Mërgim Mavraj është një nga surprizat e Koln-it në këtë pjesë të dytë të sezonit.
Nga zgjedhje e katërt në qendrën e mbrojtës në muajin Dhjetor, futbollisti i Kombëtares Shqiptare është aktivizuar titullar në tre takimet e fundit në Bundesligë, në barazimet 1-1 me Wolfsburgun dhe Hamburgun si dhe në fitoren 3-1 me Eintrahtin e Frankfurtit. Vetë 29-vjecari e pranon me mediat vendase se një muaj më parë as që e mendonte që do të kishte këtë vazhdimësi.
“Në ndeshjen me Stuttgartin, nuk u grumbullova dhe as që e mendoja se në takimin pasardhës në Bundesligë do të luajë titullar. Duhej të isha realist, por fati deshi që të luaja ndaj Wolfsburgut dhe në dy ndeshjet pasardhëse”, – u shpreh fillimisht mbrojtësi i Koln-it.
Mavraj thjesht shfrytëzoi momentin, pasi iu dha mundësia për të luajtur për shkak të dëmtimit të Dominique Heintz.
“Unë jam një lojtar profesionit, vijoi më tej Mavraj, – dhe kam punuar shumë për të qenë gati. Trajneri e vlerësoi shumë lojën time ndaj Wolfsburgut. Vërtet jam i befasuar që gjithcka shkoi mirë, jam i lumtur që jam rikthyer në formacion pas shumë kohësh. Trajneri më ka dhënë shumë besim, kjo që po ndodh është e mrekullueshme.”
2015-ta ka qenë një vit i vështirë për Mavrajn në aspektin personal, për shkak të humbjes së babait të tij, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë. Për këtë ngjarje futbollisti kuqezi shprehet:
“Babai im, që gjithmonë më ka qëndruar pranë në momentet më të vështira, fatkeqësisht ndërroi jetë. Kjo ngjarje më ka prekur shumë, ishte një goditje e rëndë për mua”.
Mavraj theksoi më tej se ka shumë besim te vetja, edhe nëse dicka nuk shkon mirë gjatë ndeshjeve, ai është i aftë ta përballojë presionin dhe të dalë nga situata. Aktivizimi i në vazhdimësi i Mavrajt është një lajm shumë pozitiv edhe për Kombëtaren Shqiptare në prag të Euro 2016, pasi 29-vjecari konsiderohet një nga pikat më të forta të formacionit të De Biasit në repartin e mbrojtjes.