Tashmë është zyrtare, Rudi Garcia largohet nga stoli i Romës për t’ia lënë stafetënLuciano Spallettit. Presidenti i klubit, James Pallotta vendosi të ndërhynte menjëherë pas barazimit 1-1 kundër Milanit, duke mos i dhënë më asnjë shans tjetër francezit që gjatë dy viteve të fundit është vënë përherë në qendër të polemikave për rezultatet dhe lojën e skuadrës verdhekuqe.
Gjatë vitit të parë në sezonin 2013-2014 në stolin e Romës, ish trajneri i Lille riktheu entuziazmin pasi ekipi ndodhej në një pozitë aspak të favorshme pas disfatës në finalen e Kupës së Italisë kundër Lazios. Një sezon ku Garcia rrezikoi seriozisht të fitonte titullin me 10 fitore rresht dhe 85 pikë, një rekord më vete për skuadrën kryeqytetase që gjithsesi vuajti sezonin stratosferik të Juventusit. Kaq mjaftoi që shoqëria t’i rinovonte kontratën deri në vitin 2018, por në vitin pasardhës gjithçka u shkatërrua si një shtëpi prej letre.
Disfata tronditëse 7-1 nga Bayerni i Mynihut në “Olimpico” u pasua nga një sezon pothuajse i dështuar pasi skuadra e ndërtuar për të fituar titullin e pa veten në luftë me Lazion për vendin e dytë. Gjatë këtij sezoni ishte një tjetër humbje e thellë që demoralizoi verdhekuqtë dhe tronditi pankinën e francezit, ajo ndaj Barcelonës me rezultatin 6-1 edhe pse Roma e kaloi grupin duke siguruar një biletë për në 1/8-at ku do të sfidojë Realin e Madridit.
Spalleti ka hedhur firmën në kontratën që skadon në vitin 2018 duke u rikthyer në një ambjent që e njohur deri në detaje gjatë viteve 2005-2009. Në Romë të gjithë besojnë se trajneri italian nuk e çoi deri në fund projektin e tij edhe pse arriti të ndërtonte një skuadër spektakolare. Me 224 ndeshje si trajner i Romës, Spalleti numëron 121 fitore ndërsa i dhuroi skuadrës 2 Kupa Italie dhe një çerekfinale në UEFA Champions League./SS