Çmimi i energjisë qendron i njëjtë për konsumatorët, nuk ndryshon

29 Maj 2016, 20:17Ekonomia TEMA

Çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët nuk do të ndryshojë. Burime zyrtare nga Enti Rregullator thanë për Top Channel se, edhe për gjashtëmujorin e dytë të vitit, tarifat për familjarët dhe biznesin do të mbeten këto që janë aktualisht.

Enti pritet ta zyrtarizojë vendimin në fund të muajit qershor. Por, edhe pse çmimi final i energjisë për konsumatorët nuk do të lëvizë, ERE pritet të ndryshojë tarifat që përfitojnë kompanitë publike KESH, OSHEE dhe OST.

OSHEE, OST dhe KESH, në garë për pjesën e luanit

Vitin e kaluar, çmimi mesatar i energjisë që paguan konsumatorët, sipas Entit Rregullator të Energjisë ishte 11.2 lekë për çdo kilovat. Nga kjo tarifë, KESH përfiton 3 lekë, OST përfiton 0.68 lekë për kilovat, ndërsa OSHEE merr rreth 7 lekë për kilovat/orë, duke përfshirë dhe kostot që kjo kompani paguan për importin.

Nga tarifa prej 3 lekësh që përfiton KESH, rreth 1.5 lekë janë shpërblim për blerjen e energjisë nga HEC-et private dhe importi. Nga 1 korriku të dy këto detyrime i kalojnë OSHEE-së. Por pavarësisht kësaj, KESH ka kërkuar që pjesa e saj e tarifës që përfiton të mbetet e pandryshuar në 3 lekë. OSHEE ka kërkuar që kjo pjesë e tarifës t’i kalojë asaj, meqë detyrimin për blerjen e energjisë nga HEC-et private do ta ketë kjo kompani.

Burime nga Enti thonë se kjo është çështja më e nxehtë në vendimin e ri për tarifat, i cili edhe këtë herë nuk do t’i ulë çmimet për konsumatorët, por do të prekë më shumë kompanitë publike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje