James Pettifer & Miranda Vickers «The Albanian Question – Reshaping the Balkans», I.B. Tauris, London 2009.
Thaçi ka marrë pjesë në aksione të ndryshme të armatosura në vitet 1993-4, pas të cilave ai është zgjedhur nga grupi kryesor i LPRK-së si lider i ardhshëm kombëtar dhe është sponzoruar për të studiuar në Universitetin e Zurich-ut. Thaçi ka pasur marrëdhënie shumë të këqija me Ibrahim Rugovën, të cilin e ka njohur që nga ditët studentore dhe, edhe pse ka jetuar në ilegalitet politik që nga vitit 1992, here pas here në Tiranë, ai ka pasur kontakte me nivele të larta. Në vitin 1996 ai është arrestuar për pak kohë nga Qeveria e Sali Berishës, kohë kjo kur ai kishte reputacionin e një djali të talentuar e të rrezikshëm. Thaçi mezi ka shpëtuar kur cimeri i tij, Hysni Vulaj, është vrarë nga një skuadër vrasëse. Ushtaraku senior dhe më vonë këshilltari ushtarak i Sali Berishës, Adem Çopani ka luajtur një rol të rëndësishëm në lirimin e shumë aktivistëve kosovarë nga burgu, posaçërisht të Hashim Thaçit.
Marrëdhënie mes Ibrahim Rugovës dhe Hashim Thaçit u përkeqësuan ashpër, kur më 11 maj 1999 Thaçi deklaroi se Qeveria e Përkohshme është autoriteti i vetëm legjitim në Kosovë. Tirana qëndronte vendosmërisht prapa Thaçit, por jo edhe bashkësia ndërkombëtare.
Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Hashim Thaçi, vazhdoi të lëshojë apele të ndryshme në Shqipëri e tjetërkah, më i rëndësishmi prej të cilëve ka qenë një apel i lëshuar në Paris më 28 maj 1999 për Ibrahim Rugovën për t’u «pajtuar» dhe për të njohur realitetet ushtarake, politike e diplomatike dhe t’i bashkohet «Këshillit të Sigurisë Kombëtare», që Thaçi planifikonte ta themelonte.
Gjatë luftës në Maqedoni, liderët e Kosovës kanë luajtur një rol të madh. Edhe pse ish-liderët politikë të UÇK-së, si Hashim Thaçi nga PDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga AAK-ja, i përcillnin zhvillimet për së afërmi, ishte esenciale për ta që të mos angazhoheshin në këtë konflikt, ne mënyrë që të shmangnin akuzat nga Shkupi e Beogradi se UÇK-ja në Maqedoni është «eksport» i Kosovës.
Përgatiti: Shkëlzen Gashi- Dialog Plus