Nga 21 janari, kushte dhe tarifa të reja për të marrë leje drejtimi

1 Shkurt 2016, 09:09Sociale TEMA

Duke filluar nga data 21 Janar 2016, në zbatim të ndryshimeve të Kodit Rrugor Ministria e Transporteve ka vënë në zbatim disa ndryshime në procedurat e regjistrimit të kandidatëve për drejtues mjeti, si dhe për lëshimin dhe rinovimin e patentës. Sipas ligjit të ri, të dekretuar në fund të vitit 2014, kategoritë e lejeve të drejtimit do të jenë të ndryshme nga ato aktualet, që janë A, B, C, D, BE, CE, DE.

Nga 1 janari 2016, në lejet e reja do të jenë të shënuara kategoritë, duke filluar nga AM ku përfshihen ciklomotorët dhe mjetet me katër rrota të lehta, A1, A2, A, B1, B, BE, C1, CIE, C, CE, D1, D1E, D dhe DE.

Në kategorinë A përfshihen motorët, në kategorinë B mjetet me 4 rrota ku hyjnë dhe furgonët, në kategorinë C mjetet e transportit të mallrave dhe autobusët e vegjël, dhe D, autobusët e mëdhenj dhe mjetet e tonazhit të rëndë, shkruan sot Shqiptarja.com.

 Vlefshmëria

Duke filluar nga data 21 Janar 2016, në zbatim të ndryshimeve të Kodit Rrugor me ligjin Nr. 175/2014, datë 18.12.2014 dhe VKM Nr. 940 datë 18.11.2015, do të zbatohen disa ndryshime në procedurat e regjistrimit të kandidatëve për drejtues mjeti, si dhe për lëshimin dhe rinovimin e lejedrejtimit, si më poshtë vijon: Lejedrejtimi ekzistuese do të vazhdojë të lëshohet deri në përfundimin e infrastrukturës së nevojshme ligjore dhe infrastrukturës teknologjike të nevojshme (për zhvillimin e sistemit informatik) për modelin e ri të lejedrejtimit; Vlefshmëria e lejedrejtimeve ekzistuese do të vazhdojë deri në datat përkatëse të përfundimit të tyre; Rinovimi i lejedrejtimeve ekzistuese do të bëhet sipas modelit ekzistues. Me daljen e modelit të ri të lejedrejtimit,  rinovimi do të bëhet sipas modelit të ri. Taksat dhe tarifat e pajisjes me lejedrejtimi nuk ndryshojnë.

 Dokumentet e tarifat

Ndryshimet në dokumentet e regjistrimit të kandidatëve për tu pajisur me lejedrejtimi janë: Vërtetim banimi, hiqet; Grupi i gjakut dhe Rehzusi, hiqet; Certifikata mjekësore bëhet me afat vlefshmërie jo më të hershme se 6 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës për regjistrim (nga 3 muaj që është deri tani).

Pagesa e tarifës së shërbimit për lejedrejtimi dhe e tarifës së pajisjes me lejedrejtimi bëhet pasi kandidati ka fituar provën e praktikës, dhe përpara aplikimit në sistemin e-Form. Përpara aplikimit në sistemin e-Form, kandidatët të cilët janë shpallur fitues në një drejtori rajonale jashtë juridiksionit të vendbanimit të tyre duhet të kryejnë edhe pagesën e transferimit të dosjes për në drejtorinë rajonale ku ata kanë vendbanimin. “Personat që u është hequr lejedrejtimi pas datës 21 Janar 2015 kanë të drejtë ta rimarrin atë nëpërmjet provimit të kualifikimit teorik nga 16 Prill 2015 që është deri tani)”, thekson njoftimi i Ministrisë së Transporteve.

 Unifikimi

Sipas Ministrisë së Transporteve, ky ndryshim nuk imponohet nga sistemi i ri i patentës me pikë, pasi kartonët aktualë i përmbushin  standardet, por vjen si kusht për negociatat në Bashkimin Europian. Në vitin 2015, Qeveria ka miratuar Kodin e ri rrugor.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje