Moti me ngrica, ja gjendja e rrugëve në të gjithë vendin

19 Janar 2016, 11:09Sociale TEMA

Pavarësisht motit të ftohtë dhe me ngrica, sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar akset rrugore nacionale  në  të gjithë vendin janë të kalueshme.

Në Rajonin Verior Shkodër:  Në të gjitha akset kryesore të këtij Rajoni nuk ka probleme me qarkullimin e mjeteve. Nga ana e kontraktorëve vazhdon puna për pastrimin e akseve dhe kriposjen e tyre, për shkak të ngricave nga temperaturat e ulëta. Rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes, sidomos në orët e natës dhe orët e para të mëngjesit.

Në aksin Tiranë-Krrabë (km29)-Elbasan, në segmentin Lapidari Krrabë- Qendër Krrabë, rreth 1,5 km ka një çedim të trupit të rrugës. Qarkullimi në këtë segment është  me 1 kalim. Është vendosur sinjalistika përkatëse. Aksi Qafë Priskë-Shëngjergj qarkullohet pa zinxhirë.  Po punohet Trau Dajt-Kamp, është spërkatur me kripë në Qafë Priskë. Borëpastruesja është në gatishmëri.  Në gadishmeri janë 2 borëpastruese, ekskavator, grejder dhe 7 punëtorë. Në segmentin rrugor Uzina e Traktorëve – Lanabregas, ka një çedim të trupit të rrugës. Në këtë vend qarkullohet me një kalim.

Në Rajonin Jugor Gjirokastër:  Nuk ka probleme per qarkullimin e mjeteve. Në akset e Korçës qarkullimi i mjeteve është normal. Me zinxhirë qarkullohet vetëm në aksin Boboshticë – Dardhë.

Në qarkun Vlorë- Situata mbahet në monitorim të vazhdueshëm, sidomos pikat ku ka rënie materialesh. Në Llogora  janë në gadishmëri  1 borëpastruese, 1 fadromë dhe 5 punëtorë. Situata e qarkullimit në Llogora është normale.

Qarku Elbasan-Në aksin Cërrik – Gramsh, segmenti Banjë – Drizë, është i bllokuar nga prurjet. Aksi Elbasan – Librazhd qarkullohet normalisht. Aksi Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë, është i kalueshem normalisht, pa zinxhirë.  Po kryhet spërkatja me kripë në segmentet ku ka ngrica. Me një kalim qarkullohet vëtëm në zonën e Labinotit. Të bëhet kujdes në këtë aks sidomos në pikat e njohura si zona rrshqitjesh.

Qarku Korçë-Po kryhet spërkatja e akseve në vendet ku ka ngrica, si dhe pastrimi i akseve nga bora.Aksi K/Boboshticë – Dardhë qarkullohet me zinxhirë.Aksi Korçë – Voskopojë qarkullohet pjesërisht me zinxhirë.Të gjithë akset e tjerë të këtij qarku qarkullohen pa zinxhirë. Në akset e këtij qarku janë në gadishmeri 13 borëpastruese, 3 grejdera, 8 fadroma, 14 kamionë dhe  punetorë në segmentet  më problematike.

Qarku Kukës-Në aksin Krumë- Qafë  Prush, në një gjatësi prej 150 ml, vazhdon të ketë një çedim të trupit të rrugës me 50 cm deri në gjysmën e saj. Është vendosur sinjalistika përkatëse . Kjo shembje mund të agravohet dhe mund të çojë deri në bllokim të aksit. Në këtë aks trashësia e borës shkon deri në 40 cm. Punohet me borëpastruese dhe për hedhjen e kripës. Qarkullimi kryhet me zinxhirë.Edhe në aksin Plepa – Kam, qarkullimi kryhet me zinxhirë, për shkak të borës që ka arritur një trashësi prej 40 cm. Në Segmentin Rrugor Kryqëzim Domaj – Bushtricë në Km 29, në  aksin  rrugor Kukës – Bushtricë, rruga ka pësuar çedim në siperfaqen e asfaltit me një gjatësi prej 110 ml dhe me thellësi çarje  40 – 70 cm. Po ashtu edhe në kilometrin  27 dhe 31, ka çedime asfalti e përkatësisht në Km 27 gjatësia e çedimit  është rreth 70 ml me një thellësi çarje 10- 20 cm, dhe në Km  31  gjatësia e çedimit është 50 ml me thellësi  çarje 10 – 15 cm. Rruga qarkullohet me një kalim.

Qarku Dibër-Qarkullimi kryhet pjeserisht me zinxhire në akset e Bulqizës: Qafë Bualli – Krastë, Qafë Bualli – Ura e Topojanit, Ura e Qytezës – Zeqan, Ura e Cerenecit – Steblevë,  Ura e Topojanit – Peshkopi, Maqellarë – Doganë, Peshkopi – Qafë Drajë, Kuben – Vasie.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje