Një deklaratë lufte e mbushur me dashuri. Arturo Vidal po përgatitet për sfidën e dyfishtë kundër Juventus (të martën ndeshja e parë, më 16 mars takimi i dytë në Mynih) dhe po e bën këtë si luftëtar. Edhe pse këtë herë nuk do të jetë njësoj si ndeshjet e tjera:
“Do të jetë një sfidë e çuditshme, sepse në Torino kam kaluar 4 vite fantastike”, ka thënë mesfushori kilian për të përditshmen gjermane “TZ”.
“Por tani mbroj fanellën dhe ngjyrat e Bayern dhe do të jap jetën për skuadrën time”, vijoi ai.
Kiliani, i cili ka fituar 4 kampionate në Torino, një Kupë të Italisë dhe dy Superkupa të Italisë, të martën do të zbresë në fushë me mentalitetin e zakonshëm, edhe pse ka pranuar se:
“Po, Juventus më mungon. Kanë qenë 4 vite shumë të bukur, ku kam krijuar një lidhje të fortë edhe me tifozët”.
Javën e kaluar Vidal është kritikuar sepse, gjatë një interviste për UEFA-n, nuk ka përfshirë asnjë lojtar të Juves në listën e tij të 5 lojtarëve më të mirë, madje duke zgjedhur Neuer para Buffon.
Këtë herë Arturo ka qenë më diplomatik:
“Më mungojnë shumë ish-shokët e skuadrës. Flas akoma me shumë prej tyre. Kohët e fundit kam folur me Caceres dhe Buffon, por kam një marrëdhënie të mirë me të gjithë, me vjen mirë që do të takohemi përsëri”.
Por duhet të jetë e qartë, në fushë Vidal do të jetë luftëtari i zakonshëm.