Me qëllim rritjen e luftës ndaj kriminalizimit qeveria ka marrë sot vendimin për mbrojtjen e veçantë të punonjësve të agjencisë së inteligjencës dhe sigurisë së mbrojtjes apo dhe të personave të cilët marrin pjesë në operacione të fshehta.
Sipas këtij vendimi, këta punonjës, për shkak të ushtrimit të detyrës, i kërcënohen jeta, shëndeti, familja apo prona, i garantohet mbrojtje e veçantë. Punonjësit të kësaj agjencie i garantohet mbrojtje e veçantë edhe kur merr pjesë në operacione të fshehta të agjencisë dhe përdor identitet të dyfishtë dhe kur, për shkak të detyrës ose bashkëpunimit, i rrezikohen jeta, shëndeti, familja apo prona.
Mbrojtje e veçantë i garantohet edhe individit që merr pjesë në operacione të fshehta të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe përdor identitet të dyfishtë dhe kur, për shkak të bashkëpunimit, i rrezikohen jeta, shëndeti, familja apo prona.
Kriteret për të përfituar mbrojtje të veçantë janë, si më poshtë vijon:
a) Prania e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, shëndetin, familjen apo pronën e punonjësit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
b) Prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, shëndetin, familjen apo pronën e punonjësit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes apo individit që merr pjesë në operacione të fshehta të kësaj agjencie dhe përdor identitet të dyfishtë;
c) Prania e lidhjes shkakësore, ndërmjet rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, shëndetin, familjen apo pronën dhe ushtrimit të detyrës nga punonjësi ose bashkëpunimit nga individi.
Masat për mbrojtjen e veçantë janë, si më poshtë vijon:
a) Ruajtja fizike;
b) Ruajtja e banesës ose e pronës;
c) Transferimi;
ç) Dërgimi jashtë shtetit;
d) Masa të tjera, në varësi të çështjes.
Shumë e drejtë mbrojtja e këtyre. Po për qytetarët është menduar se si e kush do t’i mbrojë kur u cënohen të drejtat, liritë e jeta nga këta që merren në mbrotje? Remzi Hoxha nuk jeton më, vrasësit e tij janë të shërbimeve që është menduar të merren në mbrojtje. Ç’buron nga kjo kundërthënie s’ka nevojë për koment, ajo do vetëm përgjigje.