Marrëveshja e 18 marsit 2016 midis BE-së dhe Turqisë për refugjatët u shoqërua me kritika edhe në sesionin plenar të Parlamentit Evropian, që mbahet në Strasburg. Siç dihet, institucione dhe organizata humanitare e kanë kundërshtuar këtë plan, i cili, sipas tyre shkel të drejtat e njeriut dhe të azilit dhe i jep rastin Ankarasë të përfitojë liberalizimin e vizave dhe të përshpejtojë hyrjen e saj në bllokun evropian. Si kusht, kjo e fundit zotohej të frenonte vërshimin e azilkërkuesve drejt Evropës përmes Greqisë.
Në debatin e zhvilluar më 11 maj mbi politikën për azilin dhe vizat, eurodeputetët kanë shprehur shqetësime serioze për mungesën e progresit demokratik në Turqi. Autoritetet turke nuk kanë përmbushur kushtet e BE-së për liberalizimit e vizave për shtetasit turq, tërhoqën vemendjen të zgjedhurit evropianë. Në emër të Këshillit të BE-së, ministrja e Mbrojtjes e Holandës, Jeanine Hennis-Plasschaert, u kujtoi deputetëve se deklarata e 18 marsit, në fakt, vetëm sa ka përshpejtuar një proces që kishte filluar tashmë, sipas udhërrëfyesit të aprovuar që në vitin 2013.
“Ajo nuk është vetëm një dhuratë për presidentin Erdogan apo një koncension, por është diçka që do ta fitojmë të gjithë, miliona turistë evropianë dhe miliona turq, gjithashtu edhe militantët e të drejtave të njeriut.” Por ajo pranoi se “Turqia ka shumë për të bërë për ta merituar këtë ».
Edhe Komisioneri për emigracionin dhe punët e brendshme, Dimitris Avramopoulos ka pranuar se Ankaraja duhet të bëjë më shumë progres, por është shprehuar “optimist” se ajo do t’u japë një shtytje finale reformave që kërkohën deri në fund të qershorit.
Por eurodeputetët duket se nuk janë në një vijë me qëndrimin e zyrtarëve të lartë të BE-së. Pavarësisht se grupi i të djathtës (PPE) e ka mbështetur, në parim, marrëveshjen e 18 marsit BE-Turqi për kthimin e refugjatëve nga Greqia në Turqi, ai kërkon që kriteret të respektohen pa lëshime.”Ne nuk i shkelim normat tona dhe Turqia duhet t’i plotësojë ato para votimit në PE, u shpreh në emër të të djathtëve, Mariya Gabriel.
Nga ana e saj, ish-raportuesja për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, Tania Fajon kritikoi faktin se BE-ja i ka premtuar Ankarasë heqjen e vizave pa verifikuar më parë përmbushjen e të gjitha kërkesave. Akoma më e rreptë ka qenë deputetja Helga Stevens e grupit të konservatorëve progresistë, e cila deklaroi se kushtet ndaj Turqisë duhet të ishin të rrepta, sepse ajo është një vend kandidat i BE-së, pa përdorur standard të dyfishtë ndaj saj. Për më tepër, ajo u shpreh se ishte ndjerë “e turpëruar nga qëndrimi i papërgjegjshëm i Komisionit Evropian ndaj një diktatori”.
“Evropa i është nënshtruar shantazhit të presidentit Erdogan, sepse ne jemi të dobët e të përçarë », theksoi deputetja liberale, Sophie in ‘t Veld’t. Në emër të Frontit të majtë, Marie-Christine Vergiat u shpreh se “unë e mbështes liberalizimin e vizave, por ne nuk duhet të mbyllim sytë para asaj që po ndodh aktualisht në Turqi “. Kurse Rebecca Harms e të Gjelbërve evropianë foli për një sërë shkeljesh të të drejtave demokratike e të njeriut në Turqi. BE-ja nuk duhet të varet nga Ankaraja, por të marrë përgjegjësitë së bashku me OKB-në për të gjetur zgjidhje për krizën e refugjatëve. Ajo e cilësoi një gabim përzierjen e strategjisë së refugjatëve me fqinjësinë.
Deputeti i Lëvizjes italiane të Pesë Yjeve, Fabio Massimo Castaldo u shpreh se marrëveshja BE-Turqi është e kundërligjshme dhe paralajmëroi se presidenti Erdogan “nuk mund të jetë miku ynë.” Së fundi, shefja e Frontit Nacional francez, Marine Le Pen, e njohur për kritikat e saj kundër emigracionit masiv në Evropë, e quajti një « marrëzi » heqjen e vizave për turqit. Ajo shtoi se me gjithë këtë lëshim që po bëhet, presidenti Erdogan nuk do ta frenojë emigracionin, por do ta “përdorë atë si një armë kundër BE-së », thuhet në komunikatën për shtyp të Parlamentit Evropian lidhur me debatin e zhvilluar në séancën plenare për azilin dhe vizat.
Përgatiti: Gjovalin Kola
erdogan; na jepni 3mld e premtuara…..
asnje kokerr e asnje tolerance nese nuk plotesohen nga turqia 72kushtet e vena nga BE,ishin keto fjalet e Tusk……