Iniciativa e fundit e qeverisë për një projekt të ri të një platforme teknologjike dixhitale në gjurmimin e TVSH-së, në vizionin e ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi shihet me skepticizëm.
Në një intervistë dhënë për Tema TV, Preçi, argumenton se sisteme të tilla duhet të jenë gjithnjë në dorë të shtetit. Sipas Preçit sisteme të zhvilluara teknologjike si propozimi i pakërkuar, nuk mund t’i besohen një administrate të prapambetur si kjo e jona. Gjitashtu, sipas këtij të fundit, nëse flitet për teknologji, qeveria i ka aftësitë jo vetëm ta blejë por edhe ta vejë në punë një sistem të tillë.
Në vlerësimin e Preçit kontributi i firmave vendase, të huaja apo të përbashkëta, mund të ishte dhe duhet të ishte thjeshtë në mirëmbajtjen e sistemeve informuese, gjurmuese etj, por jo ta instalojë dhe menaxhojë ajo.
Sipas ekspertit bashkimi i tatimeve dhe doganave shihet si zgjidhje, pasi kjo shkrirje do të kontribuojë në minimizimin e evazionit pasi dihet se ka një thyerje të madhe të tregtimit nga shumica tek pakica dhe manipulimi i biznesve bëhet nga ky kalim.