Androkli Kokthi, drejtori i Tatimeve të Tiranës, i arrestuar dy ditë më parë për “shpërdorim të detyrës”, mohon akuzën e ngritur ndaj tij. Kreu i Tatimeve të kryeqytetit dyshohet se i ka urdhëruar lirimin dhe kthimin te pronari të një sasie malli të konfiskuar me herët, për shkak të mungesës së dokumentacionit tatimor.
Qëndrimi mohues ka qenë i vetmi shpjegim që Kokthi ka dhënë para oficerit të Policisë Gjyqësore, që ka shkuar dje për t’i marrë deklarime në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë.
U bë e ditur se i dyshuari Kokthi nuk ka pranuar të japë shpjegime të hollësishme, me pretendimin se më parë kërkon të njihet me provat kundër tij. Edhe mbrojtësi i Kokthit ka pretenduar se klienti i tij nuk ka konsumuar vepër penale dhe se arrestimi i tij në kushtet e flagrancës është i paligjshëm.
Hetimi ndaj kreut të Tatimeve Tiranë nisi gati 8 muaj më parë, kohë kur u konstatua se një sasi malli, pjesë këmbimi me vlerë 4 milionë lekë të rinj, të konfiskuara nga Tatimet, i ishin kthyer pronarit.
Burime nga prokuroria pohuan se drejtori i Tatimeve Tiranë është mbajtur në përgjim gjatë gjithë kësaj periudhe, por nga bisedat nuk janë përftuar të dhëna që mund të përfshinin në veprën penale të korrupsionit. Organi i akuzës ka ngritur dyshime që Kokthi të ketë kthyer mallin e sekuestruar edhe në disa raste të tjera në shkelje të ligjit.
Androkli Kokthi dyshohet të ketë shpërdoruar detyrën kur ka përpiluar një shkresë të datës 13.03.2015, ku i drejtohet subjektit privat “L. B.”. Në përmbajtje të kësaj shkrese thuhej se “L.B.” ishte i pajisur NIPT dhe dokumentacion të rregullt për mallin e konfiskuar. Përmes kësaj shkrese, kompania private ka tërhequr mallin e konfiskuar që ishte magazinuar në Lundër.
Sipas prokurorisë, që shkresëvendimi i drejtorit Kokthi është ekzekutuar, konfirmohet edhe nga verifikimet e kryera pranë magazinës së Rezervave të Shtetit në Lundër. Pranë kësaj magazine janë gjetur dhe marrë kopjo e shkresës së sipërcituar lëshuar nga Drejtori Androkli Kokthi, fletëhyrjen e mallit dhe fletëdaljen e tij. Sipas kësaj të fundit, rezulton që malli t’i jetë kthyer shtetasit A.B., bashkëshort i administratores, njëkohësisht i punësuar pranë këtij subjekti.
Nga verifikimet e organit të akuzës pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore, Tiranë, rezulton se në praktikën që kjo drejtori zotëron lidhur me kontrollin dhe procedurat e mëtejshme të ndjekura për subjektin “L… B…” mungojnë dy shkresa. Bëhet fjalë për kërkesën e saj, mbi bazën e Së cilës është përpiluar shkresa për kthim malli nga drejtori Androkli Kokthi, si dhe shkresa e Kokthit për shfuqizimin dhe kthimin e mallit. “Nga këqyrja e regjistrit të protokollit të vitit 2015, ndodhur në arkivin e Drejtorisë Rajonale Tatimore, Tiranë, nuk rezulton numër protokolli, sikundër paraqitet në shkresën e drejtorit Androkli Kokthi për shfuqizimin e konfiskimit dhe kthimin e mallit”, thuhet në dosje.
Për këtë shkak, Prokuroria ka ngritur dyshime se shfuqizimi i procesverbalit të konfiskimit të mallit dhe kthimi i tij subjektit, nga ana e drejtorit Androkli Kokthi është një veprim i kryer tërësisht në kundërshtim me kërkesat e ligjit dhe në përmbushje jo të rregullt të detyrës./Panorama