Drejtësia në Shqipëri aq shumë është e kapur nga politika, sa në pak vite vepron me dy standarde në gjykimin dhe qasjen ndaj dy çeshtjeve të përafërta. Duke marrë si shembull rastin e kërkesës së kryeprokurorit Adriatik Llalla që pezulloi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako, për të ashtuquajturat “përgjime”, nuk ka si të të mos vijnë në kujtesë 8 vitet e qeverisjes së ish-kryeministrit Sali Berisha.
Më konkretisht bëhet fjalë për vitin 2008, kur ish-drejtori i SHIK-ut të Gazidedes për Tiranën Arben Sefgjini i cili ishte në arrest shtëpiak për rrëmbimin dhe zhdukjen e veprimtarit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha i pagjetur as sot e kësaj dite, kishte “luksin” që të firmoste shkresat nga shtëpia si Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.
Në vitin 2003 Arben Sefgjini u arrestua në kuadër të hetimit të çështjes “Remzi Hoxha” pasi dyshohej dhe akuzohej për “Shpërdorim Detyre” nga prokuroria gjatë kohës kur ishte drejtues i SHIK-ut, madje ai ishte i dyshuari kryesor për rrëmbimin dhe torturimin e më pas zhdukjen e shtetasit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Sefgjini bëri vetëm pak muaj burg, ndërsa viti 2005 e gjeti PD në pushtet dhe Sefgjini menjëherë u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Përmbarimit.
Në janar 2008 ai u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve pas largimit të Gerta Picarit nga ky post. Në këtë periudhë prokuroria kërkoi arrestin shtëpiak për Sefgjinin ndërsa kreu i Tatimeve për javë të tëra firmoste urdhrat nga apartamenti i tij dhe vazhdonte të mbante postin e Drejtorit falë edhe mbështetjes direkte dhe të shpallur publikisht të ish-kryeministrit Berisha.
Ish-kryeministri Sali Berisha asokohe nuk e mori mundimin që ta shkarkonte nga detyra dhe për më tepër asnjë prokuror nuk kërkoi pezullimin e tij, dhe asnjë gjykatës për pasojë nuk dha vendim për pezullim nga detyra, përkundër rastit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako që dje është pezulluar me vendim të gjyqtarit Arjan Aliaj.
I pyetur në atë kohë ish-kryeministri Berisha në lidhje me qëndrimin në detyrë të Arben Sefgjinit, pavarësisht se ishte në arrest shtëpiak për vrasje, ka deklaruar se “në demokraci derisa të provohet akuza, cilado qoftë ajo, je i pafajshëm dhe nuk mundet askush të të konsiderojë ndryshe. Fajin e fakton gjykata dhe kjo është një nga arritjet më të mëdha në vendin tonë”.
Parë në këtë këndvështrim është e rëndë të dëgjosh akuzat e opozitës së drejtuar realisht po nga Berisha, ndaj drejtorit të Përgjithshëm Haki Çako për të ashtuquajturat përgjime që dhe vetë strubullari i këtij problemi kreu i SHISH Visho Ajazi Lika i ka cilësuar si të pambështetura deri në atë pikë sa nuk ia vlente të njoftohej dhe shqetësohej as kryeministri Edi Rama, nga i cili ai ka varësinë institucionale dhe Kushtetuese.