Në skandalin e Panama Papers,është shfaqur edhe emri i Efraim Diverolit, i cili është hetuar në Shqipëri për trafik ndërkombëtar armësh, raporton Dita.
Efraim Diveroli, pronari i kompanisë së armëve AEY dhe nënshkruesi i një kontrate 300 milionë dollarësh municionesh me Pentagonin, është dënuar me 4 vjet heqje lirie për tentativën e dërgimit të armëve dhe fishekëve të ndaluar të prodhimit kinez në Afganistan.
25 vjeçari do ta kryejë dënimin në një burg federal.
Gjykatësja Joan Lenard ia njohu meritën e pranimit të krimit, duke qenë se Diveroli u deklarua fajtor në vitin 2009 për akuzën e mashtrimit. Por Lenard shtoi se ai e meritonte një qëndrim të mirë në burg për faktin se skema e tij mund të vinte në rrezik jetët e ushtarëve amerikanë dhe aleatëve të tyre afganë. Një pjesë e mirë e municioneve ishte dhjetëra vjeçare e me të gjitha gjasat, edhe të skaduara.
Emri i Diverolit është i njohur në Shqipëri pikërisht si ai i pronarit të firmës që merrte municionet nga Gërdeci. Fishekët kinezë që ai ia dërgonte nga Shqipëria ushtrisë amerikane në Afganistan duke u falsifikuar origjinën, çuan në arrestimin e tij në 2008-n.
Në sallën e gjyqit të mbushur plot, gjykatësja Lenard tha se “është për të ardhur keq që dikush merr pjesë në një mashtrim të tillë në kurriz të njerëzve që vënë jetët në rrezik për të mirën e vendit të tyre”. “Dhe e gjithë kjo, bëhet për para”, vazhdoi ajo.
Diveroli bëri ca vite burg, shprehu pendesë për atë që bëri dhe për lakminë “ndaj parave të shpejta”, shokët e tij u ndanë paq me arrest shtëpie. Ndërsa këtu në Tiranë, djali i ish kryeministrit bën jetë luksoze dhe hedh romuze në Facebook. Ai ka në plan të ngrejë një familje të re, por ndërkaq nuk e duron dot këtë qeveri të re, të korruptuar.