Real Madrid kryeson në Europë, 578 milionë euro të ardhura

4 Dhjetor 2015, 13:40Sport TEMA

Jo vetëm futboll në fushë, por mbi të gjitha një biznes përsa i takon dinamikave ekonomike. Reali i Madridit konfirmohet si klubi më i fort financiarisht në Europë.

Gjatë periudhës 2014-2015, madrilenët u konfirmuan si skuadra numër 1 në kontinent për të ardhura, me plot 578 milionë Euro. Një rritje biznesi në vlerën 20 për qind për Realin gjatë këtij 5-vjeçari, që vetëm nga e drejta televizive për La Liga-n gjatë edicionit të kaluar përfitoi 163 milionë Euro.

Suksesi i trefishtë në kampionatin spanjoll, Kupë dhe në Champions League e ndihmuan Barcelonën të ngjitej në vendin e dytë, me 566 milionë Euro të ardhura. Katalanët përfituan 162 milionë Euro vetëm nga e drejta televizive në kampionat.

Zbret në vendin e tretë Manchester United me 519 milionë Euro gjatë sezonit të kaluar. Spostimi një pozicion më poshtë për “Djajtë e Kuq” erdhi pavarësisht rritjes në vlerën 41 për qind nga sezoni 2010-2011 dhe faktit që anglezët janë lider në pjesën komerciale, ku vetëm nëpërmjet globalizimit të markës së klubit kanë përfituar më tepër se të gjithë, plot 241 milionë euro.

Në vendin e katërt Bajerni i Mynihut me 474 milionë Euro të ardhura dhe një markë që po rritet në nivel botëror, e cila i siguron klubit bavarez të ardhura në vlerën e 216 milionë Eurove.

Më pas vijnë klube të tjera angleze, të favorizuara prej përfitimeve të larta nga e drejta televizive. Manchester City regjistroi 462 milionë Euro të ardhura, Arsenal 453 ndërsa Chelsea 413 milionë.

Mbeten për tu mësuar shifrat e Paris Saint Germain, me francezët që ende nuk e kanë publikuar bilancin e vitit të fundit, por ku vlera përllogaritet në rreth gjysmë miliardi Euro.

Shumë më të shkëputura klubet e Serisë A. Hendeku financiar me gjigandët e tjerë europianë vazhdon të thellohet. Kjo konfirmohet nga fakti që Juventusi, skuadra e cila kryeson nga italianet, regjistron të ardhura në vlerën e 328 milionë Eurove. Tendenca e rënies ekonomike në Serinë A gjatë kësaj dekade vijon me klubet e tjerë që janë më të shkëputur. Bilancet treguan se të ardhurat e Milanit janë 224 milionë Euro, Roma 187 dhe Inter në kuotën 181 milionë Euro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje