Lulzim Basha tha publikisht në emisionin “Opinion” se ambasadori amerikan është i mirëpritur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Kreu i opozitës shfaqet kështu me një predispozitë maksimale për të ndjekur axhendën amerikane sa i takon reformës në drejtësi.
Megjithatë, anulimimi i mbledhjes së grupit parlamentar, parashikuar për ditën e premte, nuk tregon për një gatishmëri të Bashës dhe PD-së për t’iu bindur miqve amerikanë dhe në veçanti ambasadorit Lu që i ka zënë derën PD-së dhe zyrës së Sali Berishës.
Burime thanë për ResPublica se Basha këtë fundjavë do të jetë në jug të vendit për të vijuar turin e takimeve me qyetatërët, duke marrë disa ditë kohë për t’u pozicionuar rreth draftit final të ekspertëve ndërkombëtarë.
Praktikisht Partia Demokratike ka nisur fushatën elektorale dhe të njëjtat burime konfirmuan për Respublica se opozita do t’i qëndrojë propozimit për të votuar Byronë e Hetimit apo Prokurorinë Speciale, ndërsa për ndryshimet e tjera kushtetuese që kanë të bëjnë me ndryshimet e trupës së drejtësisë (gjyqtarë, prokurorë) dhe krijimin e organeve të reja do të synojë mandatin e ardhshëm.
Propozime qe kanë ardhur nga ish-kryeministri Berisha dhe që kanë marrë edhe mbështetjen e lidershipit të PD-së.