Berlusconi i pavendosur, tifozët kërkojnë shitjen e Milanit

30 Prill 2016, 14:28Sport TEMA

Milani është në kaos. Në të gjitha drejtimet. Ndryshimi në stol dhe emërimi i Brocchi-t nuk shërbeu për t’i dhënë impluse të reja lojës dhe rezultateve të skuadrës, për t’u renditur të paktën në vendin e gjashtë të Serisë A dhe të sigurojë vendin në kualifikueset e Europa League. Por, problemet e kuqezinjve nuk lidhen vetëm me drejtimin teknik. Problemet e klubit janë ato që kanë ndikuar në mënyrë të drejtë për drejtë në rendimentin e skuadrës. Përpos mungesës së financave për afrime cilësore, në çështje është kthyer edhe e ardhmja e paqartë.

Drejtuesit e Milanit, me në krye Silvio Berlusconi-n ende nuk i kanë idetë e qarta të rrugës që do të ndjekin. Dilema më e madhe lidhet me faktin nëse presidenti do të vendosë të shesë apo jo aksionet e “Djallit”. Berlusconi nuk dëshiron që ta lejë skuadrën në nivele kaq të ulëta, por ndërkohë aksionarët e vegjël dhe tifozët kërkojnë me të madhje shitjen e klubit. Mundësia e ndryshimit të pronësisë duket reale, me takimin e javës së ardhshme të programuar me grupet kineze të përbërë nga Alibaba dhe nga Evergrande.

Ndryshe nga historia me Mr. Bee, diskutimet e tanishme pritet të shoqërohen me fakte konkrete, mbi të gjitha me sigurimin e fondeve. Bëhet fjalë për 550 milionë Euro, të cilave do t’u shtohen edhe 250 milionë Euro të tjera investim. Berlusconi ashtu si edhe aksionarët e vegjël, po presin me padurim që situata të zgjidhet. Edhe tifozët, prej vitesh të lodhur nga një skuadër që cilësohet “Milani B”, duket se janë dorëzuar. Shitja e klubit është mënyra e vetme për t’u kthyer konkurrues./SS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje