Raportimi i ngjarjeve si dhe ai më i thjeshtu, raportimi i aktiviteteve të njoftuara në Shkodër nga ana e gazetarëve nuk është se ka caluar, për më tepër vitet e fundit ku paralelisht me zhvleftësimin e paramenduar gjithnjë e më tepër të ndikimit të medias në vendimmarrje apo në organet e drejtësisë, askush nuk eksperimenton që të prish punë në një faktor të parrezikshëm si media e cila tashmë I ngjan një tigri prej letre. Përjashtohet deri diku periudha kritike 1997-98 ku edhe në atë kohë ishte si për të gjithë dhe qëndronte në rrezikun e mospërplasjes me ndonjë të marrë të armatosur si dhe të ekspozimit të tepërt jashtë duke u bërë kështu pre e ndonjë plumbi qorr. Me fjalë të tjera e shoh të arsyeshme që për të folur rreth kësaj teme, të konstatoj edhe dallimet esenciale që ekzistojnë ndërmjet të sotmes dhe të shkuarës jo shumë të largët, meqë transparenca është më e mirë jo vetën por publikun por edhe për vetë ne që zgjidhëm këtë profesion.
Personalisht e gjykoj ftohtë dhe aspak emocionalisht edhe këtë periudhë të vështirë për të gjithë kur së bashku më një grup të vogël gazetarësh të asaj kohe kishim pak a shumë si preokupim kryesor, atë se hmos e pësonim aksidentalisht meqë edhe mundësia për të ndodhur më e keqja kishte propabilitet më të madh në profesionin tonë. Edhe ato raste përplasjesh apo kërcënimesh – në fakt lehjesh gojore – që kemi pasur nuk është se na e ka pasur qejfi që t’i ekspozonim në media. Në dijeninë time ngjarje të tilla janë mbyllur me denoncime si dhe në rrugë private, por në këtë rast, duke dominuar revanshi nga ana e gazetarëve të cënuar. Ndonjërit që është kruar në atë periudhë mund t’i kujtohet mirë se sa shtrenjtë I pat kushtuar tentative për tu dukur “I fortë ” me shpresë se anardhia e asaj periudhe do ta shiste me më shumë “palle” në raport me aq sa vlente…Kjo është gazetaria që bëhej në atë kohë dhe në kushte shumë më të disfavorshme se sot.
Duke u ndalur në vitet e fundit risia e vetme në vija të trasha që haste ne rajonin e Shkodrës por edhe më gjerë , besoj, është se gazetarët më të rinj, të mësuar edhe më shpejt në kohë me erën e internetit si dhe me shtysën e natyrshme për drejtësi kritikojnë me të drejtë në kronikat dhe shkrimet e tyre por thuajse një lloj sikur të jetojnë në ndonjë vend më të denjë se Shqipëria, nga të cilët janë së pari shtetet e rajonit. Sepse për perëndimin as që bëhet fjalë . Por nga ana tjetër, dëshira për protagonizëm apo viktimizim me cdo kusht me qëllim, në raste të caktuara edhe me dëshirën e vonuar për t’ia mbathur, pra këto fenomene janë krejt të dallueshme për publikun.
Para pak kohësh, në kronikën e një televizioni privat, një gazetar kishte marrë pronincimin e një banori të një lagjeje të Shkodrës i cili nga ana e tij citoi në mënyrë pexhorative ish kryetaren e Kuvendit duke e akuzuar për një aferë të paqenë , sic edhe doli pas verifikimeve. Vetëm pak orë pas transmetimit të kësaj kronike në edicionet e lajmeve, deputetja e cënuar – mesa duket e njoftuar dhe pa e parë vetë kronikën – I telefonon gazetarit e indinjuar duke i bërë të ditur se do ta ndiqte me padi në gjykatë këtë akuzë publike ndaj saj. Në nbyllje të bisedës telefonike prej më se 3 minutash, ajo, mesa duket me nerva më të rëna, i thotë se do ta zgjidhte këtë problem me vetë gazetarin pasi të sqaroheshin.
Lexuesi me të drejtë mund të pyesë se nga i di unë këto detaje. Në fakt nuk kam gërmuar fare sepse gjëra të tilla kaq të vogla nuk më zgjojnë kuriozitet dhe nuk përbëjnë investigim. Puna ë shtë se vetë gazetari reagoi me një kronikë për veten (!) në po atë television ku punon duke e intepretuar “tregimin” e tij si një kërcënim që i ishte bërë nga ish-kryetarja e Kuvendit (!!).
Nga ana ime, ia bëra të qartë drejtuesve të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) në Tiranë se në këtë rast vetëm me kërcënim nuk kishim të bënim pra edhe nuk kishte vend për protestë . Dhe ashtu u vendos. Konsiderimi si i kërcënim ndaj gazetarit nga ana e televizionit lokal padiste veten sepse njoftimi për ndjekje penale që I bëhet një personi, me apo pa të drejtë, është vetëm njoftim dhe asgjë më shumë. Protestoi vetëm një shoqatë –fantazëm gazetarësh që në Shkodër e njohin të gjithë, sidomos për sa kohë ishte e hapur Konsullata e Italisë…
Rendja pas protagonizmit mediatik si rasti i mësipërm mendoj se është një fenomen mjaft negativ që dëshmon për mosmarrjen parasysh të faktit se në këtë profesion mundësia e përplasjeve verbale me kategori të ndryshme personash është një ndër më të shpeshtat. Raste të tilla ne i konsideronim vetëm sa për nxemje deri në fillim të viteve ‘2000 kur ende kërcisnin kallashët. Gazetarët e huajt do të talleshin me këtë mendësi qaramanësh sepse edhe jashtë shteti, e jo më larg se në këtë Europën e idealizuar së tepërmi prej ende të padalurve, ka jo vetëm përplasje të tilla por edhe vrasje gazetarësh, sidomos në ato raste kur mësohet se X apo Y gazetar është në prag të publikimit të ndonjë skandali që prek shumë interesa. Por vetëm nëse e nuhasin përpara publikimit të skandalit sepse pas publikimit, për të gjithë ata që nuk e dinë se si funkionon, gazetar është akoma edhe më i mbrojtur nga kushdo.
Kush i ka hyrë gazetarisë duke qenë me trup në Shqipëri por me mend në vendet nordike apo akoma më keq në botën e cudirave, do të bënte mirë që në vend të xhinseve të porosisë minifundin.