Nga një i larguar i sigurtë në merkaton e janarit, në një futbollist të pashitshëm.
Është ky shkrimi që i ka kushtuar FcInterNews, Rey Manajt, sulmuesit shqiptar që luan me Interin. Mjaftoi një deklaratë e trajnerit të skuadrës zikaltër Roberto Mancini për të ndryshuar fatin e bomberit 18-vjeçar. Tekniku italian beson jashtëzakonisht te djaloshi i lindur në Lushnje dhe ka vendosur të mbajë në skuadër Rey-in edhe për pjesën e dytë të sezonit, pavarësisht se për të marrë shërbimet e tij interesohen shumë skuadra të Serisë A me në krye Frosinonen, Genoan, Palermon e Bolognan. Në përfundim të takimit miqësor ndaj Paris Saint Germain-it në Doha të Katarit, kur u pyet për një largim të mundshëm të Manajt në formë huazimi gjatë muajit Janar, Mancini nënvizoi, se diçka e tillë nuk ka asnjë shans të ndodhë: “Jo është më mirë që Rey të qëndrojë këtu dhe të mësojë nga futbollistët më ekspertë, nuk duhet të harrojmë as faktin që kur hyn si zëvendësues ai mund të bëjë diferencën“, deklaroi Mancini.
Një sinjal mëse i qartë ky se trajneri i Interit beson shumë te aftësitë e 18-vjeçarit shqiptar. Tashmë është e sigurtë që të paktën deri në verë Rey Manaj do të mbajë veshur fanellën zikaltër, dhe do të jetë pikërisht djaloshi i lindur në Lushnje zëvendësi i Mauro Icardit edhe në pjesën e dytë të sezonit, me Intern që nuk do të hyjë në merkato për të blerë një tjetër qëndërsulmues. 4 paraqitje numëron Rey Manaj me fanellën e Interit në këtë sezon mes kampionatit dhe Kupës së Italisë. Edhe në fazën e dytë të Serisë A, ish lojtari i Cremoneses pritet të ketë minutat e tij teksa mund të rezultojë një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën zikaltër edhe duke hyrë nga stoli./ SS
Rey eshte lojtari me pak i paguar i seria a (80.000)euro ne vit.e mbajne ? nuk e di pse,por djali eshte antipatik.