Kina nuk ka ndërmend të ndalet.
E përditshmja britanike “Telegraph”, në fakt, ka bërë të ditur se klubi kinez i Jiangsu Suning është gati t’i ofrojë Yaya Toure një kontratë prej 30 milionë sterlinash në vit (rreth 40 milionë euro).
Një ofertë marramendëse për mesfushorin 32 vjeçar, i cili ka një kontratë me Manchester City deri në qershor të 2017-ës, por që në fund të sezonit pritet të largohet nga “Citizens”, për shkak të kalimit të Pep Guardiola në drejtim të ekipit, marrëdhënia me të cilin nuk është aspak e mirë.
Toure do të fitonte 760 mijë euro në javë, më shumë se dyfishin e 317 mijë eurove që fiton aktualisht. Një rrogë kjo që do ta bënte atë lojtarin e tretë më të paguar në botë pas Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo (duke përfshirë edhe të ardhurat nga reklamat).
Gjithmonë sipas “Telegraph”, edhe kapiteni i Chelsea, John Terry, mund të zbarkojë në Kinë ku e pret një rrogë prej 26 milionë eurosh, ndërsa Shanghai Sipg i Sven Goran Eriksson, shpreson të bindë Wayne Rooney që të largohet nga Manchester United, duke i ofruar atij një rrogë prej 33 milionë eurosh në sezon.
Kina, toka e premtuar? Kështu duket, sepse në vendin aziatik mund të përfundojë edhe Alex Teixeira, 26 vjeç, sulmues brazilian i Shakhtar Donetsk, afër transferimit në Lindje për 50 milionë euro: për të janë në garë Jiangsu Suning (sapo ka blerë Guarin) dhe Guangzhou Evergrande. Liverpool nuk mund të bëjë gjë tjetër përveçse të dorëzohet para këtyre shifrave.
Tashmë është zyrtare, pushtimi aziatik në futboll ka filluar./ Telesport