Nga Totti te Maldini, fundi i hidhur i legjendave

22 Shkurt 2016, 16:03Sport TEMA

Më 20 shtator të 2013-ës Francesco Totti rinovoi kontratën me Roma-n deri më 30 qershor të 2016-ës dhe gjatë një konference për shtyp theksoi faktin se skuadra e jetës së tij e kishte trajtuar si një mbret, ndryshe nga sa kishte bërë Juventus me Del Piero-n. Ndoshta gjërat që kanë ndodhur këto ditë, me Spalletti-n që e ka përjashtuar nga ekipi, e kanë shtyrë të ndryshojë mendim: ka kërkuar respekt, mesa duket mendon se nuk e ka marrë këtë nga tekniku dhe (akoma jo) nga klubi, me të cilin do të ulet rreth një tavoline për të diskutuar për të ardhmen e tij. Rezultati i këtij takimi ka shumë mundësi të jetë vendimtar për t’i kthyer qetësinë. Por kapiteni verdhekuq nuk është i pari që kalon një moment të tillë. Nga Maldini te Zanetti, historia është e mbushur me legjenda, që, për arsye të ndryshme, nuk kanë marrë respektin e merituar në momentin e finishit.

“Në fushë ke qenë një kampion i përjetshëm, por nuk ke treguar respekt ndaj atyre që të kanë pasuruar. Ata që ke përkufizuar si mercenarë dhe leckamanë të falënderojnë për karrierën e lavdishme 24-vjeçare”.

Më 24 maj të 2009-ës, pas 24 vitesh te Milan, tifozët ultras të skuadrës kuqezi e kanë përshëndetur në këtë mënyrë Maldini-n, ndërsa kapiteni legjendar po bënte xhiron e fushës dhe pjesa tjetër e “San Siro”-s e duartrokiste. “Jam krenar që nuk jam njëri prej tyre”, ka qenë përgjigja e Paolo-s.

Por imazhi i festës së prishur ka mbetur.

Ndërsa festa e Del Piero-s ka qenë e mrekullueshme, e përbërë nga festimet për titullin e fituar dhe nga goli i tij në ndeshjen e fundit të kampionatit në “Juventus Stadium” kundër Atalanta-s në 2012-ën.

Në këtë pikë hidhërimi i kishte kaluar, por lamtumira me Andrea Agnelli-n nuk ka qenë aspak e bukur, sepse presidenti bardhezi ka lajmëruar ndarjen në një konferencë për shtyp, pa e informuar atë personalisht, ndërsa “Pinturichio” priste dhe ëndërronte ta mbyllte karrierën tek Juventus.

Një tradhti të tillë Javier Zanetti nuk e ka vuajtur, aq sa, ndryshe nga Maldini dhe Del Piero, ka kaluar nga fusha në zyrë, duke u bërë zëvendëspresident i Inter-it. Por në vitin e tij të fundit ka luajtur shumë pak dhe Mazzarri i mohoi gëzimin e pjesëmarrjes në derbin e fundit të karrierës, që zikaltrit e humbën 1-0. Një vendim që tifozët interistë nuk ia kanë falur kurrë trajnerit.

Kur Raul i tha lamtumirë Real Madrid, ishte vetëm 33 vjeç, shumë më i ri në krahasim me 40 vitet e kaluar ose pothuajse të arritur nga flamujt e futbollit italian. Kishte nënshkruar një kontratë të përjetshme me skuadrën ku kishte lindur si futbollist dhe që, ashtu si Del Piero, e kishte ndihmuar të pushtonte botën.

Por në një skuadër që kishte Cristiano Ronaldo-n, ai u kthye shumë shpejt në një lojtar stoli, për këtë arsye mori vendimin për të thënë lamtumirë, sepse “Bernabeu” mërmëriste, sepse Florentino nuk e donte dhe sepse Mourinho, sapo kishte marrë drejtimin e ekipit, nuk mund t’i premtonte një vend si titullar. Ja përse në 2010-ën u transferuar te Schalke, në Gjermani, ku realizoi gola të tjerë në Champions, duke përmirësuar rekordin e tij, që më pas është thyer nga jashtëtokësorët Messi dhe Ronaldo, me këtë të fundit që mori dhe numrin e tij te Real-i.

Për Iker Casillas gjërat kanë shkuar edhe më keq: Mou e nxori jashtë loje, me Ancelotti-n fitoi një Champions, por “Bernabeu” filloi ta vërshëllente pas disa gabimeve dhe aventura e tij te “Los Blancos” shkoi drejt një fundi aspak të lumtur.

Kështu, në moshën 34-vjeçare, portieri tha lamtumirë dhe shkoi te Porto. 2015-ta ka qenë e mbushur me lamtumira të bujshme, nga Gerrard te Xavi, duke kaluar nga Cech dhe Schweinsteiger. Por mbrapa lotëve të Casillas ka pasur diçka më shumë, ato lot kanë ardhur nga tymi i shkaktuar nga djegia e një flamuri./ Telesport

1 komente në “Nga Totti te Maldini, fundi i hidhur i legjendave”

  1. .... says:

    Harrojn se ju kalon koha dhe koha nuk te pjerdh se kush je per kohen je thjesht nje numer si gjithe te tjeret dhe asgje me shume

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje