Të punësuarve në sektorin privat u është dashur të kënaqen me një rritje më të ulët page në tremujorin e dytë të vitit, në raport me tremujorin e mëparshëm, sipas tabelave të publikuara nga INSTAT.
Për periudhën prill-qershor, ndryshimi vjetor i indeksit të pagave gjithsej është 7.6%. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ritmet e rritjes së pagave janë përgjysmuar (në T II 2014, rritja ishte 15.4%).
Ngadalësimi i rritjes së pagave është një tregues direkt i përkeqësimit të situatës së të ardhurave dhe fitimeve të bizneseve, që përpiqen ta amortizojnë këtë tkurrje përmes shkurtimit të shpenzimeve.
Tkurrje është konstatuar në industri, ku sidomos industria ndjerrëse ka shënuar rënie të pagave me gati 2%, duke reflektuar situatën e vështirë që po kalon ky sektor për shkak të konjukturës së pafavorshme ndërkombëtare, me rënien e çmimeve të naftës dhe mineraleve të tjera.
Edhe në industrinë përpunuese, pagat po rriten shumë ngadalë (7.1%, nga 21% në tremujorin e dytë 2014), teksa sektori i fasonit, që së një peshë të rëndësishme, po bëhet jo konkurrues, për shkak të rritjes së vazhdueshme të kostove. Eksportet e këpucëve e tekstileve kanë shënuar rritje minimale këtë vit, në rreth 2%, nga mbi 20% që ishte rritja vitin e kaluar).
Ndërtimi ka shfaqur rritje të lartë të pagave, në linjë me ecurinë e mirë të këtij sektori në tremujorin e dytë të vitit, ku ai ishte udhëheqësi i rritjes ekonomike, si rrjedhojë e shpenzimeve të shtuara kapitale në prag të zgjedhjeve lokale.
Transporti dhe magazinimi po shënon tkurrje të ndjeshme të pagave në të gjithë tremujorët, me rreth 20%.
Turizmi po shënon ecuri pozitive, teksa pagat në sektorin e hoteleve dhe agjencive të udhëtimit janë rritur përkatësisht me 12.8 dhe 20.3%./ Monitor