Detaje të tjera kanë dalë në dritë në lidhje me perimetrin e sigurisë së aeroportit ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ kur kanë kaluar vetëm dy ditë nga grabitja e rreth 1 milion eurove e ndodhur në Rinas.
Burime brenda policisë kanë treguar për ‘Panoramën’ se para disa javësh dy persona, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur kanë arritur që të thyejnë perimetrin e sigurisë se aeroportit.
Personat në fjalë kanë qenë në këmbë pa automjet por kanë mundur që të kapërcejnë rrethimin e pistës dhe të hyjnë në të.
Ata kanë arritur deri tek shkallët e avionit por nuk kanë mundur që të hyjnë në te pasi në momentin e fundit janë konstatuar nga punonjësit e ICTS-së që patrullonin pistën.
Gjatë marrjes në pyetje në polici ata kanë deklaruar se nuk kishin para për të blerë biletë dhe donin të hipnin në avion për të udhëtuar jashtë Shqipërisë.