

  6. Treviso says:

    Ky manovrim i qeverise sjelle te mira dhe te keqija. Te keqijat jane keto: Te gjitha biznezet e medha do te shperbehen ne biznese te vogla per tju shmangur taksave. Koha do ta tregoje.

  7. MEDIA SHKATERRUSE e SHOQERISE says:

    FMN i intereson vetem Fitimi i saj dhe garancia per kredit qe jep dhe nuk pyet shum per gjendjen ekonomike te bizneseve dhe per falimentet e tyre.

    Keto organizma bejne dhe globalizimin e ekonomise dhe jan ne sherbim te nje grushti njerzish ne bote , te oligarkis financiare qe po SJELLIN dhe LUFTEN e TRET boterore per shkak te polarizimit te ekonomise dhe te parase duke SKLLAVERUAR popuj dhe vende te ndryshme. .

    Te gjitha te tjerat jane pallavra.

    Ajo kerkon te zhduki biznesin e vogel per te mbledhur sa me shume para nepermjet taksave .

    Kjo terheqje e qeverise jo se ishte me e mira por eshte pak frymarrje dhe mbijetes per bizneset dhe nje vet punesim me i math per qytetaret .

    Sikur mos te ishte terhequr qeverija do te kishte shum falimente dhe rritje te papunesise dhe probleme me te medha sociale.

  8. Antares says:

    Ku shkel FMN-ja nuk mbin bari. Kjo organizate terroriste financiare, ka per qellim dhenien e kredive, te cilat rriten ne menyre eksponenciale dhe behen te papagueshme. Kjo organizate skllaveron popuj dhe shtete, sidomos te botes se trete, nen petkun e “zhvillimit” dhe “konsulences” ekonomike, e cila faktikisht shkaterron ekonomite e ketyre vendeve, duke i kapitulluar financiarisht, ne menyre qe ne te ardhmen te kontrollohen totalish nga elitat finaciare boterore. Hyrja e FMN-se ne nje vend, eshte fillimi i humbjes se sovranitetit dhe fillimi i shkaterrimit dhe i shitjes se nje kombi ne ankandet financiare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje