Ligjet miratojnë buxhetin e Ministrisë së Brendshme/ Tahiri: Siguria nuk është mall falas

24 Nëntor 2015, 14:00Kronika TEMA
Ligjet miratojnë buxhetin e Ministrisë së Brendshme/ Tahiri:

Komisioni i Ligjeve miratoi projketbuxhetin për Ministrinë e Brendshme për vitin 2016, i cili u rrit edhe me 6%.

Në diskutim munguan deputetët e opozitës, çka u theksua si mungesë serioziteti prej së djathtës, nga kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj.

Ministri i Brendshëm u shpreh i kënaqur me fondet e akorduara, që në total janë 19.9 miliard lekë.

“Sigurisht p/buxheti ka reflektuar domosdoshmërinë për të reflektuar atë që kemi nisur lidhur me rezultate në luftën kundër paligjshmërisë, informalitetit dhe kriminaliteti në vend. Kujtojmë këtu që në vitin 2014, Policia e Shtetit, si pasojë e miratimit të buxhetit me propozim të qeverisë, nga Kuvendi, u shtua me 1083 punonjës. Gjë që e shton absolutisht kapacitetin tonë për të komunikuar më intensivisht me publikun për të shkëmbyer më shumë informacion me partnerët, për të ndërtuar ura komunikimi solide me qytetarët. Të gjitha këto në funksionim të ndërtimit të besimit, të parandalimit të paligjshmërisë dhe kriminalitetit dhe të luftës kundër veprave penale”, theksoi Tahiri.

Ministri evidentoi se siguria nuk është një mall falas, e për të bërë një vend më të sigurt, kërkohet buxhet.

“Nëse siguria në vitin 2012, siguria për çdo qytetar kishte vlerën e 10.8 lekë në ditë, sot kemi rritur buxhetin në 13.7 lekë për çdo qytetar në ditë, rritje e konsiderueshme mbi 30 % gjë që do të thotë se ne realisht, si shoqëri, investojmë për të ndërtuar sigurinë”, veçoi ministri.

Deputeti Bashkim Fino ka shprehur rezerva për buxhetin e përcaktuar për Ministrinë e Brendshme, në zërin Emergjencave.

“I përballoni emergjencat me këtë buxhet që kërkoni? Rezervat e Shtetit janë rritur me vetëm 6 mln lekë”, tha ish-kryeministri socialist.

Ministri i Brendshëm u shpreh se megjithëse buxheti për emergjencat është rritur me 25 %, sërisht ajo çka është shkatërruar e ndërtuar keq në 25 vjet, nuk mund të zgjidhet me çfarëdolloj fondi emergjencash.

“Ne do marrim masat e mundshme për çdo pasojë ndaj fatkeqësive natyrore, të cilat janë të paparishikueshme. Kemi shkatërruar 25 vite infrastrukturën parandaluese për çdo fatkeqësi. Ndaj investimi ynë kryesor është të ndërtojmë hartën e rrezikut në vend”, tha Tahiri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje