Ministri italian i Drejtësisë Andera Orlando, i cili vizitoi Tiranën pasditen e sotme pati takime me përfaqësues të qeverisë shqiptare, Kryeministri Rama, Ministrin e Brendshëm Tahiri dhe homologun Manjani.
“Sfidat e përbashkëta të dy vendeve fqinje, veçanërisht bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, ishin fokusi kryesor i takimit”, u shpreh Tahiri gjatë konferencës së përbashkët me Orlandon.
“Shkëmbyem pikëpamje për çështje që shqetësojnë më së shumti të dyja vendet, veçanërisht në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi patur deri më sot kundër krimit të organizuar dhe mbi të gjitha kundër terrorizmit, duke ndarë bindjen se gjithçka kemi bërë deri më sot është shenja më e mirë për sukeset që mund të kemi në vazhdimësi nga bashkëpunimi intensiv ndërmjet agjensive ligjzbatuese, duke shkëmbyer eksperiencat më të mira për të reformuar sistemin, për të ndërtuar kapacitete njerëzore dhe infrastrukturore që do të garantonin rezultate të qëndrueshme në kohë në luftën kundër krimit të organizuar, në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër terrorizmit dhe sfidave që kemi përpara, për të bërë vendin tonë më të sigurtë, me vetëdijen se ndërtimi i sigurisë në vendin tonë domosdoshmërisht do të thotë të ndërtosh përpjekje të qëndrueshme për siguri edhe në Itali dhe më gjerë.
Ne dimë që sfidat në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit nuk njohin kufij.
Ne dimë që përpjekja jonë e përbashkët duhet të jetë intensive. Ashtu siç dimë që rezultatet janë parathënia më e mirë për rezultatet konkrete dhe të qëndrueshme në kohë (që duhet të kemi jo vetëm për reformimin e drejtësisë penale në vend por dhe në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit).
Krijimi i një platforme solide bashkëpunimi për të ndërtuar kapacitete të qëndrueshme në mënyrë që bashkëpunimi mes dy vendeve dhe agjensive ligjzbatuese të prodhojë atë që duan qytetarët në Shqipëri, pse jo dhe në Itali, në luftën kundër shqëtësimeve të përbashkëta: krimit të organizuar dhe terrorizmit”, deklaroi ministri Tahiri.
Ministri italian, i cili u kërcënua edhe vetë nga ISIS disa ditë më parë, tha se ka vend për shtimin e bashkëpunimit.
“Ka një kapitull që lidhet shumë me çështjen e radikalizimit dhe luftën ndaj terrorizmit, për të cilin fola me Kryeministrin Rama dhe do të bisedoj edhe me Ministrin e Drejtësisë, dhe që lidhet me ekzekutimin e masës së dënimit. Në këtë çështje besoj se të gjitha gjërat që parashtrova në përgjithësi, mund të zbatohen në veçanti. Kjo edhe për të parandaluar fenomene radikalizimi të cilat, në Shqipëri ashtu si në Itali, ndodhin shpesh në institucionet e kryerjes së dënimit.
Besoj gjithashtu se mund të bashkëpunojmë në fushën e rëndësishme të rrjeteve online (një tjetër mjet radikalizimi). Dhe kjo mund të kryhet në dy drejtime. Së pari, duke rritur aftësinë hetuese dhe Të ndëshkimit. Së dyti, duke rritur parandalimin, përmes aktiviteteve që bien ndesh me subjektet që përhapin gjuhën e urrejtjes online dhe prodhojnë radikalizim e rekrutime në rrjete terroriste”, theksoi Orlando.
edhe trafikantet e droges jane sfide.