“Jo vetëm politika, grupet kriminale kanë ndikuar në zgjedhjen e prokurorëve në Shqipëri”

22 Dhjetor 2015, 21:07Politika TEMA

Kreu i shoqatës së prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, ka paralajmëruar ankimim të dekretit të Presidentit për transferimin e tij në prokurorinë e Shkodrës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Hajdari thotë dy lëvizjet e tij brenda një kohe të shkurtër nga kryeprokurori, Adriatik Lalla, janë atipike dhe një histori personale.

Hajdari:   Të gjitha transferimet e prokurorëve dy vitet e fundit, që janë bërë pa pëlqimin e tyre, në bazë të ligjit për organizimin e prokurorisë, janë në shkelje të ligjit.Sa u takon transferimeve të mia, ato janë atipike, sepse unë kam marrë dy transferime në kuadër të riorganizimit brenda vitit; një herë jam shkarkuar në datën 8 tetor 2014 si drejtues i Prokurorisë së Apelit dhe së dyti, para pak ditësh brenda 24 orëve jam dekretuar nga Presidenti i Republikës për t’u transferuar në prokurorinë e Shkodrës si prokuror i thjeshtë. Unë preferoj t’i iki kësaj historie personale. Unë jam prokuror. Ashtu si kolegët e tjerë edhe unë do të ankimoj dekretin e transferimit të dytë në Shkodër. Edhe i pari është i paligjshëm, por e lashë mënjanë për të mos krijuar keqkuptime se po ankohesha për karrierë.

Hajdari, ka shprehur besim në realizimin e reformës, duke deklaruar se falë saj do të çlirohen institucionet e drejtësisë, duke dhënë këtë deklaratë të fortë për promovimin e prokurorëve.

Hajdari: Nuk do të kemi më propozime klienteliste, as nepotike, me ndikime politike, për të mos thënë edhe me ndikime të grupeve kriminale në Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë.

Pyetjes së Zërit te Amerikës, se kush e kundërshton reformën, Hajdari iu përgjigj:

Hajdari: Grupi i parë ka mangësi në formimin intelektual dhe profesional. Grupi i dytë është më i vogël dhe luan me mekanzima të tjerë; në të janë ata prokurorë, gjyqtarë dhe zyrtarë të lartë e të mesëm, të cilët kanë shkelur rëndë ligjin. Drejtësia vonon, por nuk harron. Këta janë pjesa penguese, por janë të identifikuar nga publiku shqiptar, nga prokurorët, nga misionet partnere, janë në minorancë për të bllokuar reformën dhe e kanë të pamundur për ta bërë këtë.

1 komente në ““Jo vetëm politika, grupet kriminale kanë ndikuar në zgjedhjen e prokurorëve në Shqipëri””

  1. Koco says:

    Mirnjohje per zotin Hajdari , mjeshterisht dhe ne menyre djallezore duket qarte levizjet e pa motivuara te z Hajdari nga Dora e Djallezore e Berishes nepermjet Presidentit Nishan .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje