Ekzekutimi i ish-policiti: Vrasësi shmangu kamerat pasi qëlloi me 5 plumba

20 Mars 2016, 09:33Kronika TEMA

Hetimet e zhvilluara prej katër ditësh kanë dështuar të identifikojnë autorin e vrasjes së ish-policit rrugor Ajet Zeqaj, që u ekzekutua në zonën e ish- Bllokut në Tiranë, më 16 mars, në mbrëmje.

Autori i atentatit duket se ka qenë një profesionist i vërtetë në veprimet që ka kryer, pasi ka lënë armën e krimit në vendin e ngjarjes, por nuk ka lënë asnjë shenjë dalluese.

Po kështu, zona e zgjedhur për të kryer atentatin ka qenë në errësirë dhe e pambuluar nga kamerat e sigurisë të bizneseve private në zonë. Burime nga Prokuroria dhe Policia e Tiranës kanë thënë per “Panorama” se grupi i hetimit ka dyshime se vrasja është kryer nga “vrasës me pagesë”.

Përgjatë tri ditëve, hetuesit kanë verifikuar dhe kanë kthyer disa herë pamjet e kamerave filmike të marra nga 12 biznese në krejt zonën ku ndodhi ngjarja. Vetëm njëra prej kamerave ka fiksuar lëvizjen e autorit të krimit në 3-4 metra të itinerarit të tij, teksa largohet nga vendi i ngjarjes.

Asnjë kamera tjetër nuk përmban pamje të autorit të krimit. Edhe ajo kamerë që ka kapur segmentin e lëvizjeve së autorit nuk ka pamje identifikuese pasi personi duket në gjysmëerrësirë, mban kapele me strehë në kokë dhe nuk mund të identifikohet.

Dyshohet se autori ka shmangur zonën e ekspozuar në kamera pasi e ka studiuar mirë për disa ditë terrenin ku do të vepronte.

Arma e krimit, një pistoletë “Beretta” 9 mm, e lënë në vendngjarje, nuk rezultoi të kishte asnjë gjurmë dhe nga krahasimet e bëra deri tani nuk përputhet me asnjë ngjarje kriminale të mëparshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje