Durrës/ Zbulohen 550 mijë paketa cigare kontrabandë, arrestohen 3 shtetas

24 Shkurt 2016, 09:24Ekonomia TEMA

Si pasojë e një hetimi disaditor nga strukturat e Departamentit Operativ – Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Antikontrabanda dhe Hetimi, në bashkëpunim me Seksionin kundër Krimit Ekonomik e Financiar të Drejtorisë së Policisë Durrës dhe partnerët e huaj, dje në mbrëmje u finalizua në Doganën e Durrësit operacioni “EKLIPS”, ku u zbulua një sasi prej 550 mijë paketa cigare kontrabandë, të markës “Merhaba” dhe për pasojë u arrestuan në flagrancë 3 shtetas.

Ata janë:

– I.A., i lindur në Tetovë, Maqedoni dhe banues në Tiranë, me kombësi shqiptare e shtetësi maqedonase

– Gj.S., e lindur në Turqi dhe banuese në Maqedoni, me kombësi shqiptare e shtetësi maqedonase

– I.D., i lindur dhe banues në Tiranë, me kombësi e shtetësi shqiptare

Këta shtetas u kapën në flagrancë në portin e Durrësit, duke tentuar që me automjetin me targë AA679KU, i cili vinte nga Mali i Zi dhe kalonte transit nëpërmjet Shqipërisë për në Itali, të transportonin sasinë prej 550 mijë paketa cigare.

Vlera e këtij malli në tregun e lirë arrin në afro 154 milionë lekë.

Nga hetimet e deritanishme mendohet se destinacioni final i mallit ishte Sllovakia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Shkelje të të drejtave të pronësisë industriale”, parashikuar nga nenet 172 e 149/a të Kodit Penal.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje