Një çështje politike e përfshirë në futboll, ajo që kishte protagonist lojtarin e Lokomotivës së Moskës, Dmitriy Tarasov. Mesfushori u gjobit me 300 mijë euro nga klubi rus, pasi në fund të ndeshjes së Europa Leagua ndaj Fenerbahce-s në Turqi u paraqit me një bluzë ku ishte stampuar fotografia e presidentit Vladimir Putin.
Episodi nxiti protestat e tifozëve në Stamboll, por edhe të mediave turke, që e cilësuan ngjarjen një provokim të rëndë. UEFA vendosi të hapë një hetim për sjelljen e Torasov, i cili akuzohet se shkeli rregullin që ndalon propagandën politike, ideologjike apo fetare në fushat e futbollit.
28-vjeçari, i cili është pjesë edhe e Kombëtares ruse rrezikon një pezullim nga të gjatë Konfederata Europiane e Futbollit. Ndërkohë, agjencia ruse e lajmeve R-Sport njoftoi se klubi i Lokomotivës së Moskës vendosi ta gjobitë futbollistin.
Masa ndëshkimore në vlerën 300 mijë euro është një ndër më të rëndat të dhëna në histori. Por, pas gjobës së bujshme, fshihet një prapaskenë që nuk mund të anashkalohet. Sipas agjencisë ruse “Lifeneës”, Tarasov u detyrua që ta veshë bluzën me fotografinë e Putin nga presidentja, Olga Smorodskaya. Drejtuesja e klubit moskovit cilësohet si një person që është gjithmonë e informuar rreth të asaj që ndodh brenda ekipit dhe nuk mund të mos ishte në dijeni të veprimit të mesfushorit.
Arsyeja që e shtyu presidenten Smorodskaya ta detyronte lojtarin për një veprim të tillë mbetet mister. Në Rusi dyshojnë se drejtuesja e Lokomotivës së Moskës, që gjatë drejtimit të saj në nivel financiar ka prodhuar më tepër shpenzime sesa përfitime, synon që me këtë veprim të sigurojë votëbesimin e Bordit Drejtues të klubit, që në fund të sezonit do të vendosë nëse do ta konfirmojë si presidente apo jo.