Veliaj: Nisim projektin për varrezat murale, sistemojmë varret ekzistuese dhe shtojmë parcelat e reja

23 Janar 2016, 14:49Sociale TEMA
Veliaj: Nisim projektin për varrezat murale, sistemojmë varret

 

Bashkia e Tiranës është në përfundim të punimeve për rehabilitimin e brendshëm të varrezave, si dhe ndërtimin e infrastrukturës së re për shtimin e parcelave. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot i pranishëm në varrezat e Tufinës, nga ku njoftoi se në këto gjashtë muaj administrata e re ka ecur me ritme të shpejta për të investuar e rehabilituar këtë zonë, si dhe për të paraqitur projektin e ri për varrezat murale.

“Në varrezat e Tufinës kemi krijuar një hapësirë dinjitoze, me hapësira parkimi, si dhe duke sistemuar të gjitha parcelat, për t’u siguruar që çdo qytetar që vjen për të vizituar të afërmit e tij, të gjejë një vend të qetë e jo një vend të rrëmujshëm, që është çdo ditë nën trysninë e ndërtimeve pa leje”, u shpreh Veliaj. Ai theksoi se janë zhbllokuar të gjitha pengesat që ka pasur ky projekt dhe në këto gjashtë muaj, intensiteti është shtuar dhe investimi është pranë përfundimit.

“Për varrezat e Tiranës do të kemi edhe disa investime të tjera, si projekti për varrezat murale. Fillimisht do të nisim me sistemimin e varreve të braktisura, këtu e pesëdhjetë vite më parë, në mënyrë që edhe qytetarët të njihen me këtë proces njerëzor, i cili funksionon në të gjithë botën dhe kursen hapësirat publike”, tha Veliaj. Ai shtoi gjithashtu se po ecet shumë shpejt edhe me çështjen e shpronësimeve në varrezat e Tufinës.

“Në vitet e ardhshme nuk do të kemi vështirësi për hapësira të reja në varreza. Synimi ynë është që këtë vit, siç kemi bërë në Tufinë, të fillojmë edhe me sistemimin e varrezave të Sharrës, për t’u siguruar që përpjekjet tona për dinjitet për qytetarët e Tiranës të përputhen me dinjitetin që kanë qytetarët që prehen këtu”, tha kryebashkiaku Veliaj. Sipas tij, këto ndërhyrje bëhen për të treguar se respekti mes brezave dhe një qyteti që jeton me kujtimet e mira të njerëzve që nuk janë më, është një qytet që ia lëmë trashëgim edhe fëmijëve tanë.

Kryebashkiaku shprehu besimin se një qytet i denjë është ai që kujdeset jo vetëm për të gjallët, por edhe për ata që nuk jetojnë më. “Varrezat e Tufinës dhe Sharrës janë vende të pashmangshme për qytetarët e Tiranës sepse çdonjëri nga ne ka miq, të dashur, që nuk jetojnë më, ndaj besoj se duhet të tregojmë dinjitet dhe respekt për ta”, u shpreh Veliaj.

Deri më tani në varrezat e Tufinës janë shtruar 11 mijë metra katrorë asfaltime, 8600 metra katrorë beton pedonal dhe janë bërë 24 kilometra linja nëntokësore të ujërave të bardha. Gjithashtu, është vendosur edhe një tendë për njerëzit që bëjnë pritje në kohën e shirave, si edhe është kryer rikonstruksioni i zyrave të ndërmarrjes funerale. Krahas sistemit të hapësirave është punuar dhe për infrastrukturën, duke sjellë vendosjen e koshave dhe stolave. Sipërfaqja totale e zonës ku po kryhet ndërhyrja është 230.000 m2. Në zonën e re u krijuan parcela të reja për varreza, të plotësuara me rrugë me shtresa asfaltike, rrjeti përkatës i kanalizimeve, bordura, trotuare dhe mure betoni.

3 komente në “Veliaj: Nisim projektin për varrezat murale, sistemojmë varret ekzistuese dhe shtojmë parcelat e reja”

  1. Pedro i ri says:

    Po rrugen Qemal Stafa kur do ta rregullosh dhe ta besh te jetueshme ?

    1. genci says:

      O Pedro i ri! Pse nuk ja kerkon saliut tend, po kerkon qe akoma pa mbushur vitin, Erjoni te te bej dhender ty, Shko mor pall!

  2. njeriu i mire says:

    nderimi per njerezit e larguar nga jeta, qe ata vetem fizikisht jane larguar , tregon kulture dhe dinjitet ndaj respektit ndaj brezave.
    per kete pune ju lumte si bashki.
    z.erjon gjykoj te vendoset njeautobuz linje direkt jo deri ne tufine, linja ekzistuese per pensioninstet qe nuk kane automjete dhe leke pasi nje shkuarje me taksi kushto 1000-1200 leke te reja………
    autobuzi 2 here ne jave, tirane -varreza tufine me kosto 100 lek te reja vajtje ardhje.
    ju lumshi duart…….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje