HETIMET/ Policët shantazhonin pronarët e shtëpive pa leje, për t’iu marrë para

25 Shkurt 2016, 18:21Kronika TEMA

Policët që u arrestuan për ndërtimet pa leje në Kamëz u përgjuan gjatë të gjithë vitit 2015.

Sipas prokurorisë, kishte raste kur policët zbulonin një ndërtim që kryhej pa leje dhe e denonconin në Prokurori, por ndërkohë lejonin kryerjen e punimeve.

Në shumë raste të tjera ata shantazhonin pronarët e shtëpive, sepse bllokonin punimet dhe nuk dërgonin asnjë material në prokurori, raporton ABC.

Në disa raste, punëtorët  janë kapur ne flagrancë duke bërë ndërtim pa leje, janë shoqeruar në polici dhe nuk janë dërguar materiale në Prokurorinë e Tiranës.

Skemat e policëve u zbuluan pas përgjimit disa mujor gjatë vitit të kaluar, përmes filmimeve dhe fotografive.

Prokurorët thanë se kanë prova që faktojnë se punonjësit e policisë, Fatmir Mulaj dhe Qemal Sinaj kanë favorizuar ndërtimet pa leje, pasi kanë marre para.

Sipas prokurorisë, në zonën e Paskuqanit janë evidentuar rastet kur është ndërtuar pa leje dhe ndaj pronarëve nuk është marre asnjë veprim nga policia.

Të gjitha këto raste dëshmojnë se policia ka qenë në dijeni, por nuk ka vepruar kundrejt shpërblimit në para.

Të mërkurën u vunë në pranga edhe 6 punonjës të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor, pasi lejonin ndërtimin e paligjshëm në Kamëz.

Për vitin 2015 janë referuar në prokurori 84 raste për ndërtime pa leje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje