AKSIDENTI/ Prokuroria e Kavajës urdhëron ndalimin e dy zyrtarëve të lartë të Autoritetit Rrugor Shqiptar

12 Maj 2016, 18:09Kronika TEMA

Prokuroria urdhëroi ndalimin e Drejtorit Rajonal të ARRSH-Tiranë, Bib Gjomakaj, si edhe Drejtorit të Drejtorisë Juridike të ARRSH, Dritan Fejzo, në vijim të hetimeve të nisura kryesish pas një aksidenti të ndodhur pasditen e së dielës (08.05.2016) në aksin rrugor Qerret-Plepa, në Kavajë.

Në këtë aksident rrugor humbën jetën dy fëmijë, të cilët ishin në një automjet të drejtuar nga nëna e tyre. Urdhëri i Prokurorisë së Kavajës është zbatuar pasditen e së Enjtes (dt. 12.05.2016).

Nga veprimet e deritanishme hetimore, Prokuroria e Kavajës dyshon se pasojat e aksidentit rrugor do të ishin më të vogla, nëse siguria rrugore e aksit ku ka ndodhur ngjarja do të ishte më e lartë.

Në bazë të dokumentacionit të administruar deri në këtë fazë të hetimit, rezulton se:

Aksidenti ka ndodhur ne rrethanat e humbjes se vemendjes se drejtueses se automjetit, duke kaluar me pas ne hapësiren mes guardarelave (mbrojtësit anësor të karaxhatës) dhe më pas është përplasur me fillimin e guardrelës, e cila vazhdon përgjatë aksit rrugor.

Nga akti ekspertimit autoteknik, ndër të tjera, konkludohet se, lëvizja e automjetit të aksidentuar do të ishte në rrethana të tjera, nëse hapësira e ndërprerë e guardrelave do të ekzistonte e përfunduar, pra e plotësuar, duke bërë që forca goditëse e automjetit të amortizohej.

Në vijim të hetimeve, nga ana e Prokurorisë së Kavajës është marrë praktika e ndërtimit të rrugës, për të përcaktuar arsyen se përse rruga ishte e ndërprerë në mënyrë të tillë.

Nga praktika dokumentare rezulton se hapësira ndërmjet guardarelave është pranë një pike karburanti.

Kjo e fundit, gjatë ndërtimit të rrugës në vitin 2011, ka aplikuar disa herë tek Autoriteti Rrugor për t’i krijuar hapësirë që mjetet të hynin e dilnin nga rruga kryesore në pikën e furnizimit të karburantit.

Kjo kërkesë nuk është miratuar dhe administrator i kompanisë që administronte pikën e karburantit ka paraqitur një padi në Gjykatën Administrative, e cila fillimisht kishte vendosur edhe masën e sigurimit të padisë, në bazë të të cilës autoriteti rrygor duhet të lejonte hapësirën e kërkuar nga shoqëria private deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Më pas, gjykata Administrative e Shkallës së Parë, i ka dhënë të drejtë padisë së pikës së karburantit në përfundim të procesit të gjykimit në themel.

ARRSH e ka ankimuar këtë vendim në Gjykatën e Apelit Administrativ, e cila ka pushuar padinë e kompanisë, duke rrëzuar njëkohësisht edhe vendimin e shkallës së parë.

Në bazë të këtij vendimi, Autoriteti Rrugor Shqiptar duhet të vijonte procedurat për mbylljen e hapësirës ndërmjet guardarelave, si edhe për të marrë masat për sigurinë rrugore në atë pjesë të rrugës, e cila ishte object shqyrtimi gjyqësor.

Vendimi i Gjykatës së Apelit Administrativ është marrë në vitin 2014 dhe deri në ditën e aksidentit tragjik të datës 08.05.2016, nuk janë marrë masat përkatëse si për plotësimin e hapësirës ndërmjet guardarelave, ashtu edhe për rritjen e sigurisë rrugore në këtë pjesë të aksit rrugor.

Për Prokurorinë e Kavajës, përgjegjës për mungesën e masave kanë drejtori juridik i ARRSH-së, Fejzo, si edhe Drejtori Rajonal i ARRSH-Tiranë, Gjomakaj.

Në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se drejtori Juridik nuk ka marrë masat për të vënë në zbatim vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ.

Ndërsa Drejtori Rajonal Tiranë nuk ka marrë masat për vendosur sinjalistikën dhe rritjen e cilësisë rrugore në vendin e ngjarjes së rëndë.

1 komente në “AKSIDENTI/ Prokuroria e Kavajës urdhëron ndalimin e dy zyrtarëve të lartë të Autoritetit Rrugor Shqiptar”

  1. Altin says:

    Po gjyqyari qe ka dhen vendimin pro firmes ne shkallen e pare nuk duhet shkarkuar me ceremoni????

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje