Historia e trishtë e Giuseppe Rossi: Te Levante për ëndrrën Euro 2016

1 Mars 2016, 17:16Sport TEMA

Në fund të viteve 1950, një djalë i ri i quajtur Jose Besalduch u shpërngul në Valencia dhe filloi një punë si punëtor ndërtimi i një kulle shumë pranë stadiumit të vjetër të Levante-s “Valejo”. Ajo ndërtesë akoma nuk kishte ashensorë, por prapëseprapë çdo fundjavë ai dhe bashkëpunëtorët e tij do të ngjiteshin në katin e pestë për të parë ndeshjen poshtë tyre. Besalduch është 85 vjeç sot, por atë pasditet e së dielës ishin fillimi i një dashurie të bukur midis tij dhe ‘klubit tjetër’ të Valencia-, Levante. “Babai im ka qenë tifoz me Valencia-n,” shprehet ai për gazetën spanjolle Levante-EMV në vitin 2014. “Ai ma kishte bërë të qartë: ‘Mos u bë tifoz me Levante. Do të vuash gjatë gjithë jetës sepse ata nuk fitojnë kurrë trofe.” Por Besalduch nuk e dëgjoi këshillën e babait të tij, dhe ndoqi Levante-n me fanatizëm, megjithëse babai i tij kishte të drejtë. Arritja në finalen e Copa del Ray në vitin 1935 mbetet suksesi më i madh i ekipi me një histori 106-vjeçare.

Mbi gjysmë shekulli si tifoz, Besalduch ka vuajtur jo pak, teksa e ka ndjekur ekipin e tij edhe në kategorinë e dytë apo të tretë. 50 vitet në stadium e kanë bërë një personazh të njohur midis tifozëve të Levante, duke i vënë nofkën “El Gasolina” pas shumë vitesh të kaluara te daullet. “Tani, kur shoh një ndeshje me 17,000 spektatorë, ndonjëherë filloj të qaj nga emocionet. Pas gjithë atyre gjërave që kam parë, tani qaj shumë kollaj.” Në janar, emocionet e Besalduch u kanë edhe nga televizori teksa po prezantohej blerja e re, sulmuesi Giuseppe Rossi. Lojtari i përfaqësueses italiane, tashmë 29 vjeç, ka rënë dakord të largohet nga ekipi që luan për një vend në Champions League, Fiorentina, dhe t’i bashkohet ekipit që lufton për mos të rënë nga kategoria Levante. “Jam shumë i gëzuar që të shoh,” i thoshte Besalduch italianit gjatë prezantimit. “Do të shihemi bashkë ditë për ditë. Faleminderit shumë që erdhe te Levante.”

Edhe për Rossi-n udhëtimi ka qenë emocional. Kampionati e njeh shumë mirë atë, pasi ka luajtur 192 ndeshje me Villarreal duke shënuar 82 gola nga viti 2007 deri në 2012. Por paraqitjet brilante të sulmuesit janë ndaluar jo rrallë nga dëmtimet dëshpëruese të gjurit që e kanë përndjekur përgjatë gjithë karrierës së tij. Rossi vjen nga New Jersey i Shteteve të Bashkuara, por kur ishte vetëm 12 vjeç ai kaloi përmes Atlantikut për t’iu bashkuar Parma-s në vendlindjen e prindërve të tij emigrantë. Rossi ishte një yll i destinuar për t shkëlqyer, dhe nuk kaloi shumë kohë derisa Manchester United shfrytëzoi trazirat financiare të ekipit italian për t’ia rrëmbyer sulmuesin e shkathët për në “Old Trafford”.

Rossi ishte 16 vjeç kur debutoi me ekipin e parë në ndeshjen e FA Cup kundër Crystal Palace në vitin 2004, 11 muaj më vonë ai shënoi debutimin e tij në Premier League pasi zëvendësoi Ruud van Nistelrooy në fitoren 3:1 të United kundër Sunderland. Alex Ferguson e përshkroi si të ardhmen e klubit, kur ai nënshkroi kontratën në vitin 2006, por nuk ishte e shkruar. Pas një periudhe huazimi për t’u harruar me Newcastle dhe një tjetër akoma më të keqe te Parma në 2006/07, sulmuesi shtatshkurtër u cilësua si shumë i lehtë për të përballuar Premier League. Ishte Manuel Pellegrini i cili e morri me vete te Villarreal për afërsisht 10 milionë euro, për të zëvendësuar Diego Forlan.  Në Spanjë, ai i tregon ish-trajnerit të tij gabimin që ka bërë që e la të largohet. Me ndihmën e tij Villarreal arrin të kap një vend të dytë historik në La Liga Gjatë vitit 2010/11 ai shënoi plot 32 gola në 56 ndeshje zyrtare. Por e keqja nuk kishte ardhur akoma.

Dëmtimet e tij të shpeshta në gju kanë qenë shkatërruese për të. Duke e lënë jashtë turneve verore si Evropiani apo Botërori. Nuk ishte vetëm Rossi që vuante, por pa lojtarin  tyre kryesor edhe Villarreal zbriti një kategori më poshtë për herë të parë që prej vitit 1998/99. Lojtari luajti ndeshjen e tij të fundit me ‘nëndetësen e verdhë’ në janar të vitit 2013. Dhe megjithëse i dëmtuar në ligamentet e gjurit, Fiorentina pagoi 10 milionë euro për të. Rossi shpresonte t’i shpërblente besimin Fiore-s por sërish dëmtimet e mbajtën larg, megjithëse muajt e parë ai u duk sikur ishte rikthyer ai i mëparshmi, i paharrueshëm tregolëshi i tij brenda 14 minutave kundër Juventus.

Montella e cilësoi si një “gjeni i futbollit”. Pas dëmtimit të radhës ishte e vështirë për Rossi-n të rigjente formën e tij Pas shumë muajsh jashtë fushe ai akoma shpreson për një vend në Euro 2016, prandaj vendosi të largohej. Ai nuk mund t’i thoshte jo ofertës së Levante-s për të luajtur si titullar, dhe mbërritja e tij ishte historike për klubin. “Mund ta shihje që në minutën e parë që ai shkeli në fushat stërvitore se ai revolucionoi jo vetëm klubin, por edhe shokët e skuadrës,” thotë trajneri i Levante-s Rubi. “Ata janë të kënaqur që kanë një lojtar cilësor ë ekip, dhe kjo na shërben.” Përreth stadiumit të ri të Levate nuk  ka më kulla pesëkatëshe nga të cilat mund të shohësh ndeshje, por Besalduch do të jetë aty. Duke shpresuar, duke pritur. Si vetë Rossi.

Telesport

1 komente në “Historia e trishtë e Giuseppe Rossi: Te Levante për ëndrrën Euro 2016”

  1. bobi says:

    Levantes dhe rossi ska ca ti bejne se levante sivjete dele nga la liga, kete jave do ta shikojne me real mdrite ne stadjume, dhe jame i sigurte qe reali do shfryhet tek levante kete jave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje