Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka mbërritur në Kosovë, ku pritet t’i vizitojë disa nga vendet ku banojnë serbët.
Vuçiç ka hyrë në territorin e Kosovës nga pika kufitare në Jarinje, kurse për momentin ndodhet në Leshak.
Ai do t’u drejtohet qytetarëve në Zubi Potok, ndërsa do të vizitojë edhe disa vende tjera. Kurse, në kohën kur po pritet të ndodhë kjo vizitë, në veri të Kosovës janë vendosur posterë dhe billboard-a, ku i urohet mirëseardhje kryeministrit serb.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç u ka thënë mediave serbe se Vuçiç do të takohet me minatorët e Trepçës, do të vizitojë Zubin Potokun dhe Mitrovicën.
“Është një mbështetje e madhe për njerëzit atje që jetojnë në kohë të vështira” ka thënë Gjuriç.
Ndërsa, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se Vuçia do të vijë në Kosovë me leje të lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, raporton Oranews.
Ndërkohë që po punohej për pritjen e kryeministrit serb, një shpërthim i fuqishëm, si dhe të shtëna armësh automatike janë dëgjuar rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në shtëpinë e kulturës në Zubin Potok, pikërisht ayt ku Vuçiç do të mbajë edhe një fjalim, por sipas Kosovapress nuk ka të lënduar në njerëz.