Krishtlindja dhe dhurata duket se kanë një lidhje të thellë dhe kjo, jo për shkak të Santa Klausit, as të traditave të dhuratave që i bëjmë njëri-tjetrit në këtë stinë të gëzueshme, por për shkak të vetë domethënies së Krishtlindjes dhe domethënies së dhuratës.
Në çdo kulturë njerëzore, të çdo periudhe, do të gjendeshin shenja të këtij fenomeni kaq të vlerësuar midis njerëzve, siç është dhurata. Një studiues ka vlerësuar se dhënia e dhuratave është një shprehje themelore e dashurisë, që i kapërcen pengesat kulturore, prandaj shohim shkëmbime të vullnetit të mirë, kuptueshëm me anë të dhuratave, edhe midis njerëzve që nuk flasin dot të njëjtën gjuhë. Dhuratat pra, janë një formë komunikimi shumë elokuente.
Dhuratat vijnë në forma, ngjyra, përmasa dhe kosto të ndryshme, por vlera e dhuratës qëndron diku tjetër. Në shqip, ne e themi se është një person që e “bën” dhuratën, duke nënvizuar që dhuratën nuk e bën as kostoja dhe as madhësia. I njëjti mall që mund të blihet nga çdokush në dyqan, bëhet dhuratë kur zgjidhet nga një person, me një person tjetër në mëndje. Një trëndafil i dhuruar gruas nga një i papunë ka një vlerë pallogaritshmërisht më të madhe se kur një milioner i blen një makinë gruas së tij. Dhurata është një gjuhë dashurie që i flet shpirtit në thellësi dhe dikush ka thënë saktë, që mund të dhurosh pa dashuri, por nuk mund të duash pa dhuruar. Një zemër që dashuron, është një burim dhuratash. Duke shprehur mendim dhe njohje për tjetrin, dhuruesi përpiqet të gjejë atë që i përshtatet asaj dëshire, ose nevoje të personit të dashuruar dhe kjo vlerësohet në mënyrë të veçantë, duke e bërë dhuratën të paharrueshme dhe shenjë të dashurisë së vërtetë.
Lexova diku historinë e një ushtari që po kthehej nga lufta. Ndërsa përkundej në lëvizjet ritmike të trenit, u kujtua që ishte data 24 dhjetor dhe ai nuk kishte një dhuratë për gruan e tij që do ta priste tek stacioni atë mbrëmje. U mendua shumë gjatë udhëtimit dhe kur arriti në stacion, bëri ç’bëri dhe u fut me shpejtësi tek një farmaci aty përballë dhe doli prej andej me një fjongo të kuqe, si ato që vihen mbi dhuratat, e kishte lidhur mbi xhaketën e tij ushtarake dhe ngjitur kishte edhe një mesazh të shkruar, ku shpjegohej: “Marjetës time të dashur i dhuroj Gjergjin”. Në fakt, shkalla më e lartë e dhurimit, është dhurimi i vehtes dhe çdo dhuratë synon t’i afrohet këtij ideali, duke dhënë pjesë nga vetja. Që kjo është e vërtetë, mund të shohësh sjelljen e atyre që bien në dashuri, kur instiktivisht duan të dhurojnë diçka që është shprehje e dëshirës për të dhënë veten e tyre, të zbulojnë zemrën e tyre, të njihen në nuancat e mendimeve të tyre, duke shpresuar pranimin dhe pëlqimin nga personi i preferuar.
Krishtlindja është shprehja më e plotë e mundshme e dhurimit të vehtes. Pa hyrë në diskutime teologjike të thella, ajo që është deklaruar me gëzim qysh në fillim të historisë së Krishtlindjes, është “Emanuel, Perëndia me ne”. Është e shkruar: “Në fillim ishte Fjala, dhe fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi… Fjala u mishërua dhe banoi ndër ne…” Ndërkohë, Perëndia, Ati dhe Shpirti i Shenjtë, orkestruan këtë lindje të jashtëzakonshme, duke përfshirë një vajzë të re nga Nazareti, të quajtur Marie, duke bindur të fejuarin e saj, Jozefin, të kujdesej për Nënën e virgjer, duke ftuar direkt përmes engjëjve barinjtë e varfër të vinin të festonin dhe duke lajmëruar përmes shenjave në qiell edhe dijetarët e largët, që të vinin të adhuronin.
Ajo që duhet nënvizuar fuqishëm në lidhje me Krishtlindjen, është se bebja e Betlehemit nuk ishte tjetër, por Perëndia, Fjala i mishëruar. Domethënia e Krishtlindjes është Perëndia që i dhuron veten njeriut. Në Krishtlindjen e Parë, kur Perendia u përkul përtej imagjinatës, për t’u futur në lëkurën e njeriut, kemi deklaratën më të mahnitshme të dashurisë për njeriun, me identifikimin plotësisht me të. Ne e dimë që vetëm ai që është futur në lëkurën e tjetrit, mund ta kuptojë tjetrin, ai që ka ecur me këpucët e tjetrit, mund të kuptojë si ai ndjehet dhe pikërisht këtë na deklaron Krishtlindja, kur thotë që Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne, jetoi si ne, u tundua si ne, por pa mëkatuar, vuajti dhe vdiq një vdekje, që s’mund të ishte më e tmerrshme. Por për shumë njerëz, kjo lloj dhurate, Perëndia në mish, duket si çuditërisht e panevojshme, sepse nuk kuptohet nevoja e thellë e njeriut për t’u lidhur me Perëndinë, pas ndarjes që solli mëkati në botë. Si mund të përshkruhet me një fjali tragjedia e humbjes së Parajses, indiferenca dhe rrebelimi që sollën ndarjen nga Perëndia përmes mekatit dhe pastaj vdekja, që e shoqëron rracën njerëzore qysh nga ajo paudhësi? Duhet të përmendim që shpresa për shpëtimin nga mëkati dhe vdekja, ishte e ngulitur në Premtimin e Perëndisë, që kishte bërë qysh në kopshtin e Edenit në Parajsë, kur iu tha Adamit dhe Evës se, nga fara e gruas do të vije ai që do t’i shtypë kokën gjarprit, duke asgjësuar vdekjen që erdhi si pasojë e mëkatit (Zanafilla 3:15). Ky shpëtimtar ishte me shumë fjalë të tjera, përkufizuar si i përcaktuari, i vajosuri apo Mesia, që e përkthyer është Krishti. Prandaj Krisht-lindja ishte një lajm kaq i gëzuar për ata që e kuptojnë domethënien e fjalës.
Në krishtlindjen e parë, Perëndia tregoi dashurinë për njeriun, duke siguruar një dhuratë, Krishtin, që do të zgjidhte nevojën më të thellë të njeriut; asgjesimin e vdekjes. Kjo sigurisht që duhet të pritej nga një Perëndi i plotfuqishëm, qe i don njerëzit dhe duke ditur problemin më të madh të njeriut, që është vdekja, duhej jo një politikan, as një inxhinier, as një doctor, por një shpëtimtar. Kjo është pikërisht ajo që ndodhi në Krishtlindje; dhënia e shpëtimtarit për shpëtimin e njerëzimit nga mëkati që solli vdekjen.
Në Krishtlindjen e parë, Perëndia tregoi dashurinë e Tij për njeriun, jo vetëm duke siguruar për nevojën e njeriut, por duke u përkushtuar ndaj njeriut në mënyrë të pandryshueshme. Një nga të vërtetat më të mahnitshme të Krishtlindjes, është që Perëndia u bë njeri, për të vazhduar në përjetësi të jetë i lidhur me natyrën njerëzore. Edhe sot e gjithë ditën, Jezusi është me trup në qiell, duke mishëruar jo vetëm natyrën e tij hyjnore, si personi i dytë i Trinisë së Shenjtë, por duke ngritur njeriun në nivelin më të lartë të egzistencës, duke e lidhur në mënyrën më të ngushtë të mundshme me hyjninë, duke deklaruar që Perëndia e ka dashur aq shumë njeriun, sa e ka zgjedhur si të vetmin zbukurim të dukshëm të vehtes së tij të padukshëm.
Në Krishtlindjen e parë, Perëndia e tregoi dashurinë e Tij për njeriun, duke dorëzuar në duart e njerëzve zemrën e tij, duke bërë të dukshëme zemrën e Tij në Jezusin, që është Krishti i mishëruar. Në Krishtin, Perendia i dhuroi vehten njeriut, në një formë që njeriu mund ta përqafojë dhe të marrë kështu pasurinë më të madhe që ka universi për të dhuruar.
Një histori tjetër mund ta ilustrojë mirë këtë domethënie të Krishtlindjes.
Baroni Fitzxherald kishte vetëm një djalë. E shoqja i kishte vdekur pak kohë pas lindjes së djalit dhe baroni, që e kishte dashur aq shumë të shoqen, nuk u martua më, por iu përkushtua rritjes së djalit të tij të dashur. Por me sa duket, nga e ema djali nuk kishte trashëguar vetëm butësinë dhe mirësinë që e karakterizonin. Shpejt në shëndetin e djalit u panë shenjat e të njëjtës sëmundje që kishin marre jetën e gruas së dashur të Fitzxheraldit. Akoma pa i mbushur të 15 vjetët, i biri i baronit vdes, duke e lënë të atin tepër të dëshpëruar. Në fakt, nuk kaloi shumë kohë dhe pasi i vuri në rregull punët e pronës së tij, edhe Baroni Fitzxherald vdiq.
Pasuria e baronit Fitzxherald ishte shumë e madhe. Ai ishte një koleksionist i shquar arti dhe nga gjithë bota kishin ardhur tregtarë arti, për të blerë ndonjë nga kryeveprat e koleksionit të pasur të Baronit, që do të shitej në ankand.
Para se të fillonte ankandi, drejtuesi i shitjes tha se kishte një mënyrë të specifikuar, si baroni kishte përcaktuar shitjen e veprave të artit, që arrinin në miliarda dollarë. Së pari, do të shitej një portret i vogël i djalit të Fitzxheraldit, që ishte pikturuar nga një piktor vendas jo shumë i njohur, por mund ta dalloje pse Fitzxheraldi e donte aq shumë atë portret. Ishte një portret i një fëmije të ndrojtur, por të qeshur, i cili mbante në dorë një fotografi të nënës së tij.
Tregtarët e artit nuk shprehën shumë interes për këtë portret sentimental dhe po pritnin që të shitej kjo vepër pa shumë vlerë. Askush nuk po jepte një çmim për këtë pikturë. Vetëm një grua e vjetër kishte ofruar 15 dollarë. Vepra u shit për 15 dollare dhe gruaja që e mori ishte dadoja e djalit të Fitzxheraldit.
Tani ishte rradha e hapjes së ankandit për veprat e tjera. Drejtuesi i ankandit hapi zarfin e dytë dhe lexoi: “Personi që ka blerë portretin e djalit tim, merr falas gjithë koleksionin tim të artit.” Ankandi u mbyll.
Krishtlindja është një ankand, ku gjithë pasuria e universit është paketuar në një bebe të vogël me emrin Jezus, prandaj ai që pranon këtë dhuratë të Krishtlindjes, merr gjithçka ka qielli për të dhuruar. Krishtlindja është koha e zarfit të parë dhe nuk do të ngelet më asgjë për të bërë kur të hapet zarfi i dytë. Tani është koha të festohet Krishtlindja; Dashuria e Perëndisë, e bërë e prekshme në fytyren e embël të një fëmije.
*Pastor ungjillor
GEZUAR KRISHTLINDIET!