Media angleze/ Bersant Celina, “fëmija” i City me ambicie të mëdha për Kosovën

20 Shkurt 2016, 14:28Sport TEMA

Bersant Celina dëshiron të jetë një “pionier”. Kjo është arsyeja pse ka zgjedhur të luajë për Kosovën, vendin e lindjes së tij, para Norvegjisë, ku ai u rrit. Kosova kurrë nuk ka luajtur një ndeshje konkurruese zyrtare, por Celina ende ëndërron të jetë kapiten i saj në një Kupë Bote. Dhe, përse jo? Ky është vetëm një pjesë e vizionit të tij ambicioz. 19-vjeçari është në prag të një tjetër arritjeje më të afërt. Nesër ka të ngjarë të startojë nga fillimi për Manchester City, në “FA Cup”, kundër Chelsea, në “Stamford Bridge”. Manuel Pellegrini do të luajë me një formacion të ri, duke pasur parasysh udhëtimi e City drejt Kievit, në Champions, javën e ardhshme.

Kelechi Iheanacho, i cili është, gjithashtu, 19 vjeç, tashmë ka nëntë gola me ekipin e parë në këtë sezon, ndërsa Celina është në pritje të promovimit. Ai është trajnuar me ekipin e parë të klubit prej gati 18 muajsh dhe ka luajtur vetëm një herë me Manchester City. Dy javë më parë u aktivizua në minutat e fundit të humbjes ndaj Leicester City. Brenda pak minutash, ai asistoi Sergio Aguero, që shënoi golin e ngushëllimit për të tijtë. “Ishte një moment krenar për mua, por kjo nuk do të thotë asgjë, sepse kemi humbur”, – thotë Celina në “Lowy Hotel” të Manchesterit, jo larg nga qendra e sheshtë e qytetit. Kjo është intervista e tij e parë e madhe me një gazetë britanike. Ai ka qenë këtu prej katër vjetësh, ndërkohë që anglishtja e tij është e përsosur.

Celina beson se është i gatshëm për të luajtur me të rriturit. Ai konsiderohet talent te Manchester City dhe si i ri e ka impresionuar personalisht Pellegrinin. Kishte interes serioz nga Celtic, Middlesbrough dhe Derby County për një huazim të tij muajin e kaluar, por Pellegrini vuri veton. Me Samir Nasri dhe Kevin de Bruyne të dëmtuar, skuadra e tij ka nevojë për mesfushorë krijues. Klubi i City është duke u përpjekur ta lidhë Celinën me një marrëveshje të re, që do të zgjasë pesë vite e gjysmë. Pellegrini do të jetë në krye të “qytetarëve” edhe vetëm 3 muaj, por Celina ndien një borxh mirënjohjeje ndaj tij.

“Unë i jam shumë mirënjohës, – thotë Celina. – Pellegrini me të vërtetë më ka ndihmuar, ndaj kam një ndjenjë mirënjohjeje, përveç respekti, për të. Ai më ka bërë një lojtar më të mirë. Trajneri më thotë si ta bëj çdo gjë në mënyrë të thjeshtë dhe të mos e humbas topin.” David Silva është shembull i përkryer. “Kam mësuar shumë vetëm duke shikuar David Silva, – thotë Celina. – Më mrekullon mënyra si ai luan, si e përdor topin, si kujdeset për ta pasuar e mos humbur atë. Mundohem t’i mësoj të gjitha detajet në lojën e tij.” Celina është duke punuar në detaje dhe pranon se ka ende për t’u përmirësuar në aspektin e tij mbrojtës. Teknikisht, ai është i mirë sa të gjithë në klub.

“Unë nuk dua ta humbas topin shumë. Kam teknikë të mirë, – thotë ai, me një mungesë të admirueshme të përulësisë së rreme. – E di çfarë mund të bëj me topin. Dhe në qoftë se bëj veprime të drejta, mbrojtësit nuk mund të vijnë pranë meje.” Vendimi më i madh i Celinës ka të bëjë me të ardhmen e tij ndërkombëtare. Jeta e tij është një histori tipike për një futbollist modern, por me një fund atipik. Ai ka lindur në shtator 1996, në Prizren të Kosovës, 20 minuta nga kufiri shqiptar. Kur nisi lufta në vitin 1998, nëna e tij, Mimoza, mori foshnjën (Bersantin), – ai nuk e mban mend këtë – dhe vëllain më të madh, Behajdin, për të mbërritur në Norvegji.

Ata u vendosën në Drammen, në një komunitet të madh të emigrantëve të Kosovës, ku u bashkua edhe babai Eduar, dy muaj më vonë. Shumë nga kushërinjtë e tij kanë qëndruar në shtëpi. Celina u rrit duke folur gjuhën norvegjeze në shkollë dhe atë shqiptare në shtëpi, duke luajtur futboll për pesë, ose gjashtë orë në ditë, çdo mbrëmje me djem të tjerë kosovarë pranë. Ai e shikonte futbollin e “Premier League” në televizion dhe gjithmonë ka ëndërruar për të luajtur këtu. Celina ishte një lojtar i mirë, që kishte nënshkruar me Strømsgodset si nxënës dhe filloi të luajë për ekipet kombëtare norvegjeze të grup-moshave.

“Jam rritur në Norvegji dhe gjithmonë kam kërkuar për të luajtur për Norvegjinë,” – thotë ai. Kjo i përket kohës kur ai luante për Norvegjinë U-16 dhe skautët e Manchester City e panë atë për herë të parë. Ai ende ndihet norvegjez, flet me agjentin e tij, Freddie Akehurst. Por, në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia. Në vitin 2012, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami dhe Granit Xhaka, të gjithë kosovarë, që luajnë për Zvicrën, i kanë shkruar FIFA-s, duke kërkuar që Kosova të lejohet të luajë ndeshje ndërkombëtare. FIFA, në fund u pajtua. Kështu, në mars të vitit 2014, shteti i ri ka luajtur miqësoren e sanksionuar zyrtarisht, kundër Haitit në Mitrovicë. Një mundësi e re u hap për Celinën, 17-vjeçar, që vetë ai nuk e kishte parashikuar.

Në këtë ndeshje të parë ai ishte në stol. “Unë kam vendosur të luajë për Kosovën, sepse mund ta ndihmoj vendin tim në reputacion, sepse kemi potencial për të ndërtuar një kombëtare të mirë”, – thotë Celina. – Çdo vend duhet të ketë një ekip kombëtar. Unë e di se bashkëvendasit tanë na na mbështesin.” Celina ka vazhduar të luajë për Norvegjinë deri te U-21, por tashmë mendon vetëm për Kosovën. Me këtë kombëtare shënoi golin e tij të parë, në një miqësore emocionale kundër Shqipërisë, në Prishtinë, nëntorin e kaluar, me gjithë turmën e tifozëve që brohorisnin për të dyja palët.

Pikërisht këtë vit ai kishte për të zgjedhur. Kosova ka aplikuar për t’u pranuar si anëtare me të drejta të plota nga UEFA dhe FIFA, në kongrese e tyre vjetore, në muajin maj. Nëse lejohet të luajnë ndeshje zyrtare, Kosova do të jetë pjesë e procesit të kualifikimit për Kupën e Botës 2018. Celina mendon shumë për këtë, ndaj zgjodhi për të luajtur me atdheun e tij, në vend të Norvegjisë. “Kjo është zgjedhje zemre, – thotë Celina. – Kur kthehem në Kosovë, ndihem se jam duke shkuar në shtëpi.” Shumica e ekipit kombëtar të Kosovës është si Celina, të rritur në Norvegji, Suedi dhe Zvicër.

Jo shumë prej tyre janë aq të mirë sa ai, edhe pse talente të tjera kosovarë kanë zgjedhur kombëtare të vendeve të tjera. Anësori i Manchester United, Adnan Januzaj, prindërit e të cilit janë kosovarë, ka zgjedhur Belgjikën në vitin 2014, pak para se të luhej ndeshja e parë e Kosovës. “Unë dua të jem një model, një frymëzim, – thotë Celina, duke shpresuar se shembulli i tij do të tërheqë më shumë lojtarë në anën kosovare. – Dua ta ndihmoj vendin tim për të ndërtuar një kombëtare të mirë dhe shpresoj se një ditë do të jem kapiten i Kosovës. Kjo është ajo që unë dua më shumë.”/ Independent/Telesport

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje