“Arena Kombëtare”, ruhet pjesa ballore. Rama kundër kritikëve

22 Qershor 2016, 15:53Kronika TEMA
“Arena Kombëtare”, ruhet pjesa ballore. Rama kundër

Ndeshjet eliminatore për kampionatin e ardhshëm europian kombëtarja jonë e futbollit do ketë mundësi t’i luajë në një shtëpi të re. Pas “Elbasan Arana”, prej disa javësh ka nisur puna intensive për ndërtimin e impiantit më të madh dhe modern të futbollit shqiptar në Tiranë, Arena Kombetare.

Kryeministri Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ndoqën sot nga afër punën që po kryhet për çmontimin e stadiumit të vjetër “Qemal Stafa”, i cili do t’i lerë vendin “Arenës Kombëtare”.

“Shikojmë me kënaqësi se po avancon me shpejtësi të madhe, siç është në fakt, në filozofinë e Bashkisë së re të Tiranës, ky projekt historik që do t’i kthejë në fakt Tiranës një vlerë të jashtëzakonshme përmes një investimi të jashtëzakonshëm, duke bërë të mundur që në vend të ngrehinës së vjetër, ku as futboll në nivel ndërkombëtar nuk luhej dot, por as për qytetarët nuk ofrohej asgjë.

Një stadium nesër ndër më të bukurit e Europës, një hapësirë urbane dhe publike ndër më të bukurat, në mos më e bukura e Tiranës së shekullit të ri, dhe një përgjigje e merituar për të gjithë ata që nuk dinë asgjë tjetër përveçse të ngrenë gishtin e akuzës nga kafenetë ose nga kafja e madhe e pazarit të thashethemeve. Unë jam shumë krenar që ky projekt vjen vërtet në një kohë që përkon me shembullin e jashtëzakonshëm që kombëtarja u dha të gjithëve, se çfarë është në fakt, për një popull, për një shoqëri, për një vend si i yni, sporti dhe suksesi në sport”, tha kryeministri, Edi Rama.

Ndërkohë që, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vuri në dukje se deri më tani punimet kanë ecuri me ritme të larta, duke theksuar rëndësinë që i është dhënë zhvillimit të sportit në vendin tonë, duke përmendur këtu një sërë investimesh të rëndësishme të karakterit sportiv në territorin e Bashkisë së Tiranës.

“Ne kemi avancuar jashtëzakonisht me procesin e çmontimit, 70 % është kryer, besoj se brenda javës përfundon ky proçes. Është ndoshta mënyra më e mirë për të pritur Kombëtaren kur të kthehet me përgatitjet për projektin e ri. Besoj se jo vetëm 24 muaj, por ndoshta edhe më shpejt, do të kemi mundësi që të kemi një fushë komplet të re”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ai ka shtuar se nga ky projekt, qytetit i vijnë edhe një sërë përfitimesh të tjera, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe infrastrukturor. “Përveçse ka një tempull të futbollit, që besoj vjen në momentin më të mirë, qyteti do përfitojë 4 sheshe publike, që momentalisht nuk i ka, në secilën prej anëve, veri-jug-lindje-perëndim, që do të jenë për përdorim publik gjatë gjithë ditëve që nuk ka ndeshje. Jemi sot në një proces vendim-marrje, ku si parkingu përpara, si parkingu mbrapa, kthehen në 2 parkingje nëntokësore”, shtoi Veliaj.

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se projekti ruan dhe respekton historinë kulturore dhe sportive të stadiumit “Qemal Stafa”, pasi ruan pjesën e fasadës, e cila integrohet në projektin e ri. “Jemi përballë fasadës në të cilën kemi pikërisht pjesën e konsideruar si monument kulture nga vendimi i fundit i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve.

Kemi bashkëpunuar me studion e arkitektëve të cilëve iu është bashkuar ekspertiza e Palazzo Spinelli-t. E reja është që në rezultatin e fundit që do të vijë të prezantohet para KKR-së javën që vjen, fasada do të ruhet siç është, jo vetëm do të ruhet por do të jetë pamja ballore e stadiumit dhe do të jetë edhe funksionale për të shërbyer për të njëjtin funksion hyrës siç ka shërbyer gjithë këto vite. Ne kemi ruajtur këtë projekt, e konservojmë të plotë dhe e risjellim në projektin e ri kështu siç është”, tha Kumbaro.

Stadiumi “Arena Kombëtare” është parashikuar të ketë një kapacitet prej 22.500 spektatorë, Stadiumi do të jetë i kategorisë 4, sipas standardeve të UEFA-s (kategoria maksimale) dhe punimet pritet të përfundojnë brenda 24 muajsh. Arena Kombëtare do të ruajë pjesën ballore të stadiumit ekzistues, e cila është shpallur Monument Kulture.

4 komente në ““Arena Kombëtare”, ruhet pjesa ballore. Rama kundër kritikëve”

  1. mirel says:

    Avanco Edi se te xhiron llogaria e kulles prandaj jepi shpejt sa nuk jane kthjelluar njerezia nga fitorja e qeverise me Rumanine.
    Ja pive lengun ketij populli legen. I genjen me nje flamur dhe nje dron.
    Privatizoje Shqiperine se e ke plot me skllever te bindur dhe me deshire per tu dhunuar

  2. LLL says:

    Këtu thuhet se Arena Kombëtare do ruajë pjesën ballore të stadiumit
    Kush e di , Arena e Ramës , do ta ruajë emrin e ndritur ” Qemal Stafa ” ?
    Apo mendohet , në të ardhmen , të marrë emrin Edi Rama ?!
    Edi Rama është armiku më I madh I së majtës , dhe më I kamufluari !

  3. ceni says:

    ky kryeminister nej dite do pergjigjet qe ben me koken e vet dhe si i do qejfi haron c ka qen dhe shume keq qe eshte fodull.
    ai stadium deshte vetem nje merimetim si ju be elbasanit dhe dilte klas stadium po te donin le t ben tjeter ne vend tjeter perferi jashte tiranes
    ecin punimet me ritme te shpejta normale me leket e popullit ti mund te besh jo nje por dhjete stadiume po tu ngref ty per i gjo e ben s pyet asnje se ke lekun e tone qe e perdor si do ti.
    por rrit pensionet asistencen etj etj etj me ato para qe ti i perdor per gjera qejfi spo them qe s duhen dhe stadiumet por ai ishte aty dhe shume i mire beton koplet dhe i forte deshte vetem konstruksion riparim
    leri kto stadiume se ne kemi probleme me te medha stadumi ekzistues su mbush nje here plot ka 25 vjet kurre spo mbushet plot pra ai i plotesonte kushtet plus tjetri i dinamos pse duhet pastaj ta prishje e di sa ben nje stadium cfar kosto ka pra prishe miliarda kur shtete me te pasura se ne si prishin kurre pori mirmbajne jo ne qe jemi te varfer s kemi nevoj per kaq lluks eshte shpejt akoma.jemi te varfer akoma se ti sporrit penionet po i le te vdesin me pension qesharak.
    po ti spyet as popull as nje mjafton te kenaqesh egon tende normale qe do mbaroj shpejt stadiumi ku te intereson ti punon shpejt dhe mire kurse vlore nje lungo mare ke tall b.. ke tre vjet dhe akoma s ke ber asnje km… rruge akoma por po torturon nje popull te tere. do jet super stadiumi dhe do jet super se do kesh dhe ti pjesen tende me miqte e tu. me lekt e arkes se shtetit ju beni si ju do menderja as referendium te prishet apo jo stadiumi asgje s morret parasysh
    po ju keni len projektet e tjera pa mbaruar c ju ra ne koke stadiumi tani kur ti tre vjet spo ben asgje pervecse lyerjes me boje te institucioneve asgje spo ben.populli vonon pr s harron mos vazhdoni me parullen e enverit qe me kto populll bejme c te duam behemi dhe mbreter se dhe sali berisha kshu tha por ja qe ra nga kali prsni prisni se nje dite ky popull qe i ka ardh shpirti ne maje te hundes nga ju do shperthej si vullkan dhe mjer ju ku do futeni.

  4. Dr. Vehip (Veip) Proda says:

    “Arena Kombtare” do të jetë stadium i ri futbollistik, por s`ka përse të mos quhet Arena Kombëtare “Qemal Stafa”, i cili është sinonim i “Arenës së Luftës Kundërfaishte Nacionalclirimtare”, që solli fitoren mbi nazifashizmin dhe tradhëtarët e Atdheut, që bëri rreshtimin e Shqipërisë e të Kombit Shqiptar në Koalicionin Kundërfashist Botëror. Çështja e emrit nuk është produkt i mendësive politike, as i tifozllëkut partiak, por i sensibiliteteve dhe realiteteve historike kombëtare gjithashqiptare, që, në fund të fundit, kërkojnë si zgjidhje përfundimtare shprehjen referendare. Qemal Stafa, ka qenë, është dhe do të mbetet simbol i Lirisë së Atdheut dhe i Rinisë Atdhetare Shqiptare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje