Lulzim Basha nga SHBA ka një qëndrim ndryshe nga Berisha dhe Paloka në Tiranë, të cilët kërkojnë të shtyjnë reformën në drejtësi për pas zgjedheve. Basha duke komentuar zërat për zgjedhje të parakohshme ose për reformë thotë:
“Kjo nuk është një çështje zgjedhjesh: O reformën në drejtësi ? O zgjedhje të lira e të ndershme? Edhe reformën në drejtësi edhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Reformën në drejtësi për të vënë para përgjegjësisë, para ligjit zyrtarët e korruptuar. Për të vënë para ligjit kriminelët me lidhje me pushtetin, të cilët bashkërisht shkelin ligjin duke i imponuar qytetarëve një tirani dhe duke qëndruar për vete me privilegjet e tyre, me korrupsionin e tyre mbi ligjin dhe jashtë ligjit sot e gjithë ditën.
Dhe nga ana tjetër zgjedhje të lira dhe të ndershme për të vënë para përgjegjësisë keqqeverisjen e këtyre tre viteve. Pra, dilema nuk është reformë në drejtësi apo zgjedhje të parakohshme. Edhe reformë në drejtësi edhe zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është mesazhi që dua të ndaj sot nga Uashingtoni dhe për të cilën kam marrë mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të partnerëve tanë dhe të përfaqësuesve të tyre në Kongresin Amerikan”, theksoi zoti Basha.